Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka pohuar se fentanili ilegal, i shitur rrugëve, është një prej arsyeve kryesore për tarifat tregtare që ai ka vendosur ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës, këtë javë.
Ndaj dy të parave, shtete fqinje, ai tha se ka vendosur të pezullojë për një muaj vendosjen e tarifave të planifikuara, pas negociatave në momentet e fundit me to.
Në një komunikatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, opioidi sintetik fajësohet për shkaktimin e një “emergjence kombëtare”, për të cilën, sipas saj, duhej merreshin masa të forta.
Çfarë është fentanili?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), fentanili është një opiod i fuqishëm sintetik, që përdoret për lehtësimin e dhimbjeve dhe për anestezion. Ai konsiderohet se është 50 deri në 100 herë më i fuqishëm sesa morfina.
OBSH-ja e ka fentanilin në listën e barnave esenciale, dhe ai gjendet edhe në listën e barnave narkotike të regjistruara për qarkullim në Kosovë, sipas Agjencisë Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Sipas Qendrave amerikane për Kontollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, janë dy lloje të fentanilit: farmaceutik dhe ai i krijuar ilegalisht.
Fentanili mjekësor, sipas këtyre qendrave, prodhohet nga kompani farmaceutike dhe përdoret në operacione apo për të trajtuar dhimbjet e mëdha, kryesisht të pacientëve me kancer. Ai mund të jetë në formë të fllasterëve apo në formë të tabletave.
Ndërkaq, fentanili që krijohet në mënyrë ilegale kryesisht gjendet në formë të pluhurit, apo i shtypur në formë të tabletës. Ai mund të tymoset, thithet me hundë, injektohet apo gëlltitet.
“Fentanili dhe barnat analoge të ngjashme në aspektin kimik [përfshirë karfentanilin, aketifentanilin, butirfentanilin dhe furnail fentanilin] janë të lidhura me rritjen e vdekjeve nga mbidozat me opioide. Ka dëshmi se trafikantët e drogës mund të jenë duke shtuar fentanilin për të rritur fuqinë e produkteve të tyre [sikurse heroina] dhe e shesin fentanilin në formë të tabletave dhe i bëjnë të duken si barna të zakonshme. Prandaj, shumë përdorues dalin pozitiv në testet për fentanil dhe për barnat e tjera analoge, dhe nuk e dinë se ku e kanë marrë këtë substancë”, thuhet në ueb-faqen e OBSH-së.
Si është situata me fentanilin në SHBA?
Fentanili shkakton vdekjen e dhjetëra mijëra personave në SHBA çdo vit, dhe shteti e ka shpallur epidemi përdorimin e barnave opioide.
Gjatë dekadës së fundit, fentanili me shpejtësi është bërë një nga ilaçet më vdekjeprurëse në SHBA, sipas Associated Press, që ka cituar të dhëna nga autoritetet në luftën kundër drogave.
Më 2022, dy e treta e mbidozave – pothuajse 74.000 raste – u shkaktuan nga opioidet sintetike, kryesisht fentanili.
Kjo substancë u shfaq në tregun e zi amerikan më 2014, sipas Reuters. Fillimisht, ishte dërguar kryesisht nga Kina, përmes postës, deri më 2019, kur Pekini, nën presionin amerikan, e klasifikoi si substancë të kontrolluar.
Atëbotë, shërbimi postar amerikan rriti monitorimin, përfshirë gjurmimin elektronik të të dhënave për më shumë dërgesa ndërkombëtare, dhe hetoi transaksionet në tregjet e paligjshme në internet.
Që atëherë, organizatat kriminale meksikane kanë marrë tregun dhe janë bërë trafikantët kryesorë të fentanilit në SHBA.
Trafikimi i kësaj substance është përmendur 12 herë në urdhrin ekzekutiv të nënshkruar javën e kaluar nga presidenti Donald Trump, për vendosjen e tarifave ndaj disa shteteve, me qëllim që, veç tjerash, të ndalet trafikimi i kësaj substance. Kjo substancë është identifikuar si problem kombëtar në SHBA.
Përmes këtij urdhri ekzekutiv, SHBA-ja ka fajësuar Kinën se nuk po ndërmerr masat e nevojshme për të ndalur “dërgesat e substancave kimike që përdoren për prodhimin e drogave, te kartelet e caktuara kriminale”.
Meksika është akuzuar se u ofron “strehë të sigurt karteleve që përfshihen në prodhimin dhe transportimin e substancave të rrezikshme narkotike, që kanë çuar në vdekje e qindra mijëra amerikanëve nga mbidoza”.
Ndërkaq, akuzat ndaj Kanadasë kanë të bëjnë me dështimin për të parandaluar “praninë e karteleve meksikane që operojnë laboratorë për fentanil dhe nitazen sintetikë në Kanada”.
Të tri këto shtete kanë mohuar akuzat e SHBA-së. Kina ka thënë se “e mbështesim SHBA-në sa i përket çështjes së fentanilit”, por ka vlerësuar se në fund të fundit “fentanili është problemi i Amerikës”.
Meksika i ka kërkuar SHBA-së që të kufizojë trafikimin e armëve të paligjshme në Meksikë, që sipas presidentes së shtetit, Claudia Sheinbaum, po nxisin dhunën e karteleve.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka hedhur poshtë pretendimet e Shtëpisë së Bardhë, duke pretenduar se më pak se 1 për qind e fentanilit që hyn në SHBA e ka origjinën nga Kanadaja.
A përdoret fentanili në Kosovë?
Ndonëse përdorimi i fentanilit në Shtetet e Bashkuara po konsiderohet problem kombëtar, teksa ky shtet po ndërmerr hapa për ta luftuar trafikimin e kësaj substance, në Kosovë nuk ka të dhëna se është regjistruar ndonjë rast i përdorimit të saj.
Safet Blakaj, drejtor i Qendrës për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë “Labirint” në Kosovë, tha se, ndonëse ata nuk kanë të dhëna se në Kosovë ka raste të përdorimit të kësaj droge, kjo qendër ka nisur të marrë masa.
“Ne nuk kemi informacione që dikush në Kosovë e përdor këtë drogë. Por, po mundohemi të bëjmë një mbikëqyrje, edhe kur ua bëjmë testet klientëve tanë, po e fusim edhe testin për fentanil, se mos përmes drogave të tjera po përdoret”, tha Blakaj për Radion Evropa e Lirë.
Nga Policia e Kosovës, deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse kanë hasur në raste të kontrabandës së këtij ilaçi, apo nëse ai shitet në tregun e zi në vend.
Blakaj tha se, sa i përket fentanilit medicinal, ndonëse është i lejuar në Kosovë, qendra e tij ka shikuar nëse ka në barnatore, dhe nëse qasja në to është e lehtë, por së fundi nuk ka hasur në to.
“Këto në barnatore vështirë gjenden. Ne kemi shikuar. Ka pasur moti disa fllasterë që vendosen në lëkurë. Por, tani nuk kemi gjetur”, tha ai.
A është i përhapur fentanili në rajon?
Blakaj tha se, me aq sa qendra e tij ka informacione, nuk ka raste të përdorimit të fentanilit jomjekësor në shtetet fqinje: Serbi, Mal i Zi, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut.
Ai shtoi se druan që ka tendencë që kjo substancë të vijë në Kosovë, duke u përzier me droga të tjera që trafikohen në Kosovë, sikurse heroina, andaj kërkoi vigjilencë, pasi e konsideroi si substancën më të fuqishme të krijuar deri më tani.
Por, në Bullgari, kryetarja e bordit të Qendrës për Politika Humane dhe kryetare e qendrës për mbështetjen e personave me varësi, “Shtëpia Rozë”, Yulia Georgieva, shkroi në Facebook më 28 janar se sipas përdoruesve të drogave, fentanili po shitet në tregun e zi, me gjasë i përzier me substanca të tjera.
“Edhe sasia më e vogël mund të jetë vdekjeprurëse, dhe trafikantët nuk janë në gjendje që ta matin dozën siç duhet”, tha Georgieva.
Në Bullgari, për herë të parë më 2023, kishte pasur raportime për dhjetë vdekje që ndodhën brenda një periudhe të shkurtër kohore në Varna. Sipas qendrave të pavarura për rehabilitimin e drogave, këto vdekje u shkaktuan nga fentanili.
Atëbotë, Ministria e Brendshme bullgare tha se prania e kësaj substance ishte sporadike në Bullgari, dhe se shumica e rasteve kishin të bënin me vjedhjen e substancave nga dërgesat e ligjshme të substancave për përdorim mjekësor./REL