Nga Gëzim Mekuli
Deklaratat e fundit, thënjet tragjike, akuzat e rënda, akuzat shumë të rënda, akuzat jashtëzakonisht të rënda të gazetarëve, Ilir Mirena dhe Valon Syla, janë më shumë sesa marrina, më shumë sesa fjalë të lëshuara pa kujdes; ato janë plane të një misioni për të rishkruar historinë tonë dhe për të zbutur kriminelin (Serbinë) duke e fajësuar viktimën (Shqiptarët).
Të thuash se “UÇK-ja e ka shti Serbinë me dalë jashtë kontrollit për me bo masakra për me ndërhy NATO” dhe “Dihen more kto sene”, është një zhvendosje klasike e fajit, një teknikë e propagandës që u shërben interesave të elitave politike dhe ekonomike “Made in stara Serbia”. (Prodhuar në: Serbi të vjetër)
Kjo është tentativë e rrezikshme e normalizimit të krimit: kur viktima (shqiptarët) shihet si provokatore, agresori (Serbia) fillon të portretizohet si reagues i pafajshëm, si dikush që u “detyrua me zor”. Dhe një botë që e pranon këtë logjikë, është një botë ku genocidi justifikohet, ku agresioni legalizohet dhe ku historia përmbyset.
Kush provokoi kë?
A ishin shqiptarët ata që provokuan Serbinë në 1878, kur u dogjën e u masakruan qindra mijëra shqiptarë në Sanxhakun e Nishit? A ishin shqiptarët provokues në 1912–1929, kur ushtria serbe hyri në Kosovë me moton “Shqiptarët duhet zhdukur si komb”? Kush i provokoi masakrat e Tivarit, Drenicës, Mejës, Reçakut? Kush i provokoi Serbët në gjenocidin ndaj shqiptarëve në Shkodër, malësi e deri në Durrës?
Ky mentalitet është i njëjtë me atë që përdorin kolonizatorët: “populli i ka fajet, ne vetëm u mbrojtëm”. Të thuash se UÇK-ja e provokoi Serbinë, është njësoj sikur të thuash se hebrenjtë i provokuan nazistët; një budallallëk dhe absurditet moral dhe historik.
Kjo nuk është analizë e tyre, është projekt i tyre
Deklarata të tilla nuk janë gafa, nuk janë të paqëllimta; janë tregime të përpunuara, të porositura, të përshtatura për t’i shërbyer një qëllimi të qartë: ndryshimi i bindjeve politike të një populli që po largohet gjithnjë e më shumë nga idealet e lirisë, traditës, njerëzillëkut, identitetit dhe drejtësisë.
Sipas Chomsky-t, mediat nuk janë më “qen rojtarë të demokracisë”, por janë zëdhënëse të korporatave dhe oligarkëve. Këta gazetarë, të cilët paraqiten si “analistë të pavarur”, janë në fakt zëra të paguar të grupeve të interesit që kontrollojnë mediat dhe ndikojnë në axhendat politike.
Prandaj, nuk është çudi që këto deklarata vijnë nga njerëz të lidhur ngusht me strukturat e pasurisë me prejardhje të dyshimtë, politikës dhe mediave që kërkojnë të dobësojnë frymën kombëtare dhe të vendosin një formë të re kolonializmi kulturor; ku lavdërohen pushtuesit (serbët) dhe fajësohen të pushtuarit (shqiptarët).
herbëtorët e padronëve mediatikë
Ilir Mirena, Valon Syla & Co janë më shumë se sa gazetarë. Ata janë agjentë të përpunuar të një klase që Chomsky e përshkruan si “inteligjencia e re e kapur nga oligarkët”, njerëz që flasin në emër të publikut, por paguhen nga sponsorët për të krijuar perceptime që i shërbejnë interesave të ngushta të oligarkëve politik e ekonomik.
Në librin “Who Rules the World?”, Chomsky shkruan:
“Ata që kontrollojnë pasurinë, kontrollojnë edhe tregimin. Dhe media është vegla e parë që përdoret për ta bërë këtë tregim të duket si e vërteta absolute.”
Pra, kur Mirena, Syla & Co flasin, nuk është më e qartë nëse këta po i shprehin mendimet e veta, apo po lexojnë një skenar të miratuar nga bordi redaktues i ndonjë oligarku a grupi interesi politik të huaj.
Duhet theksuar se «kontrolli i mendjes është më efektiv sesa kontrolli fizik. Dhe mënyra më e suksesshme për ta bërë këtë është përmes inteligjencës së nënshtruar; ata që flasin me zë të fortë, por vetëm për të mbrojtur interesat e fuqisë»
Të dashur lexues,
Nëse ne si shoqëri lejojmë që të tilla deklarata të kalojnë pa analizë, pa reagim dhe pa kosto publike, atëherë kemi lejuar që historia jonë të grabitet, dinjiteti të përlloqet dhe e vërteta të shtrembërohet. Këto nuk janë sall një “opinion personal”: janë veprime shërbimi ndaj propagandës serbe, dhe si të tillë duhen demaskuar.
Sepse sot nuk mjafton të jesh i saktë, duhet të jesh edhe i zëshëm. Sepse heshtja ndaj padrejtësisë, është mënyra më e shpejtë për ta bërë atë të pranueshme dhe të ligjshme.
Të nderuar lexues,
Ky shkrim është një thirrje për vetëdijësim kritik dhe rezistencë intelektuale. Historia nuk është pronë e askujt, por është përgjegjësi e gjithkujt.
Sepse deklarata si ajo e Mirenës dhe përforcimi kafshëror i Valon Sylës janë sulm mbi të vërtetën historike, mbi ndjenjën e drejtësisë, dhe mbi nderin e populli shqiptar që ka mbijetuar gjakderdhjen dhe gjenocidin 200 vjeçar serb. Edhe njëherë po e përsëris këto nuk janë mendimet e tyre të lira; janë mjete të porositura për të manipuluar vetëdijen tonë kolektive, për të rrëzuar përmendoret në zemrat e njerëzve dhe për t’i zëvendësuar me pluhur harrese.
Konsekuent deri në fund; nëse sot nuk reagojmë ndaj këtyre njerëzve me forcën e mendimit kritik, atëherë po lejojmë që e ardhmja jonë të shkruhet nga ata që duan ta fshijnë të identitetin, qëndresën dhe të kaluarën tonë.