Gjumi i mirë nuk është i rëndësishëm vetëm për shëndetin, por gjithnjë e më shpesh përmendet edhe si çelësi i një martese të suksesshme.
Shumë çifte të njohura dhe të zakonshme po ndjekin një praktikë që dikur do të ishte parë si shenjë ftohjeje në marrëdhënie: fjetjen në dhoma të ndara.
Kjo praktikë, që tashmë ka marrë emrin ‘divorci nga gjumi’, po përhapet me shpejtësi dhe perceptohet gjithnjë e më shumë jo si një problem, por si një zgjidhje e mençur për të shmangur tensionet e panevojshme dhe për të ruajtur harmoninë në çift.
Sipas gazetës gjermane Focus, ‘divorci nga gjumi’ nënkupton fjetjen në shtretër të veçantë ose në dhoma të veçanta, jo për shkak të problemeve në çift, por për të siguruar një gjumë cilësor dhe të pandërprerë. Kjo është një zgjedhje praktike që për shumë njerëz është shndërruar në përfitim emocional dhe fizik.
Këtu janë disa nga arsyet më të zakonshme që çojnë çiftet drejt këtij vendimi:
1. Oraret e ndryshme të gjumit
Disa persona shkojnë në shtrat herët, të tjerë preferojnë të flenë vonë. Këto ritme të ndryshme mund të krijojnë ndërprerje të vazhdueshme dhe pakënaqësi, të cilat shmangen lehtësisht nëse secili ka hapësirën e vet për gjumë.
2. Gërhitja
Një nga shkaqet kryesore të fjetjes ndaras është gërhitja. Kur njëri nga partnerët nuk mund të flejë nga zhurma, gjumi bëhet i parehatshëm dhe shpesh sjell nervozizëm gjatë ditës. Dhomat e veçanta janë shpëtim në këtë rast.
3. Zakone të ndryshme gjatë gjumit
Një person mund të preferojë errësirë totale, tjetri dritë të lehtë. Njëri dëshiron një dyshek të fortë, tjetri të butë. Njëri ka gjithmonë ftohtë, tjetri nxehet shpejt. Këto ndryshime të vogla bëhen shpesh burim irritomi, dhe një ndarje e thjeshtë në gjumë mund të shmangë këto tensione.
4. Kujdesi ndaj fëmijëve
Çiftet me fëmijë të vegjël shpesh zgjedhin që njëri prej tyre të kujdeset për të vegjlit gjatë natës, ndërsa tjetri të flejë i qetë për të qenë i pushuar për ditën në vijim. Ky rregullim shpesh kërkon ndarje të përkohshme të hapësirës së gjumit.
Jo një shenjë ndarjeje, por kujdesi për marrëdhënien
Focus thekson se kjo praktikë nuk është një distancim emocional, por një mënyrë për të ruajtur mirëqenien individuale. Kur të dy partnerët flenë mirë, janë më të pushuar, më të qetë dhe më të aftë për të qenë të pranishëm emocionalisht për njëri-tjetrin.
Pra, nëse një marrëdhënie përmirësohet falë këtij ‘divorci të natës’, atëherë është më mirë të shihet si një zgjidhje e zgjuar, dhe jo si problem.