Një grup familjesh dhe fëmijësh nga Uzbekistani, Kina Afganistani Rusia dhe vende të tjera zbritën nga avioni, në kryeqytetin e Kosta Rikës të enjten fluturimi i parë me në bord të dëbuar nga vende të tjera, të cilët Kosta Rika ka pranuar që t’i mbajë në qendra ndalimi ndërsa administrata e Presidentit Trump bën organizimet e nevojshme për t’i kthyer ata në vendet e origjinës.
Në avion gjendeshin 135 të dëbuar, shumica prej tyre minorenë. Me këtë fluturim, Kosta Rika i shtohet një liste në rritje të vendeve të Amerikës Latine që do të shërbejnë si një pikë ndalese për emigrantët, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump kërkon të rrisë dëbimet.
Ndërsa Kosta Rika i bashkohet Panamasë në mbajtjen e të dëbuarve kryesisht me origjinë aziatike derisa të organizohet kthimi i tyre në atdhe, apo ata të kërkojnë mbrojtje diku tjetër, ditën e enjte Hondurasi lehtësoi dorëzimin e dëbuarve mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës nga një fluturim që vinte nga Gjiri i Guantanamos.
Emigrantët që mbërrijnë nga Kosta Rika do të transportohen me autobus në një qendër paraburgimi në kufi me Panamanë, ku do të mbahen deri në 6 javë dhe më pas do të kthehen me avion në vendet e origjinës, tha Omer Badilla, zëvendës Ministër për Punët e Brendshme dhe të Rendit. Shpenzimet do të mbulohen nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Ky proces është pjesë e marrëveshjes që administrata e presidentit Donald Trump arriti me Kosta Rikën gjatë vizitës së Sektetarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, më herët gjatë këtij muaji. Marrëveshja ndodh ndërsa Trump ka ushtruar trysni ndaj vendeve përgjatë rajonit që sipas rastit, të ndihmojnë lehtësimin e dëbimeve, ndryshe mund të përballen me tarifa të larta ose me sanksione.
Hondurasi njoftoi të enjten se ata gjithashtu kishin lejuar të shërbejnë si ndalesë për një aeroplan me shtetas të dëbuar të Venezuelës, nga Gjiri i Guantanamos, gjë që ata e përshkruan si “urë humanitare” meqë nuk ka fluturime direkte ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës.