Nga Artan Hoxha
Ndërsa çdo ditë dalin fakte e prova për manipulime të shumëllojshme, të drejtpërdrejta a të tërthorta, mbi kutitë vendase apo mbi votat nga emigracioni, rezultati me diferencë të thellë mes subjektit monist PS dhe koalicionit pluralist PD, prej afro 20% nga afro 2% në vitin 2021, ka vetëm dy shpjegime: i) ose PD ka gabuar plotësisht në përcaktimin e natyrës së regjimit – si regjim antidemokrat, narko-shtet, neo-diktaturë – për rrjedhojë, shumica e votuesve nuk e ndoqi në këtë përcaktim; ii) ose regjimi është vërtetë i këtillë dhe ka fituar me mjetet e shumta dhe fuqinë e dhunshme të një regjimi të këtillë. Përgjigja mbi natyrën e regjimit përcakton edhe mënyrën e shpjegimit të rezultatit të votave 2025.
Kam qenë e jam i mendimit, gjithnjë e më të përforcuar, se kemi të bëjmë me një regjim hibrid i cili, në ecurinë e tij këto 12 vite, e kaloi vijën imagjinare 50:50 fill pas zgjedhjeve 2021 duke anuar sot fort e dukshëm, në anën jo-demokratike drejt asaj diktatoriale të spektrit (gatuar edhe për shkak të sjelljes politike të PD në zgjedhjet 2017 dhe pas tyre), ndihmuar qoftë nga faktorë të brendshëm qoftë të jashtëm, siç ai i administratës Biden dhe i Europës politike neo-liberale. Që në pikënisjen e vet më 2013 e në vijim ky regjim u mbështet edhe nga pjesa dërrmuese e krimit të organizuar, në rritje e fuqizim, si dhe nga pjesa dërrmuese e elitës vendase, të kooptuar e të korruptuar. Natyrisht që regjimi nuk llogaritet nga niveli zero, ai e gëzon vijueshëm mbështetjen historiko-inerciale të lidhur me PPSH/PS, prej më shume se 30% të elektoratit, ndërsa faktorët e tjerë nën analizë i mbivendosen kësaj mbështetjeje për të arritur shumicën komode qeverisëse moniste – i gjithë pushteti në një dorë.
Nën qeverisjen e këtij regjimi Shqipëria mbeti ose ra rishtazi në fundin e tabelës së klasifikimit europian lidhur me të ardhurat, pagat, pensionet, ndihmën sociale, si dhe mbeti apo u ngrit rishtazi në krye të këtij klasifikimi lidhur me pabarazinë, varferinë, padrejtësinë, prapambetjen. Edhe sipas të dhënës më të fundit të Eurostat, 42% e shqiptarëve përjetojnë disa forma përjashtimi që i klasifikojnë si të varfër apo në rrezik varfërie, kur ky tregues për vendet e Ballkanit Perëndimor lëviz në intervalin 30-34%, për Rumaninë është 32% (tregusi më i lartë në BE) ndërsa mesatarja e BE është as 22%.
Varfëria shumëdimensionale dhe pasiguria e lartë janë forca shtytëse për emigracion. Por, ndërsa forcat tërheqëse emigratore, të tilla si ulja e barrierave hyrëse në tregun europian apo amerikan të punës për shkak të kërkesës së lartë për fuqi punëtore, veprojnë simetrikisht lidhur me përkatësinë apo preferencën politike të emigrantëve tanë, forcat shtytëse të brendëshme veprojnë asimetrikisht, pra më shumë e më fort mbi ata që janë të lidhur, në një masë e tjetrën, me opozitën. Kjo shkakton emigracion asimetrik duke pakësuar bazën elektorale të opozitës demokrate. Kjo asimetri duket është forcuar këto katër vite, si rrjedhojë e humbjes së shpresës në elektoratin opozitar, vite gjatë të cilave opozita politike ka qenë nën goditjet e forta, si kurrë më parë, edhe të të gjithë shtetit edhe të ndërkombëtarëve, kryesisht amerikanëve neo-liberale.
E dhëna më e fundit demografike, lindjet në tremujorin e parë 2025, me rënie vjetore mbi 14% në raport me tremujorin e parë 2024 (për më tepër lindjet ndjeshëm më pak se vdekjet) është shumë domethënëse. Rënia sistematike e lindjeve në dekadën rilindase krahasimisht dekadës së mëparshme, por edhe luhatshmëria e lartë e ‘kapricioze’ e këtij treguesi vit pas viti është prova më e mirë se edhe emigracioni (në formë valësh) ka qenë shumë më i lartë krahasimisht me atë që u rrek të na bindte INSTAT me Censin 2023 edhe se ai ka vijuar edhe në 2024 e vijon edhe sot. Për rrjedhojë, pjesa dërrmuese e 200 mijë votave më pak në kutitë vendase është shkaktuar nga kjo ‘arrati’ emigratore edhe këto katër vitet e fundit ndërsa pabarazia në mirëqënie/varfëri për shkak të pozicionit politik provon se shumica dërrmuese e këtyre votave të munguara janë nga votuesit opozitarë 2021 të emigruar këto katër vitet e fundit.
Që krimi i organizuar ka mbështetur regjimin edhe në këto zgjedhje kjo tashmë duket ashiqare. Për më tepër, regjimi i fuqizuar së fundmi, krimin e organizuar e ka tashmë më shumë shërbëtor se partner e, interesante, këtë radhë ju caktoi edhe disa personazhe për të cilët duhet të mblidhnin vota e mbi këtë numër votash do matej asfare performanca e kandidatit anonim por performanca e bandës mbështetëse përkatëse.
Elita vendase – administrative, ekonomike, akademike, profesionale, artistike, sportive – , qoftë pjesa e adultëve të dekadës së fundit të socializmit (e kohës kur zvordhi ideologjia dhe lulëzoi vesi), qoftë ajo lindur e rritur në post-socializëm është formësuar ekonomikisht e kulturalisht në këtë mjedis të ashpër me evazion të gjërë, korrupsion të gjithëpërhapur dhe dhunë të fortë, dhunë kjo sa e individit ndaj individit, sa e individit ndaj shtetit dhe sa e shtetit ndaj individit. E formësuar në këto rrethana kjo elitë nuk ka moralin dhe motivin e duhur për të udhëhequr popullin drejt regjimit me më shumë demokraci, ligj, drejtësi e barazi ndaj, në shumicën e saj, kooptohet dhe korruptohet lehtësisht nga ky regjim anti-demokratik duke u vënë, me hir a pahir, në shërbim të tij.
Në kushtet e regjimit që varfëron dhe/ose diskriminon, arratia emigratore duket mënyra më e mirë për t’i shpëtuar edhe varfërisë edhe robërisë së këtij regjimi. Kush mbetet këtu i duhet të zgjedhë robërinë e shpërblyer ose kryeneçësinë me pasoja – afërmendësh që shumica zgjedhin të parën.
Sa për emigrantët që votuan, në atë pak përqindje që morën pjesë (me pak se 200 mijë nga 1.7 milion gjithsej me të drejtë vote), rezultojnë të jenë pjesa më militante e emigracionit votues në tërësi, aq më shumë nëse konsiderojmë edhe fuqinë mobilizuese më të madhe të regjimit për militantët e vet edhe fuqinë e tij shpërblyese apo kërcënuese, të atyre drejtpërdrejt apo të familjarëve këtu, edhe mundësinë manipuluese të regjimit, për rrjedhojë vota e tyre jo vetëm nuk mundte e nuk solli ndryshim, përkundrazi do i shërbente siç i shërbeu regjimit anti-demokratik.
Ndaj, kush rreket të japë rekomandime se ç’duhet të bëjë PD-ja lodhet kot, askush që beson se kemi të bëjmë me një regjim antidemokratik nuk ka as arsye as nge të dëgjojë ata që thonë se PD humbi zgjedhjet për fajet e veta ndonëse garoi në kushte mjaftueshmërisht demokracie, barazie e ndershmërie.
Arsye e nge ka vetëm për ata që e vlerësojnë regjim si anti-demokratik e nuk pajtohen me të. Për një gjë duhet të jemi të qartë mes nesh, tani e në vijim – përballja me regjimin në konsolidim do jetë gjithnjë e më e vështirë, rrëzimi i tij gjithnjë e më i komplikuar, gjithsesi jo i pamundur ne kushtet e një PD-je që ruajti përmasat e partisë së madhe opozitare (nuk u copëzua në 7-8 pjesë) dhe me një raport të ri, miqësor e bashkëpunues, me administratën amerikane Trump dhe partitë e qendrës së djathtë europiane.