Ish-prokurori i Sarandës, Lorenc Mërkuri u shkarkua nga detyra më 22 shtator 2021, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konstatoi probleme në të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, profesionalizmit dhe figurws, duke çmuar se në vlerësimin tërësor, si pasojë e veprimeve dhe mosveprimet të tij, subjekti gjendej dhe në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.
Mërkuri e kundërshtoi në Kolegj si të pabazuar vendimmarrjen dhe arsyetimin e KPK, megjithatë shkarkimi u la në fuqi për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe papërshtatshmëri në aspektin profesional. Ndërkohë, nuk janë gjetur elementë të mjaftueshëm që në vlerësimin tërësor të konkludohet për cënimin e besimit.
Vlerësimi për pasurinë
Komisioni ka ngritur dyshime se Mërkuri ka tjetërsuar faktet lidhur me një pasuri në emër të bashkëshortes dhe prindërve të saj, me pjesë takuese 1/3-at. Subjekti ka pasqyruar në deklaratën veting pjesën takuese të bashkëshortes në apartamentin me sipërfaqe 69.3 m2 në në Sarandë me vlerë 3.1 milionë lekë.
Si burim krijimi të kësaj pasurie janë deklaruar të ardhurat e krijuara nga shitja e banesës së prindërve të bashkëshortes në qershor të vitit 2007 në vlerën 2 milionë lekë, si dhe të ardhurat e siguruara prej tyre nga puna në SHBA. Bashkëshortja ka deklaruar se nuk ka dhënë asnjë kontribut për pjesën e saj.
Por, Komisioni ka konstatuar se në ditën që është kryer shtija e apartamentit të prindërve, bashkëshortja e ka derdhur shumën në llogarinë e saj. Një ditë më pas ajo ka tërhequr shumën 20 mijë euro dhe në prill të 2008-ës ka transferuar në llogarinë e të birit 14 mijë e 800 euro. Me këto shuma janë kryer në vijimësi edhe transferta të tjera.
Për rrjedhojë, KPK ka vlerësuar se shuma e përfituar nga shitja e banesës së prindërve në vitin 2007 nuk mund të ketë shërbyer për blerjen e apartamentit tjetër dhe si pasojë nuk është provuar burimi krijimit të kësaj pasurie.
Po ashtu, Komisioni ka çmuar se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të shpjegojë arsyen se përse u hartua dhe u nënshkrua kontrata në emër të prindërve të bashkëshortes për 2/3-at pjesë takuese, kur ata nuk ishin prezentë në Shqipëri. Nisur dhe nga konstatimi për mungesë burimesh, është arritur në përfundimin se subjekti është përpjekur të deformojë të vërtetën duke e vendosur në kushtet e deklarimit të rremë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë.
Kolegji vëren se megjithëse KPK arsyeton se sjellja e subjektit në raport me këtë pasuri, në këndvështrimin e një vëzhguesi objektiv, cenon besimin e publikut te drejtësia, në konkluzionin e saj, nuk e ka atribuuar këtë pasojë ligjore dhe nuk e ka konsideruar në vlerësimin tërësor të çështjes.
Mërkuri ka pretenduar se konkluzionet e Komisionit janë të gabuara, jo logjike dhe subjektive, pasi nuk ka asnjë sjellje specifike nga ana e tij që të manifestojë ndonjë qëllim për të pasqyruar fakte jo të vërteta apo të ndryshme, aq më tepër për të kryer deklarim të rremë apo për të tentuar fshehjen e pasurisë.
Trupi gjykues i Kolegjit vëren se, megjithëse Komisioni i ka bërë të njohur subjektit që në rezultatet paraprake të hetimit administrativ konstatimin mbi mungesën e prezencës së prindërve të bashkëshortes në datën e lidhjes së kontratës së shitblerjes së pasurisë, si dhe dyshimet për fshehje e deklarim të rremë, ai nuk ka paraqitur në prapësime e në ankim asnjë informacion më tepër dhe nuk paraqiti asnjë dokument provues mbi prezencën e prindërve të bashkëshortes në Shqipëri në datën e nënshkrimit para noterit.
Ky qëndrim i Mërkurit vlerësohet nga Kolegji se shkon në mbështetje të dyshimit të ngritur nga Komisioni, se prindërit e bashkëshortes nuk janë pronarët de facto të kësaj pasurie.
Për të legjitimuar ekzistencën e këtyre dyshimeve KPA ka verifikuar edhe konkluzionin tjetër të KPK, për pamundësinë e burimeve të ligjshme për mbulimin e çmimit të apartamentit.
Kolegji vëren se Komisioni konkluzionin për mungesën e burimeve të ligjshme për apartamentin e blerë në vitin 2011 e ka mbështetur në mungesën e provueshmërisë së një lidhjeje të drejtpërdrejtë të pagesës së çmimit të apartamentit të blerë në vitin 2011 me të ardhurat nga shitja e banesës në 2007-ën, të pretenduara si burim krijimi.
Trupi gjykues i Kolegjit konstaton se kontrata e shitblerjes e vitit 2011 vërteton likuidimin e çmimit te shoqëria ndërtuese, por jo kohën e saktë të pagimit dhe personin që e ka kryer atë.
Veprimet bankare të kryera nga bashkëshortja e subjektit lidhur me disponimin e vlerës 20 mijë euro duke e depozituar fillimisht këtë shumë në bankë e duke e tërhequr pas një dite nga sistemi bankar, vlerësohet se nuk e qartësojnë destinacionin e kësaj shume drejt shoqërisë ndërtuese. Së bashku me faktin e mosprekjes së llogarisë së përbashkët bankare me nënën e saj në datën e lidhjes së kontratës së shitblerjes në vitin 2011, Kolegji çmon se i lenë vend një tjetër elementi dyshues në drejtim të besueshmërisë së destinacionit të përdorimit të atyre të ardhurave.
Kolegji ka analizuar dhe burimin tjetër të deklaruar, nga të ardhurat e prindërve të bashkëshortes nga puna në SHBA. Sipas KPA, të ardhurat e prindërve të bashkëshortes sipas akteve të dorëzuara dëshmojnë për mundësi të ulët kursimi. Kolegji vlerëson se kjo situatë, e bënë dhe më të qenësishme ekzistencën e dyshimeve të ngritura lidhur me raportin e prindërve të bashkëshortes së subjektit të rivlerësimit me këtë pasuri.
Në përfundim, kolegji çmon se Mërkuri ka kryer fshehje pasurie. Këtë konkluzion e mbështet në faktet se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë në ndonjë mënyrë lidhjen e prindërve të bashkëshortes së tij me këtë pasuri; se kjo e fundit është sjellë si pronare e vetme, duke qenë prezente në lidhjen e nënshkrimin e kontratës së shitblerjes, si dhe në regjistrimin e apartamentit.
Komisioni ka konstatuar situatë të ngjashme dhe në blerjen e një automjeti të llojit Benz në vitin 2009, çmimi shitjes së të cilit është deklaruar si një prej burimeve për blerjen e një Audi në vitin 2015, kundrejt çmimit 1 milion lekë. Sipas KPK, subjekti e ka futur Benz-in në Shqipëri në maj të vitit 2009, por pa kryer zhdoganimin e tij – ndërkohë që ka realizuar rishtazi hyrjen e makinës në territorin shqiptar në shkurt të 2010-ës, por pa e dokumentuar daljen.
Kryerja e zhdoganimit sikur makina të kishte hyrë në shkurt të 2010-ës në territorin e Shqipërisë, konsiderohet jo vetëm në shkelje të praktikave normale duke shmangur detyrimet doganore, por edhe si paraqitje e fakte të pavërteta. Megjithëse kjo rrethanë ka ndodhur kur subjekti nuk ishte emëruar ende si prokuror, Komisioni ka çmuar ta konsiderojnë në vlerësimin tërësor lidhur me shkallën e besueshmërisë së tij.
Subjekti ka kundërshtuar konkluzionin e Komisionit lidhur me cenimin e besimit të publikut, duke parashtruar se një konkluzion i tillë duhet të jetë tepër i argumentuar dhe nuk mund të jetë formal e subjektiv.
Veprimet e mosveprimet e subjektit në kundërshtim me ligjin, vlerësohen se tregojnë një qasje të gabuar në raport me respektimin e ligjit dhe përbëjnë një sjellje jo të denjë për një funksionar të drejtësisë. Megjithatë, duke mbajtur në konsideratë faktin se cenimi i besimit të publikut lidhet ngushtësisht me veprime a mosveprime të kryera nga subjektet e rivlerësimit gjatë periudhës që kanë qenë duke ushtruar detyrën e gjyqtarit apo prokurorit, shkeljet gjatë kohës që Mërkuri ka qenë oficer i policisë gjyqësore konsiderohen të pamjaftueshme për të sjellë penalizim.
Mërkuri është gjetur në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe për një truall me sipërfaqe 640 m2.
Komisioni ka konstatuar se subjekti ka deklaruar kosto jo reale të ndërtimit të një shtese në një apartament në Sarandë, por Mërkuri ka kundërshtuar duke e konsideruar të marrë apriori, të paarsyetuar dhe të pabazuar. Kolegji vëren se vlera e deklaruar nga subjekti nuk përputhet me atë të pasqyruar në kontratën e ndërtimit. Për rrjedhojë arrihet në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë në deklaratën e pasurisë veting në lidhje me vlerën e ndërtimit të shtesës.
KPK ka arritur në konkluzionin se subjekti nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e një apartamenti, zyre dhe trualli në Sarandë, por KPA e gjen të pambështetur këtë konkluzion.
Po ashtu, Kolegji e ka gjetur të bazuar dhe një tjetër pretendim të subjektit lidhur me konstatimin e KPK për mosdeklarimin e një garazhi në deklaratën periodike. Kolegji vëren se kjo pasuri është shënuar në deklaratën veting. Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se në kushtet kur Mërkuri nuk është ngarkuar me ndonjë përgjegjësi disiplinore në kuadër të deklaratës së pasurisë veting, konkluzioni në favor të tij nuk mund të bëjë të cënueshëm vendimin e Komisionit, si dhe se është pa afekt në drejtim të kriterit të pasurisë.
Në përfundim, Kolegji arrin në konkluzionin se prokurori Mërkuri kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë.
Figura dhe profesionalizmi
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka ngritur dyshime për përfshirje të Mërkurit në veprime korruptive në disa procese penale. Gjithashtu janë ngritur dyshime për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
Nga verifikimi i fashikujve të çështjeve penale për të cilat janë ngritur dyshime nga DSIK, Komisioni ka konkluduar se subjekti nuk ka përmbushur funksionet e prokurorit në disa raste, pasi ka vendosur mosfillim procedimi penal pa kryer hetime shteruese.
Megjithëse Komisioni konkludon se nuk është provuar që Mërkuri të ketë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, vlerëson se ai, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka krijuar kushtet e klimës së pandëshkueshmërisë në sytë e publikut, duke cënuar besimin e publikut te drejtësia.
Subjekti ka kundërshtuar duke pretenduar se KPK nuk ka kryer hetime në lidhje me kontrollin e figurës duke paraqitur vlerësime joligjore dhe abuzive të një organi jo të pavarur si DSIK-ja. Ai ka këmbëngulur se edhe konkluzioni për cenim të besimit të publikut është haptazi në kundërshtim me ligjin.
Kolegji vëren se Komisioni nuk ka ngarkuar me përgjegjësi subjektin lidhu me kontrollin e kriterit të figurës.
Mangësitë e konstatuara në veprimet procedurale është çmuar të konsiderohen në drejtim të aftësive profesionale.
Lidhur me pretendimin se Komisioni ka paraqitur vlerësime joligjore dhe abuzive të një organi jo të pavarur si DSIK-ja, KPA sjell në vëmendje se shkalla e parë e vetingut ka mbajtur një qëndrim të pavarur, që dëshmohet nga fakti se subjekti nuk është konsideruar i papërshtatshëm për figurën.
Mangësitë e konstatuara në aspektin profesional, përfshirë dhe ato në procedimet e trajtuara në kriterin e pastërtisë së figurës, konsiderohen të tilla që e bëjnë Mërkurin të papërshtatshëm nga nga pikëpamja e aftësive profesionale.
Ashtu si KPK dhe Kolegji ka konstatuar mangësi profesionale, si moskryerje të hetimeve e mungesë të veprimeve procedurale. Sipas KPA, në një rast, si pasojë e moskryerjes së hetimeve dhe mos përmbushjes së detyrimeve kushtetuese procedurale nga ana e subjektit, ka rezultuar se ai i ka hequr lirinë një qytetari të pafajshëm.
Në përfundim, Kolegji arrin në konkluzionin se prokurori Lorenc Mërkuri ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe se rezultoi i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale. Për rrjedhojë është lënë në fuqi vendimmarrja e Komisionit për shkarkimin e tij.