Ish-presidentit të Francës, Nicolas Sarkozy i është hequr medalja “Legjioni i Nderit”, dekorata më e lartë e vendit, pasi dënimi i tij për korrupsion u konfirmua vitin e kaluar.
Presidenti konservator është përballur me probleme ligjore që kur u largua nga detyra në vitin 2012. Në dhjetor, gjykata më e lartë e Francës mbështeti dënimin e tij për ndikim të paligjshëm dhe korrupsion, duke e urdhëruar që të mbante një byrzylyk elektronik në kyçin e këmbës për 12 muaj.
Sarkozy, i cili mbetet një figurë e rëndësishme në politikën franceze, ishte shpallur fajtor nga shkalla e parë e gjyqësorit francez në vitin 2021, pasi u konfirmuan pretendimet se kishte tentuar që të korruptonte një gjyqtar për të marrë informacion konfidencial në lidhje me një hetim mbi financat e fushatës së tij të vitit 2007.
Sarkozy, i cili e hoqi byrzylykun elektronik nga kyçi i këmbës këtë muaj, e ka apeluar çështjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Avokati i tij, Patrice Spinosi, tha se ai kishte marrë parasysh revokimin e dekoratës, por theksoi se apelimi ishte ende në pritje.
Një vendim eventual i GJEDNJ-së kundër Francës “do të nënkuptojë rishikimin e dënimit penal kundër [Sarkozy], si dhe përjashtimin e tij nga Urdhri i Legjionit të Nderit”, tha Spinosi të dielën.
Emmanuel Macron doli kundër vendimit për heqjen e dekoratës, por shtoi se rregullat e çmimit më të lartë shtetëror të Francës përcaktojnë se çdo i dënuar me burg do të përjashtohet nga mbajtja e urdhërit. Presidenti francez, i cili njihet për takimet e rregullta me Sarkozinë, kishte argumentuar se është shumë e rëndësishme që ish-presidentët të respektohen.
Në historinë e Francës, të vetmit ish-president që i është revokuar urdhëri “Legjioni i Nderit”, është Philippe Pétain. Ai ishte bashkëpunëtor nazist gjatë kohës së luftës dhe u dënua në gusht 1945 për tradhti të lartë dhe komplot me armikun. Persona të tjerë që iu është hequr titulli janë: ish-presidenti sirian Bashar al-Assad, 7 herë fituesi i “Tour de France”, Lance Armstrong, i cili u zbulua se kishte përdorur drogë për rritjen e performancës dhe producenti i filmit Harvey Weinstein, i dënuar për abuzim seksual ndaj grave.
Problemet ligjore të Sarkozisë nuk kanë mbaruar ende. Ai është dënuar për financim të paligjshëm të fushatave të tij elektorale kur humbi zgjedhjet në vitin 2012 dhe aktualisht është në gjyq me akuzën e pranimit të financimit të paligjshëm të fushatës nga diktatori i ndjerë libian Muammar Gaddafi.
Gjykata pritet të japë vendimin e saj për rastin e fundit në shtator dhe prokurorët kanë kërkuar një dënim me shtatë vjet burgim për ish presidentin francez. Sarkozy i ka mohuar akuzat.
Burimi: The Guardian