Juria shpalli këtë të mërkurë fituesit e dy projekteve që do të rijetëzojnë dhe rikonceptojnë vilat qeveritare në Velipojë dhe Vlorë.
E përbashkëta e të dyjave është pjesëmarrja e markës Melia e cila tashmë ka një prani të gjerë në vendin tonë me disa projekte.
Përfaqësuesi i jurisë tha se për Velipojën fitues ishte projekti i prezantuar nga studio Saunders. Në këtë projekt marrin pjesë “Xhenis sh.LLC, Saunders Architecture, Smart Studio, VOGT, Adnan Kastrati, Melia Holtel International”.
Por çfarë parashikon projekti? Përfaqësuesi i studios gjatë prezantimit tha se se synohet që të ruhet godina ekzistuese duke e rrethuar atë me një koncept të ri të cilësuar prej tij si “përqafimi”.
Velipoja, eksperiencë e re duke ruajtur të kaluarën
“Ideja ishte që ta mbanim vilën siç ishte që në skicën e parë kur do hynim në konkurs. Të mbahet dhe të ruhet kjo vilë. Ajo duhet të tregojë të kaluarën.
E gjithë ndërtesa nuk duhet të jetë si kala, por njerëzit të kenë dëshirë të hyjnë ta shohin. Doja që kjo ndërtesë të jetë identitet më vete. Kjo jep përvojë. Ne vendosëm që të ndërtonim parkimin poshtë që te mos duket dhe ekipi ynë s’ka nevojë për shumë infrastrukturë.
Mendojmë të kemi 30 dhoma dhe të kemi infrastrukturë në hotelin tjetër. Kati i parë mund të jetë një pjesë publike që të jetë një ndërtesë për të gjithë njerëzit, madje edhe hotelet e tjera ta përdorin. Të ketë dhe një SPA cilësor, pastaj janë dhomat që janë sipër dhe salla e konferencave.
Pjesa e kullës është një kullë e gjithë pjesa e ndërtimit nuk ka dhoma. E kthejmë në një muzeum. Kur del nga salla e konferencave shkon te tarracat dhe nga tarraca shkon tek kulla. Dhomat janë sipër, shikojnë në pyll dhe janë në privatësi lart. Ka një pishinë natyrore” tha ai.
Kryeministri gjatë prezantimit nënvizoi nëse kishte mundësi që kulla të hiqej si opsion teksa studioja e arkitekturës argumentoi se ajo ishte një pjesë që i shërbente pamjes për të shtuar vlerën duke parë në largësi detin, pyllin dhe perëndimet.
Vlora resort për përvojë luksoze me fokus shëndetin
Për Vlorën fitues ishte projekti i prezantuar nga studio Precht dhe që ka pas vetes Edil Al, Zdrava, studio Arga, Studio Precht, Studio V10, Jeshile, Ledia Kostandini, Lindita Pelivani, Altisfer Golloshi, Holtzbau Majer, Melia Hotels & Resorts.
Përfaqsuesi i studios arkitekturore që bëri prezantimin tha se tre ishin pyetjet me të cilat u ndesh stafi gjatë përgatitjes së projektit. Pse duhet të vijnë këtu turistët, çfarë i mungon Shqipërisë për momentin dhe plani i biznesit si arrihet kjo?
“Përbërësi i parë është se kemi të bëjmë me një gjumë të vogël dhe një numër të vogël dhomash që do të thotë më pak rrëmujë. Kjo është zemra e projektit. Ideja është që duam të ndërtojmë dy struktura me gjurmë të vogël ndërtimi. Të gjitha ndërtesat që e rrethojnë janë 8-10 kate.
Këtu kemi mundësi për të pasur një hapësirë monumentale me lartësi më të madhe por gjurmë më të vogël ndërtimi por të shohë nga perëndimi dhe të jetë një lloj siluete që vë në kuadër pamjen.
Do të ketë një pishinë që bashkon ndërtesat. Përbërësi i dytë të jetë ekskluzive, pra të tërheqë udhëtarët që folëm e për të tërhequr një audiencë të re të turizmit e jo domosdoshmërisht dikë qe është i interesuar për luksin e mermerit e ferrarit por për luksin e përvojës pra përvojë ekskluzive.
Ndërtesat janë të thjeshta dhomat me hapësirë. Secila dhomë ka dy kahe sheh lindjen dhe perëndimin e diellit. Punimet do të jenë druri. Përbërësi i tretë që i jep gjithë gjëse një bazë ku të mbështetet: është e shëndetshme pra një hapësirë që premton shëndetin pra është hapësirë që të rigjeneron dhe këtë e kemi kthyer ne një qendër për shëndetin, jo një klinikë por ata njerëz që janë të vetëdijshëm për kujdesin dhe shëndetin.
Kemi propozuar disa shtëpi në pemë që e rrethojnë janë të trupëzuara në pemë. Në fazën tjetër mund të ketë edhe ndërtesa rezidenciale duke qenë se hapësira është e madhe dhe kthimi i investimit vetëm me projektin fillestar është goxha i ngadaltë” tha ai./MONITOR


