“Më hapi derën, fytyra e Markut nuk ishte më e tija. Ishte i kuq në fytyrë, po dridhej shumë, në mënyrë që të frikësonte. Më tha ‘nuk kam fjetur, nuk kam ngrënë…’. E thoshte sikur të ishte një demon, kam pasur frikë se mos më bënte keq edhe mua.”
Kështu ka deklaruar Nors Man Lapaz, nëna e Mark Antony Samson, 23-vjeçarit që vrau me thikë Ilaria Sula në Romë, gjatë marrjes në pyetje më 7 prill. Gruaja është nën hetim për bashkëpunim në fshehjen e trupit të pajetë.
“I thashë ‘qetësohu’ dhe ai po dridhej e më tha ‘mama… mama!!’”, ka treguar Nors Man Lapaz, duke përshkruar çfarë ndodhi më 26 mars në apartamentin në lagjen Africana. Ajo ka shtuar se ka parë “një grua me fytyrën përmbys (Ilaria Sula, shën. red.). I thashë ‘zemër, çfarë ke bërë?’ dhe ai, në gjuhën filipinase, më tha ‘po të mos e bëja unë, do më vrisnin mua’, sikur të donte të thoshte që nëse nuk vdiste ajo, do vdiste ai.”
Prokuroria: “Nëna kishte rol aktiv”
Sipas prokurorëve të Prokurorisë së Romës, nëna ka pasur një rol “aktiv” në ndihmën për të birin, për të pastruar dhomën pas agresionit vdekjeprurës. Trupi i vajzës më pas u fut në një valixhe, të cilën Samson e hodhi në një humnerë në zonën e Capranica Prenestina, rreth 40 kilometra nga kryeqyteti.
Para hetuesve dhe policisë gjyqësore, nëna e Samson ka deklaruar se kishte dëgjuar çiftin të ziheshin atë mëngjes.
“Flisnin me zë të lartë, të dy ngritën zërin, më duket më shumë ajo se sa ai – tregoi ajo – U shqetësova sepse nuk i kisha dëgjuar kurrë të flisnin kështu. Kur ishin me ne, flisnin me zë të ulët: ishin shumë të rezervuar.”
“Më tha të mos hyj në dhomë”
E hetuara ka deklaruar se kishte trokitur në derën e djalit. Nëna e të riut ka treguar se kishte parë më pas Ilarian “me fytyrën përmbys”, por ka shtuar se “nuk hyra në dhomë sepse ai më tha të mos e bëja”.
Sipas rrëfimit të saj, më vonë ishte vetë Samson që shkoi te ajo. “Erdhi në dhomën time dhe më pyeti ‘mami, kemi një valixhe të madhe?’, unë i tregova ku ndodhej dhe ai e mori. Më pas shkova në kuzhinë, edhe ai erdhi dhe mori një qese.”
Nëna ka pohuar para hetuesve se në një moment djali i kërkoi një përqafim dhe ajo e përqafoi: “Ai nuk donte t’i njoftonte babain.”/ TgCom24