Real Madrid hyn në ndeshjen e parë të 1/8-ve të Ligës së Kampionëve në një situatë delikate. Humbja ndaj Betisit ka lënë gjurmë në ekipin e Ancelottit, pikërisht përpara një sfide ndaj një rivali që gjithmonë e ka mposhtur në Kupën e Europës, por që mbetet duel i vështirë dhe i paparashikueshëm.
Në një moment kur lodhja fizike po ndikon në ekip, Reali përballet me këtë sfidë pa Jude Bellingham, i cili është i pezulluar, ndërsa pesë lojtarë të tjerë rrezikojnë të humbasin ndeshjen e kthimit në “Metropolitano” nëse ndëshkohen me një karton të verdhë.
Në këtë listë janë Camavinga, Endrick, Modric, Tchouaméni dhe Rüdiger. Në të njëjtën situatë është edhe Militao, por mbrojtësi brazilian është i dëmtuar dhe nuk do të jetë i disponueshëm. Bellingham bëhet lojtari i dytë që plotëson ciklin e tre kartonëve të verdhë, pas Vinicius, i cili mungoi në transfertën ndaj Brest.
Në krahun tjetër, Atlético Madridi ka vetëm dy lojtarë që rrezikojnë ta humbasin ndeshjen e kthimit: Correa dhe Giménez. Në rastin e mbrojtësit uruguajan, ai po plotëson ciklin e dytë të kartonëve, që do të thotë se ka nevojë për vetëm dy të verdhë për të marrë një ndeshje pezullim.
Nëse ndëshkohet në “Bernabéu”, nuk do të luajë në “Metropolitano”. Për më tepër, nëse Atlético Madridi kalon në çerekfinale, një tjetër karton i verdhë në ndeshjen e parë do ta penalizonte atë edhe për kthimin.
Cikli i kartonëve të verdhë fshihet pas përfundimit të çerekfinaleve, duke garantuar që lojtarët të hyjnë në gjysmëfinale “të pastër”, për të mos rrezikuar mungesa të rëndësishme në finale.
Ndeshja në “Santiago Bernabéu” do të gjykohet nga Clement Turpin, i cili këtë sezon, në 5 ndeshje të Ligës së Kampionëve, ka akorduar 8 kartonë të verdhë. Katër prej tyre i dha në përballjen mes Dinamo Zagrebit dhe Borussia Dortmundit. Ndërkohë, në sfidat Manchester City-Real Madrid dhe Aston Villa-Celtic, nuk nxori asnjë karton.














