Papa Françesku është takuar paraditen e kësaj të enjte në selinë e shenjtë me një delegacion nga Bashkësia e Bektashinjve, me qendër në Shqipëri, kryesuar nga kryegjyshi, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, me shpresën për një dialog ndërfetar.
Mediat italiane bëjnë të ditur se incidenti i mëngjesit të sotëm kur u rrëzua në shtëpinë Santa Marta dhe pësoi mavijosje në parakrahun e djathtë, pa fraktura, nuk e pengoi Atin e Shenjtë për të vijuar agjendën e tij.
“Jo logjikës së dhunshme, dialogu ndërfetar mund të ndërtojë të ardhmen. Në këto kohë të vështira, të gjithë jemi të thirrur të hedhim poshtë logjikën e dhunës dhe përçarjes, të përqafojmë atë të takim, miqësi dhe bashkëpunim në kërkim të së mirës së përbashkët. Në fakt, bindjet tona fetare na ndihmojnë të përqafojmë më qartë këto vlera themelore, specifike për njerëzimin tonë të përbashkët, duke lejuar zërat e ndryshëm të formojnë së bashku një këngë fisnike dhe harmonike” nënvizoi Ati i Shenjtë. (Letra Enciklike Fratelli tutti, 283).
Duke vlerësuar komunitetin bektashi në vendin tonë, Papa Françesku theksoi se harmonia fetare mund të shërbejë si urë pajtimi edhe mes Lindjes dhe Perëndimit.
“Unë mendoj me mirënjohje për momentet e shumta të takimeve vëllazërore që kanë ndodhur mes komunitetit bektashi dhe kishës katolike, si lutja për paqe në Ballkan në 1993 dhe në botë. Dita e Lutjes për Paqen e Asizit 2011. Për më tepër, përurimi i tempullit të Bektashinjve në Tiranë, në vitin 2015, ishte një moment veçanërisht i frytshëm afrimi dhe miqësie. Jam i bindur që Komuniteti Bektashi, së bashku me myslimanët e tjerë, të krishterët dhe të gjithë besimtarët e tjerë të pranishëm në Shqipëri mund të shërbejë si urë pajtimi dhe pasurimi reciprok jo vetëm brenda vendit tuaj, por edhe mes Lindjes dhe Perëndimit. Pavarësisht sfidave të së tashmes dialogu ndërfetar ka një rol unik në ndërtimin e një të ardhmeje të pajtimit, drejtësisë dhe paqes që popujt e botës, e veçanërisht të rinjtë, e dëshirojnë me zjarr”, iu drejtua Papa delegacionit shqiptar.
Papa Françesku dhe kreu i bektashinjve kanë shkëmbyer dhurata dhe nënshkruan së bashku Dokumentin e Abu Dabit për vëllazërimin njerëzor, paqen dhe bashkëjetesën në botë.
Bëhet me dije se Haxhi Dede Brahimaj i ka folur Atit të Shenjtë për idenë e shtetit bektashi në Shqipëri, sipas modelit të Vatikanit, ku raportohet se ka marrë bekimin e Papës për bashkësinë e bektashinjve dhe për gjithë popullin shqiptar.
Kryegjyshi, Haxhi Dede Edmond Brahimaj i ka dhuruar edhe shallin tradional të bektashinjve, të cilin Begoglio e vuri në qafë.