Në një kohë kur titulli “influencer” supozohet të nënkuptojë ndikim pozitiv, inspirim dhe përçim vlerash, disa figura publike shqiptare kanë zgjedhur një rrugë të kundërt – atë të dhunës dhe skandaleve.
Kohët e fundit, disa ngjarje që përfshijnë emra të njohur në rrjetet sociale kanë vënë në pikëpyetje jo vetëm etikën e tyre, por edhe rolin e tyre si shembull për ndjekësit.
1. TikTokerja që godet me thikë
Kasandra Cani, një emër i njohur në TikTok, është arrestuar për plagosje të rëndë me dashje pas një konflikti fizik në Tiranë. Incidenti ndodhi në kompleksin Delijorgji, ku Cani akuzohet se ka goditur me thikë Esma Vërlakun, e cila ndodhet ende në spital. Ndërsa videot e saj argëtuese ndiqeshin nga mijëra njerëz, mesazhi i saj i vërtetë duket të jetë i zhytur në dhunë.
2. Dy motrat dhe dhuna fizike
Antonela dhe Mariela Berishaj, njëra prej tyre ish-konkurrente në “Përputhen”, janë shpallur në kërkim nga policia për dhunimin e blogeres Klea Prenga. Motrat akuzohen se kanë tentuar ta dëmtojnë imazhin dhe fytyrën e saj. Kur individë të njohur përdorin ndikimin e tyre për të promovuar konflikte dhe kërcënime, çfarë modeli u ofrojnë publikut që i ndjek?
3. Blogerja dhe tritoli
Giovanna Nikolli, e njohur si partnerja e një të dyshuari për vrasje me pagesë, Amarildo Nikolli (Xhanej), tërhoqi vëmendjen pas një sulmi me tritol në banesën e saj. Në vend që të dënonte dhunën, ajo zgjodhi të shpërndante akuza dhe fyerje publike në rrjetet sociale kundër rivalit të partnerit të saj, Nuredin Dumanit. Me qasjen e saj dramatike, blogerja na tregon se ndonjëherë “influenca” shkon dorë për dore me glorifikimin e kriminalitetit.
4. Miss-i që sulmon me shishe
Trejsi Sejdini, modele dhe ish-miss, u shfaq sërish në qendër të vëmendjes për sjellje agresive në një club të Tiranës, ku qëlloi me shishe në një shpërthim nervash. Kjo nuk është hera e parë që Trejsi përfshihet në një skandal të tillë, duke dhënë një shembull të qartë të mungesës së përgjegjshmërisë për sjelljen publike.
Influenca që ndikon për keq
Të ashtuquajturat “influencere” duhet të jenë modele frymëzuese, por këto raste tregojnë një realitet të hidhur. Ndjekësit, kryesisht të rinj, që admirojnë dhe imitojnë këto figura, përballen me një model të shtrembëruar të suksesit – dhunë, konflikte dhe skandale.
Ndërkohë që termi “influencer” vazhdon të shitet si një rol aspirues, disa nga këto personazhe duket se kanë keqkuptuar plotësisht misionin e tyre: nuk është çështje e numrit të ndjekësve, por e mesazhit që përçojnë. Dhe kur mesazhi është kaq i varfër, e vetmja gjë që mbetet është një ndjekje e rrezikshme për dramë dhe dhunë./VNA