Federico Dimarco ishte protagonist absolut në ndeshjen kundër Napolit me golin e tij fantastik të shënuar në “Diego Maradona”. Por anësori i majtë i Interit, një nga shtyllat e kësaj skuadre, u pa të dilte i dëmtuar nga fusha e lojës kundër napolitanëve, duke sjellë një rënie të ndjeshme të lojës së zikaltërve pas zëvendësimit.
Rënie që skuadra rrezikon ta pësojë edhe në ndeshjet e radhës, duke filluar te ajo e kësaj mesjave ndaj Feyenoord në Ligën e Kampioneve. Interi në faqen zyrtare të saj bën të ditur se Dimarco ka një problem muskulor i cili nuk rikuperohet në kohë për këtë sfidë dhe me shumë mundësi as për atë të kthimit një javë më vonë.
Madje mediat e huaja raportojnë se Dimarco mund të mungojë për rreth 3 javë, çka do të ishte një goditje e madhe për Interin,
Kështu, Interi duhet të bëjë në këtë raund të Championit pa një prej emrave kryesorë të tij, i cili ka si objektiv të jetë në gatishmëri për Inzaghin për ndeshjen shumë të rëndësishme për luftën për titull ndaj Atalantës pas dy javësh.
Gjithsesi, në klub nuk duan të sforcojnë e rrezikojnë një dëmtim afatgjatë të një prej lojtarëve më cilësorë që kanë në përbërje.














