Nga Boldnews.al
“Lufta” që Top Channel i ka hapur Gjykatës së Lartë është dëshmi e qartë se si një televizion kombëtar drejton prozhektorët ndaj një institucioni të rëndësishëm të drejtësisë për realizimin e interesave që nuk kanë lidhje me opinionin publik.
Top Channel ka qenë një prej televizioneve që ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme Reformën në Drejtësi. Shpesh është konsideruar edhe zgjatim i qeverisë lidhur me këtë çështje, por gjithësesi ka dhënë një kontribut në përcjelljen e mesazheve të aktorëve kryesorë që po shqyrtonin Reformën.
Sot, kur kuadri ligjor është miratuar, “misioni” i Top Channel u zbeh dhe ka marrë një drejtim tjetër. Prej pak javësh, në qendër të kronikave problemore të televizionit kryesor në vend është ngërçi në Gjykatën e Lartë. Në një situatë normale, shqetësimi i ngritur nga Top Channel do të ishte i mirëpritur. Por, televizioni kryesor në Shqipëri duket se në tjetër vend e ka shqetësimin lidhur me aktivitetin e Gjykatës së Lartë.
“Boldnews.al” ka raportuar më parë për procesin ligjor ndërmjet pronares së Top Channel, Vjollca Hoxha, eveja e Artan Hoxhës dhe dy bashkëpronarëve të tjerë, Albert Sino dhe Aurel Baçi.
Ndërmjet pasuesve të Tanit të Topit në biznesin e tij mediatik prej kohësh po zhvillohet një proces gjyqësor për pronësinë e televizionit, i cili aktualisht pret shqyrtimin në Gjykatën e Lartë.
Çështja ligjore ndaj Vjollca Hoxhës nga njëra anë dhe Sinos e Baçit nga ana tjetër ka nisur në 26 janar 2016. Në atë kohë, bashkëshortja e themeluesit dhe fëmijët e saj, të cilët të gjithë bashkë zotërojnë 40 përqind të aksioneve, iu drejtuan me një kërkesë padi Gjykatës së Tiranës, ku kërkonte njohjen e pronësisë edhe mbi 60 përqind të aksioneve që zotërohen nga Albert Sino e Aurel Baçi.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e rrëzoi kërkesë-padinë e Vjollca Hoxhës, duke u dhënë të drejtën aksionerëve të shumicës që të ruanin kuotat e tyre dominuese në kompaninë Top Channel.
Vjollca Hoxha nuk u dorëzua dhe iu drejtua Gjykatës së Apelit. Në fashën kohore nga vendimi i shkallës së parë deri në shqyrtimin në Apel, përflitej në ambjente të ndryshme se Vjollca Hoxha po angazhohej për të kthyer situatën në favor të saj. Dhe, në fakt, disa zhvillime që në krye të procesit në Apel, krijuan dyshimet tek bashkëpronarët Sino e Baçi se vendimmarrja ishte e paracaktuar në disfavor të tyre.
Në muajin shkurt 2017, një trupë gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Gjin Gjoni, Ridvan Hado dhe Zegjine Sollaku morën në dorë dosjen Top Channel, për shqyrtimin e ankimit të Vjollca Hoxhës kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës që rrëzoi padinë e saj. Që në prezantimin e trupit gjykues, pala paditëse kërkoi menjëherë përjashtimin e gjyqtares Sollaku, pasi edhe më parë ajo ishte përjashtuar nga ky gjykim.
Pa u marrë ende vendimi për përjashtimin e saj, në korridoret e Top Channel qarkullonin zëra se ajo do të zëvendësohej nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Hysni Demiraj. Gjithçka u konfirmua një muaj më pas, kur “me short” gjyqtari Demiraj caktoi veten si pjesë të trupës gjyqësore. Pas këtij vendimi të pritshëm, të diktuar nga interesa të errëta, pala e paditur kërkoi menjëherë përjashtimin e Demirajt, por ky i fundit nuk nguroi të « vinte bast » në sallën e gjyqit se nuk do të largohej nga kjo çështje.
Dhe në fakt ashtu ndodhi, trupi gjykues që mori në shqyrtim kërkesën për përjashtimin e Demirajt vendosi ta rrëzojë atë, duke lënë pjesë të gjykimit kryetarin e Gjykatës së Apelit. Ndodhur në këto kushte, pala e paditur depozitoi një kallëzim penal në prokurori ndaj Hysni Demirajt, të cilin e akuzon për shpërdorim detyre dhe abuzime me hedhjen e shortit.
Prokuroria pasi kreu verifikimet e para vendosi të regjistroi procedimin penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me procedurat e hedhjes së shortit në Gjykatën e Apelit për çështjen civile me paditës Vjollca Hoxhën dhe të paditur Albert Sino e Aurel Baçi.
Në përfundim, Gjykata e Apelit vendosi të pranojë kërkesën e Vjollca Hoxhës, duke zhveshur Sinon e Baçin nga aksionet e tyre në Top Channel.
Dy bashkëpronarët i janë drejtuar me një rekurs Gjykatës së Lartë, ku kërkojnë rikthimin e të drejtave të tyre pronësore mbi kompaninë Top Channel.
Dhe pikërisht, këtu duket se qëndron edhe thelbi i “luftës” së Top Channel kundër Gjykatës së Lartë. Më së shumti duket si një sipërmarrje për të “detyruar” Gjykatën e Lartë që të mos ndërmarrë asnjë veprim mbi vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila vendosi që Vjollca Hoxha dhe fëmijët e saj të jenë pronarët e vetëm të Top Channel.