Një punëtor ndërroi jetë mbrëmjen e 17 janarit në kantierin e ndërtimit në aeroportin e Vlorës.
Viktima, Nusret Xhoka (60 vjeç) nga Dibra u përplas nga një fadromë që drejtohej nga 63 vjeçari, nga Prishtina, Rrahman Sllamniku. Të dy ishin punësuar pranë kompanisë “2A Group” në aeroportin e Vlorës.
Burimet thanë se fadroma ka përplasur shoferin, Nusret Xhoka, i cili sapo kishte zbritur nga mjeti i tonazhit të rëndë, dhe për pasojë ka ndërruar jetë në vend.
Policia e Vlorës tha se ka arrestuar 63 vjeçarin, pasi dyshohet se duke drejtuar një fadromë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e saj dhe ka përplasur një trajler.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan shtetasin Rr. S., 63 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë, pasi dyshohet se më datë 17.01.2025, rreth orës 21:20, në kantierin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, duke drejtuar një fadromë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e saj dhe ka përplasur një trajler. Si pasojë, drejtuesi i trajlerit, shtetasi N. Xh., 60 vjeç, banues në Dibër, ka humbur jetën”, njofton policia.
Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e këtij aksidenti të rëndë në punë, në kantierin më të madh të ndërtimit në vend.
Lexo edhe:
Aksident në kantierin e aeroportit të Vlorës, fadroma përplas për vdekje shoferin e kamionit