Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të Papa Franceskut. Rama shprehet në rrjete sociale se Papa ka qenë një mik i paharrueshëm i Shqipërisë.
Kreu i qeverisë mbajti një minutë heshtje edhe gjatë fjalës së tij në fushatën e PS-së në Kavëjë në nder të Papa Franceskut.
Kryedemokrati Sali Berisha, ka mbajtur 1 minutë heshtje në nder të Papa Françskut në Pukë ku po mbante një takim elektoral.
Ai shprehet se sot, Krishterimi, mbarë njerëzimi dhe shqiptarët kanë humbur një kolos të mendimit, të besimit tek Zoti, por edhe të dashurisë dhe respektit për njeriun.
“Miq, para se të fillojmë këtë takim elektoral, u ftoj të nderojmë me një minutë heshtje një burrë të madh të njerëzimit, një mik të shquar të kombit shqiptar, Papa Françeskun, i cili u nda sot nga jeta.
Krishterimi, mbarë njerëzimi, shqiptarët kanë humbur sot një kolos të mendimit, të besimit tek Zoti, por edhe të dashurisë dhe respektit për njeriun.
I përjetshëm kujtimi i shenjtërisë së tij, Papa Françeskut!”– shprehet Berisha.
Presidenti Bajram Begaj shkruan se do ruajë përherë në kujtesë takimet mes tyre. Më tej thekson se do i bashkohet lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe.
“Shenjtëria e tij, Papa Françesku, sot u ngjit në qiell, pranë Atit, për të çuar në qiell atë që la trashëgimi në tokë, dhembshurinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj çdo njeriu, çdo besimtari e çdo feje.
Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona.
I bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe!“- shprehet Begaj.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali shprehet se shqiptarët kishin një vend të veçantë në zemrën e madhe të tij. Spiropali shkruan se mëngjesin e sotëm përfundoi edhe rrugëtimi tokësor i Papa Françeskut, duke shtuar se Ati i Shenjtë ishte mbrojtës i fuqishëm i më të varfërve dhe më të dobtëve.
“Mëngjesin e së Hënës së Engjëllit, përfundoi rrugëtimi tokësor i Papa Françeskut.
Jeta e këtij dishepulli të Jezu Krishtit, iu kushtua shërbimit të Zotit, të Kishës, besimtarëve, njerëzve, bashkëjetesës dhe drejtësisë shoqërore.
Ati i Shenjtë ishte mbrojtës i fuqishëm i më të varfërve, më të dobtëve dhe më të margjinalizuarve, të cilëve u kushtoi gjithë jetën dhe dashurinë e Tij.
Shqipëria dhe shqiptarët kishin një vend të veçantë në zemrën e madhe të Papa Françeskut, të cilën e shfaqi edhe gjatë vizitës në vendin tonë, në 21 shtator 2014, vizita e Tij e parë në një vend europian nga fillimi i Papnisë.
Takimi me Atin e Shenjtë në tetor të vitit 2024 do të mbetet ndër kujtimet më të bukura të jetës sime. U Prehtë në Paqen e Zotit!”, shkruan Spiropali.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e Atit të Shenjtë, duke e cilësuar atë si një figurë të shquar të paqes dhe humanizmit, si dhe një mik të madh të Shqipërisë. Në reagimin e tij, Meta ka vlerësuar mbështetjen e pakursyer që Papa Françesku i dha vendit tonë ndër vite, veçanërisht në momente sfiduese për shoqërinë shqiptare.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkruan se trashëgimia e përulësisë, drejtësisë dhe dhembshurisë së Papa Françeskut, do të jetojnë përgjithmonë.
“Në këtë të Hënë të Pashkëve, një ditë shprese dhe ripërtëritjeje për të krishterët anembanë botës, vajtojmë ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut.
Trashëgimia e tij e përulësisë, drejtësisë dhe dhembshurisë do të jetojë përgjithmonë. Në emër të popullit të Kosovës, shpreh ngushëllimet tona më të thella. U prehtë në paqe”- shkruan Kurti.