Tik Tok, platforma më e njohur e rrjeteve sociale mes të rinjve nga dje nuk mund të hapet në rrjetet mobile në Shqipëri.
Në një telefon të lidhur me internetin mobile aplikacioni nuk funksionon. Por, nëse kalojmë në një rrjet Wifi, Tik Tok është ende i aksesueshëm. Autoritetet thonë se ky është hapi i radhës dhe se së shpejti do të bllokohet edhe në rrjetin fiks.
“Mbrëmë në orën 12 të natës është finalizuar faza e parë në rrjetin mobile, faza e radhës është mbyllja në rrjetin fiks, në bashkëpunim me operatorët do implementojmë masa të tjera teknike”, u shpreh Saimir Kapllani nga Drejtoria e Riskut dhe Kontrollit. Eksperti pranë Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike bën thirrje për kujdes ndaj përdorimit të VPN-ve falas si mënyrë për të hyrë në Tik Tok, pasi ato mund t’i ekspozojnë përdoruesit ndaj sulmeve të hakerave.
“VPN falas ka një sërë risqesh që konsistojnë në vjedhjen e të dhënave, është njësoj si t’i hapësh derën vetë një hacker-i dhe të aksesojë të dhënat e tyre. Prindërit të jenë shumë vigjilentë, për të mos i lejuar fëmijët e tyre që të instalojnë VPN falas”, shtoi ai.
Platforma Tik Tok do të rihapet në vendin tonë sapo kompania të vendosë filtrat e duhur për një lundrim sa më të sigurt të përdoruesve në nivel kombëtar.
“Për të garantuar lundrimin e sigurt, kryesisht për fëmijët që të jenë më të mbrojtur sa i përket kërcënimeve kibernetike, shantazhimeve. Një nga hapat është edhe filtrat që të njohin Gjuhën Shqipe, që të identifikohet gjuha e dhunshme”, theksoi Kapllani.
Mbyllja e Tik Tok edhe në rrjetin fiks për të shkuar kështu në bllokimin përfundimtar të tij kërkon të paktën edhe një javë kohë. Por duket se shumë prej përdoruesve e kanë gjetur sërish mënyrën për t’u aksesuar. VPN-të u kanë mundësuar lundrim në platformë edhe pas vendimit të prerë të qeverisë. Me këtë fenomen, e nisi dje rubrikën e tij “Sy m’Sy” kryeministri Edi Rama. U kërkoi durim qytetarëve derisa kompania prestigjioze të vijë me një plan për sigurinë në Shqipëri dhe i paralajmëroi lidhur me VPN-të.
“Dihet botërisht se përmes VPN-ve falas, hakerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit. Kijeni parasysh këtë gjë! Duroni pa Tik Tok ca kohë, derisa të përfundojmë programin e përbashkët me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri me paraqitjen e planit të sigurisë për fëmijët dhe adoleshentët”, theksoi Rama.
Edhe në mbyllje të komunikimit të tij virtual, e përsëriti këtë apel, veçanërisht ndaj prindërve.
“Mos i hyni asaj rruge sepse VPN-të falas janë hapja e shtegut për t’ju marrë të dhënat në telefon. Iu them prindërve kujdes me fëmijët, se po e futën VPN-në telefon…Është një dardhë që e ka gishtin mbrapa shumë të madh, shumë të gjatë!”, u shpreh kryeministri Rama.
VPN (Virtual Private Network) po përdoret masivisht vitet e fundit për të mundësuar një komunikim më të shpejtë mes degëve të kompanive të caktuara, që janë në lokacione të ndryshme./Gazeta Panorama