Qytetet tona janë të ndotura dhe të mbipopulluara, por mbjellja e pemëve në hapësira urbane zvogëlon ndotjen përmes përthithjes së gazeve serë, menaxhimit të ujërave të shiut dhe reduktimit të temperaturave. Zonat urbane të gjelbëruara në Tiranë ofrojnë vetëm 0,1-0,2 metra katrorë hapësirë të gjelbër për banor pranë zonave ku ata banojnë, krahasuar me standardin prej 9 metrash katrorë të këshilluar nga OBSH.
Aktualisht, mbi 52% e popullsisë së Shqipërisë jeton në zona urbane, ku vetëm Tirana, sipas INSTAT, përqendron rreth 900,000 banorë. Në këtë kontekst të urbanizimit të shpejtë, krijimi i mikro-pyjeve urbane paraqitet si një zgjidhje inovative dhe efektive. Këto mikro-pyje jo vetëm që mund të ndihmojnë në kompensimin e humbjeve pyjore në shkallë kombëtare, por gjithashtu kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe jetës së banorëve në zonat urbane.
Një studim i fundit ka zbuluar një realitet shqetësues në një prej zonave më të gjelbëruara të Tiranës: hapësira e gjelbër për banor është shtatë herë më e ulët se norma e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Zona në studim gjendet në veriperëndim të qendrës së qytetit të Tiranës, e shtrirë në një hapësirë 48 ha (rreth 11,000 banorë), ndërmjet Bulevardit Zog I, Rrugës së Durrësit, Asim Vokshit dhe Dedë Gjo Luli (Fig. 1). Është pjesë e Njësive administrative 9 dhe 10.
Kjo zonë ofron vetëm 1.23 metra katrorë hapësirë të gjelbër për banor, krahasuar me standardin prej 9 metrash katrorë të këshilluar nga OBSH.
Më shqetësuese është tendenca në rënie e këtyre hapësirave në vetëm 13 vite, zona ka humbur 40% të sipërfaqes së saj të gjelbër. Ndërsa Bashkia Tiranë raporton një mesatare prej 37 metrash katrorë për banor në të gjithë territorin e saj, ekspertët paralajmërojnë se kjo statistikë është çorientuese pasi përfshin zona të gjera rurale, duke maskuar realitetin e vështirë në zonat urbane ku jetojnë mbi 900,000 banorë. Në vitin 2021 është kryer një vrojtim i kombinuar (terren-harta satelitore) mbi ndryshimet dhe tjetërsimet në nivel të sipërfaqes së tokës në zonën urbane të Tiranës duke konsideruar si pikënisje vitin 1989. Disa nga gjetjet e këtij proçesi kërkimor janë:
Qyteti është i koracuar në masën 89% të sipërfaqes krahasuar me 63% që ka qënë në 1989.
Mbi 54 ha sipërfaqe e gjelbëruar është tjetërsuar përfundimisht.
Janë të paktën 28 parqe dhe fusha sportive të cilat janë tjetërsuar totalisht.
Parku i Liqenit Artificial-Kopshtit Botanik është reduktuar me 32% të sipërfaqes së tij origjinale.
Natyra vetë na ofron zgjidhjet më efektive për të përballuar krizën klimatike. Megjithatë, shfrytëzimi i plotë i këtyre zgjidhjeve natyrore kërkon më shumë se thjesht njohjen e potencialit të tyre, kërkon veprim të koordinuar dhe të qëndrueshëm.
Teknika e Pyllëzimit Miyawaki, e zhvilluar nga botanisti dhe eksperti i njohur japonez i ekologjisë së bimëve, Profesor Akira Miyawaki në vitet 1970, është shndërruar në një model global për krijimin e mikro-pyjeve urbane.
Veçantia e kësaj teknike qëndron në krijimin e pyjeve të dendur dhe të qëndrueshëm në hapësira minimale prej vetëm nëntë metrash katrorë. Karakteristikë thelbësore e metodës është përdorimi ekskluziv i specieve vendase, të përshtatura natyrshëm me ekosistemin lokal. Kjo qasje siguron një zhvillim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të pyllit. Studimet tregojnë se këto mikro-pyje rriten deri në 10 herë më shpejt se pyjet tradicionale monokulturore, duke arritur pjekurinë e plotë brenda 20-30 viteve.
Gjithashtu, ka kërkime që rrëfejnë se qytetet evropiane si Oslo, Lubjana, Kopenhaga, Boni, po praktikojnë forma të avancuara të qeverisjes së përbashkët të hapësirave publike të gjelbra. Ky model karakterizohet nga një vendimmarrje gjithëpërfshirëse ku çdo ndryshim i planifikuar kalon fillimisht përmes autoriteteve lokale dhe më pas përmes votimit qytetar. Programet edukative në shkollat fillore dhe të mesme luajnë një rol të rëndësishëm duke angazhuar nxënësit në mirëmbajtjen sezonale dhe zhvillimin e përgjegjësisë qytetare. Qasja synon forcimin e demokracisë lokale dhe krijimin e një lidhjeje më të ngushtë midis qytetarëve dhe hapësirave publike.
Pavarësisht përfitimeve të mikro-pyjeve urbane, ekzistojnë edhe sfida që lidhen me rritjen e tyre në qytete. Ekspozimi ndaj ndotësve, temperaturave të larta dhe thatësirave mund të pengojë zhvillimin e rrënjëve të thella dhe të rrisë rrezikun e sëmundjeve.
Megjithatë, asnjë nga këto sfida nuk është e pakalueshme. Me kalimin e kohës, mikro-pyjet urbanë mund të luajnë një rol kyç në reduktimin e ndotjes dhe transformimin e qyteteve në vende më të këndshme për të jetuar.
Përdorimi i specieve vendase është më i përshtatshëm në gjelbërimin urban duke sjell përfitime të shumëfishta. Bimë si rrapi, panja, frashëri, gështenja, caraca, bliri, arra, dafina, vidhi, shega, lofata, gështenja e kalit, leandri dhe ulliri janë veçanërisht të përshtatshme për kushtet tona. Këto specie jo vetëm që janë më rezistente ndaj klimës më të nxehtë, sëmundjeve dhe dëmtuesve lokalë, por kërkojnë edhe kosto më të ulëta në prodhimin e fidanëve. Shumë prej tyre ofrojnë cilësi estetike më të mira krahasuar me llojet ekzotike të përdorura aktualisht në zonë. Për më tepër, këto bimë vendase krijojnë habitate natyrale për shpendët dhe gjitarët e vegjël, duke kontribuuar kështu në biodiversitetin urban dhe duke krijuar hapësira më relaksuese për banorët e qytetit.
“Akset kryesore të qytetit janë tanimë historikisht të gjelbëruara dhe ndonëse ka një qasje të kombinuar midis estetikës dhe shërbimeve të ekosistetmit, do të ishte me interes që këto akse të shndërrohen në rripa të gjelbëruar me kombinim të vegjetacionit të ulët dhe të mesëm përkarshi pemëve ekzistuese.
Nisur nga nevoja dhe niveli cenushmërisë, do të nisja me pyllëzimin e perimetrit të të gjithë institucioneve arsimore në Tiranë, si një masë e domosdoshme për të nxitur ndërgjegjësimin e moshës së re karshi natyrës dhe më tutje për të reduktuar sadopak ndotjen e ajrit dhe atë akustike të cilat nuk lejojnë një mbarvajtje optimale të procesit mësimor.
Më tutje do të ishte me interes të vlerësohej zona përreth stacioneve të autobusëve, poliklinikave ambulante, rrugica të cilave u mungojnë madje edhe trotuarët ndërkohë që lejohet qarkullimi dhe parkimi mjeteve.
Më tutje, hapësirat midis godinave të banimit, sidioms ato “lagje” të cilat kanë ruajtuar deri diku të paprekur strukturën urbane origjinale do duhet të ri-organizohen për të zhvendosur prioritetin nga kafe-parkim, në park-fusha sportive ku gjen vend edhe krijimi i mikro-pyjeve, të cilat janë të aksesueshme nga të gjitha moshat dhe tërësisht publike.” shprehet Rodion Gjoka ekspert mjedisi.
Shërbimet e ekosistemit urban:
Hapësirat e gjelbra në zonat urbane shërbejnë si mushkëri jetike për qytetet tona, duke ofruar një spektër të gjerë përfitimesh mjedisore dhe sociale. Në aspektin mjedisor, këto hapësira veprojnë si filtra natyrorë që pastrojnë ajrin, reduktojnë ndotjen akustike dhe zbutin ekstremitetet e temperaturës. Ato gjithashtu luajnë një rol kyç në ruajtjen e biodiversitetit urban, duke krijuar ekosisteme të qëndrueshme brenda betonit të qytetit.
Ndërsa vlera e tyre ekonomike shpesh nuk reflektohet drejtpërdrejt në llogaritë bankare të bashkive apo qytetarëve, hapësirat e gjelbra sjellin përfitime të konsiderueshme financiare përmes kapacitetit të tyre për të ruajtur ujin, sekuestruar dioksidin e karbonit dhe reduktuar konsumin e energjisë. Më e rëndësishmja, këto oaza urbane kontribuojnë në mënyrë të matshme në shëndetin mendor të banorëve, duke ulur nivelet e stresit dhe përmirësuar humorin e përditshëm të qytetarëve.
Sipas studimit Mushkëri të Gjelbra në zonën me dëndësi më të lartë banimi në Tiranë (700ha) janë rregjistruar rreth 17000 pemë të ndryshme të cilat ofrojnë shërbime ekosistemi, niveli i të cilave nuk arrin as të absorbojnë ndotjen vjetore që çlirohet vetëm nga flota prej 315 autobusëve të Transportit Publik.
Drurët dhe shkurret veprojnë si rregullatorë natyrorë të temperaturës në mjediset urbane, duke krijuar një sistem efikas të menaxhimit të energjisë për ndërtesat përreth. Përmes proceseve natyrore si hijezimi, zbutja e temperaturave ekstreme, thyerja e erërave dhe transpirimi i avujve nga gjethet, bimët ndihmojnë në reduktimin e ndjeshëm të konsumit të energjisë për ngrohje dhe ftohje.
Megjithatë, analizat e detajuara të parametrave mjedisorë tregojnë një realitet shqetësues. Nivelet aktuale të ndotësve në ajër (grimcat, CO2, dhe NO2) dhe zhurma vazhdojnë të qëndrojnë mbi normat e lejuara, ndërsa nevojat për oksigjen dhe menaxhimin e ujërave të shiut tejkalojnë ndjeshëm kapacitetin e hapësirave të gjelbra ekzistuese. Kjo situatë kërkon veprim të menjëhershëm për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në këto zona urbane, si një domosdoshmëri për garantimin e një mjedisi të shëndetshëm jetese.
Shëmbull, nga rasti i Mushkëri të Gjelbra për 17000 pemë në Tiranë merren çdo vit këto shërbime ekosistemi:
Çlirohen 2131.4 ton/vit O2 ekuivalente me 159500 EUR.
Sekuestrohet një sasi prej 1634.14 ton/vit CO2 ekuivalente me 84000$.
Kursehen rreth 2567MW/vit energji ekuivalente me 250000$.
Absorbohen rreth 236570m3/vit ujë shiu ose ekuivalent i një kostoje për kapjen dhe trajtimin e tyre sikundër edhe evitimin e përmbytjeve 650500$.
Pra, përfitimet vjetore nga shërbimet e ekositemit të fondit prej 17000 pemësh në Tiranë arrijnë vlerën e mbi 1,1 mln $ ose mesatarisht rreth 70$ shërbime vjetore të ekosistemit nga çdo pemë./ Klima.al