Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen 5D të drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për abuzim me tenderat.
Lajmin e kanë konfirmuar avokatët mbrojtjes, ndërsa mësohet se të pandehurit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.
Seanca e radhës është caktuar më 21 shkurt në orën 12:00. Redi Molla dhe Mariglen Qato do të gjykohen në këtë proces për veprat penal të korrupsionit pasiv, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.
Ndërkohë Taulant Tushe, Nestor Muhametllari, Albano Janku, Julian Zanaj dhe Enton Punavia do të gjykohen për shkelje të barazisë në tendera.
- HETIMET
Së pari, nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës kur i pandehuri, Redi Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi, të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a.
Në këto procedura prokurimi i pandehuri Redi Molla ka pasur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, përbërjen e Njësisë së Prokurimit, përbërjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (duke caktuar në katër raste si anëtar të këtij komisioni të pandehurin Mariglen Qato, i cili është ortaku tjetër indirekt i shoqërisë), ka nënshkruar kontratat e sipërmarrjes, ka kryer çdo veprim tjetër që lidhet me cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me shoqërinë tregtare në zotërim të tij.
Së dyti, është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës kur Mariglen Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) nga procedurat e prokurimit të përmëndura më sipër.
Në këto procedura prokurimi, i pandehuri Mariglen Qato ka pasur cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qënë pjesë në marrjen e vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për shoqërinë tregtare në zotërim të tij në mënyrë indirekte.
Së treti, nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në 3 (tre) procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor, Bashkia Tiranë, si dhe në 2 (dy) procedura të tjera prokurimi të organizuara nga autoritetet kontraktore “Tirana Parking” sh.a dhe “Klubi Sportiv Tirana” sh.a.
Nga hetimet është provuar fakti se i pandehuri Taulant Tusha në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe të pandehurit Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albanon Janku në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në tre procedurat e prokurimit të organizuara nga Bashkia Tiranë, kanë favorizuar dhe i kanë krijuar shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik.
Së katërti, nga veprimet hetimore të kryera, nga analiza e hetimit financiar dhe akti i ekspertimit të kryer nga eksperti kontabël është provuar fakti se në 12 (dymbëdhjetë) procedurat e prokurimit që janë përfituar nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e prokurimit publik, kjo shoqëri tregtare ka realizuar përfitime monetare në total në shumën 192,779,188 lekë.
Në bazë të nenit 36/1, shkronja (b) të Kodit Penal shuma monetare e mësipërme përbën produkt të veprave penale të parashikuara nga nenet 258 dhe 259 të Kodit Penal, pasi përbën “pasuri” që rrjedh dhe që është fituar në mënyrë të tërthortë nga kryerja e veprave penale, duke përfituar shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k në mënyrë të parregullt kontratat publike, si dhe duke nxjerrë më pas fitime monetare nga zbatimi i këtyre kontratave publike.
Shumat monetare të mësipërme që përbëjnë produkt të veprës penale pjesërisht janë nxjerrë nga sistemi bankar duke përdorur skemën e pagesës së faturave fiktive dhe janë depozituar përsëri më pas në gjëndje “cash” në arkën e shoqërisë. Më pas këto shuma u janë dhënë pronarëve de facto të shoqërisë tregtare, janë përdorur për të financuar blerjen e pasurive prej tyre, apo për aktivitete të tjera të shoqërisë. Ndërsa, pjesa tjetër e shumave monetare që përbëjnë produkt të veprës penale është përdorur për të financuar aktivitetin tregtar të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.
Së pesti, gjatë hetimeve paraprake është kryer hetimi i plotë financiar dhe pasuror për aktivitetin e shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, për pasuritë në zotërim të personave nën hetim dhe të afërmit e tyre, për mënyrën e qarkullimit të shumave monetare të përfituara nga realizimi i kontratave publike të fituara në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e prokurimit publik.
Me vendimin nr.388, datë 05.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ëshë vendosur masa e sigurimit pasurore “Sekuestro preventive” për pasuritë e mëposhtme:
1) Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si person juridik që është përdorur për kryerjen e veprave penale dhe subjekt tregtar në të cilin janë riinvestuar produktet e veprës penale. Në momentin e sekuestrimit vlera e aktivëve afat-gjatë të shoqërisë tregtare 148,884,372 lekë.
2) Pasuri të paluajtshme në zotërim të të pandehurve, Redi Molla, Mariglen Qato dhe të afërmëve të tyre, të financuara plotësisht apo pjesërisht nga të ardhura me burime financimi që përbëjnë produkte të veprës penale, me vlerë totale prej rreth 107,989,000 lekë.
3) Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k dhe 24% e kuotave në shoqërinë “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me vlerë të aksioneve dhe të drejtave të pagueshme, në total rreth 77,273,000 lekë, si pasuri me vlerë të barazvlefshme me produktet e veprës penale.
Për pasuritë e tjera të luajtshme apo të paluajtshme në zotërim direkt apo indirekt të të pandehurve dhe të afërmve të tyre, për të cilat ka të dhëna se nuk justifikohen me të ardhura nga burime të ligjshme, është rregjistruar referimi pasuror nr.29 viti 2024 dhe do të vijojnë të kryhen verifikimet pasurore në bazë të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar.