Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se stabiliteti në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi, është në interes të të gjithëve dhe nuk sheh arsye të besojë që mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në aleancën ushtarake perëndimore.
Ai këto komente i bëri gjatë qëndrimit në Bratisllavë të Sllovakisë, kur u pyet në një debat me student se a e sheh mundësinë e rifillimit të konfliktit në Kosovë, pasi ka pasur thashetheme se politika e re amerikane mund të çojë deri te largimi i tyre ushtarak.
NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Ky mision, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Në Sllovaki, udhëheqësi i aleancës ushtarake perëndimore foli edhe zgjedhjet parlamentare në Kosovë, që u mbajtën më 9 shkurt.
“Kemi pasur rishtazi zgjedhje në Kosovë. Rezultati përfundimtar ende nuk është finalizuar, por është e qartë që partia kryesore e cila aktualisht qeverisë Kosovën, mund të ketë nevojë për një koalicion. Le të shohim se si do të zhvillohet kjo. Formimi i koalicioneve është pjesë e procesit normal demokratik”, tha shefi i NATO-s.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, ka fituar 40.80 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63 për qind të votave, koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate ka marrë 7.46 për qind të votave, si dhe Lista Serbe 4.61 për qind të votave.
Pas përfundimit të procesit të votimit, shefi i NATO-s kishte deklaruar se aleanca do të punojë me këdo që do ta udhëheqë Kosovën.
Gjatë ngjarjes në Sllovaki, Rutte foli edhe për kujdesin që NATO-ja ka për situatën në Bosnje e Hercegovinë.
“Sigurisht, ne dimë se ka disa çështje që duhet të jemi shumë të kujdesshëm në Bosnje si dhe në marrëdhëniet në rajon. Pra, hap pas hapi, ne me të vërtetë po përpiqemi të ruajmë stabilitetin dhe është e rëndësishme sepse është një rajon që ka një histori të jostabilitetit. Fatmirësisht, ne tani për shumë vite kemi një stabilitet të qëndrueshëm në atë pjesë të Evropës, në Ballkanin Perëndimor, dhe ne duhet ta ruajmë atë”, tha Rutte.