Përpunuesit presin të prodhojnë me kosto më të lartë nga pagat dhe energjia. Një pjesë e sipërmarrjeve mund të falimentojnë, të tjerë do të përshtaten duke investuar në teknologji.
Njëzëri prodhuesit e sektorëve të ndryshëm e shohin të pashmangshme vazhdimin e politikës për rritjen e pagave edhe gjatë 2025. Politika e rritjeve të pagave, sipas tyre, do të sjellë shtim të shpenzimeve që do të reflektohen në kosto prodhuese.
Për rrjedhojë, disa prej tyre presin t’i amortizojnë te çmimi i shitjes së produkteve finale për konsumatorin. Të tjerë i konsiderojnë investimet për automatizimin e teknologjisë prodhuese avantazh në mbrojtjen e rritjes së kostove prej pagave.
Alban Zusi, nga Qendra e Eksporteve Shqiptare, parashikon shtimin e numrit të sipërmarrjeve prodhuese që rrezikojnë të falimentojnë.
Në tërësi, sektori prodhues dhe eksportuesi vendas, sipas tij, për 2025 do të ngarkohen me kosto shtesë nga vijimi i politikës së rritjes së pagave, shtimi i tarifës së energjisë elektrike (nga 1 janari 2025, të paktën 2600 biznese të lidhura në tension 10 kilovolt do të dalin në treg të lirë).
Ngarkesë kostosh te përpunuesit sipas Zusit, do të ketë edhe nga shtrenjtimi i lëndëve të para, që do të vijnë nga jashtë për shkak të zhvlerësimit të monedhës Euro.
“Kostoja e veprimtarive prodhuese përbëhet kryesisht nga: kosto e personelit, kostot energjetike (karburant / gaz dhe energji elektrike), kosto fiskale si dhe kostot e lëndëve të para të siguruara nga vendi apo importi.
Asnjëra prej sa më lart nuk ka tendence rënie, përkundrazi të gjitha kanë tendencë rritje: për shkak të inflacionit të rritur veçanërisht nga rritja e pagave shtetërore, punonjësit kanë kërkesë të vazhdueshme për rritje pagash.
Energjia elektrike pritet të rritet për shkak të vendimmarrjes për t’i nxjerrë në treg të lirë operatorët në sistemin 10 kilovolt, hidrokarburet janë të tej taksuara, krahasuar me gjithë Europën e për më tepër është vendosur akcizë për gazin e industrisë.
Barra fiskale ka tendencë për t’u rritur për shkak të rritjes së pagës minimale, lëndët e para të vendit shtrenjtohen për shkak të zhvlerësimit të Euros (çka i bën që e njëjta vlerë e tyre në Lek të jetë më e shtrenjtë në Euro). Pra nuk bëhet fjalë për ulje kostosh për industritë prodhuese e veçanërisht ato eksportuese”.
Z. Zusi parashikon se kjo situatë rrezikon të sjellë falimentimin të një sërë biznesesh.
“Eksportuesit do të përpiqen të rishikojnë strukturën e tyre të prodhimit. Një pjesë do të synojnë të përshtatin prodhimin e tyre për tregun vendas. Një pjesë do të synojnë të hyjnë në nivele më të larta në zinxhirin e vlerës brenda sektorit ku operojnë. Disa do të eksperimentojnë të bëjnë produkte të reja apo dhe të dalin me produktin e tyre. Por fatkeqësisht ky mund të jetë edhe viti i mbylljeve masive të disa dhjetëra industrive, kryesisht eksportuese, por edhe në sektorë të tjerë që po ballafaqohen me konkurrencën e ashpër të importeve tashmë 30% më të lira se para dy vitesh”, thotë ai.
Alban Zusi: “Eksportuesit do të përpiqen të rishikojnë strukturën e tyre të prodhimit. Një pjesë do të synojnë të përshtatin prodhimin e tyre për tregun vendas. Një pjesë do të synojnë të hyjnë në nivele më të larta në zinxhirin e vlerës brenda sektorit ku operojnë. Disa do të eksperimentojnë të bëjnë produkte të reja apo dhe të dalin me produktin e tyre. Por fatkeqësisht ky mund të jetë edhe viti i mbylljeve masive të disa dhjetëra industrive, kryesisht eksportuese, por edhe në sektorë të tjerë që po ballafaqohen me konkurrencën e ashpër të importeve tashmë 30% më të lira se para dy vitesh”
Presidenti i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, Alban Zusi, rekomandon se është e domosdoshme që vëmendja e institucioneve shqiptare për prodhimin vendas të fokusohet jo vetëm me politika fiskale lehtësuese, por edhe me dhënie fondesh për të avancuar kërkimin shkencor.
“Përgjithësisht modeli apo hipoteza e zhvillimit ekonomik aktual ka të tjera prioritete dhe industria përpunuese e prodhuese është qartësisht e pavlerësuar.
Kemi nxitje të jashtëzakonshme nga buxheti i shtetit apo politikat e tjera për sektorin e prodhimit, kemi vëmendje të shtuar e fonde promovuese madje dhe lehtësi fiskale të jashtëzakonshme për turizmin (6% TVSH e hotelerisë!!! përkundrejt 20% TVSH-ja e gjithë produkteve të shportës ushqimore) por nuk kemi asnjë politikë apo financime nxitëse për industritë, për lehtësi fiskale nuk behet fjalë.
Nuk kemi fonde e politika për kërkimin shkencor për industrinë, por vetëm për universitetet, si dhe politikën monetare më të gabuar të mundshme që demotivon e godet çdo ditë industritë dhe prodhimin vendas me disavantazhin që krijon mbivlerësimi i pajustifikuar me rritje prodhimi e konsumi i monedhës vendase përkundrejt valutave të huaja”.
Përpunuesit e qumështit presin rritje kostoje nga shtimi i pagave
Një drejtues i kompanisë së përpunimit të qumështit parashikon kosto pak a shumë të njëjta me 2024 te çmimet e lëndës së parë dhe ambalazheve, ndërsa shpenzimet për pagat do të jenë në rritje.
“Ndaj kostoja totale do të rritet për shkak të rritjes së pagave. Ndërsa çmimet e produkteve, besoj se do të jenë të ngjashme me vitin e kaluar, në pjesën më të madhe të gamës së produkteve, por mund të ketë indeksime minimale rritje për disa nga kodet e produkteve, për të amortizuar rritjen e pagave. Pra në total presim stabilitet si në kosto prodhimi, edhe rrjedhimisht në çmime shitje”, pohon nje drejtues i kompanisë së përpunimit të qumështit.
Në vitin 2023, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar sipas të dhënave të INSTAT, rezulton rreth 101 mijë tonë, duke shënuar rënie me 8%, krahasuar me 2022.
Për vitin 2024, sipas operatorëve të tregut të përpunimit, prodhimi i qumështit veçanërisht ai i lopës, pati rritje, pasi shtrenjtimi i çmimit të grumbullimit nxiti fermerët për prodhim.
Por mungesa e subvencioneve mbështetëse theksoi edhe më shumë diferencën e çmimit të shitjes së qumështit të lopës krahasuar me fermat e rajonit dhe Europës.
Qumështi i prodhuar nga fermeri vendas vijon të mbetet më i shtrenjtë, krahasuar me qumështin e prodhuar në rajon apo Europë, pavarësisht uljeve të shpeshta të çmimit, që u shoqërua 2 herë me protestë nga blegtorët në muajin prill 2024.
Në atë periudhë, qumështi i lopës nga fermat e mëdha dhe të mesme u grumbullua me çmim 65 deri në 67 lekë pa TVSH për litër nga 78 lekë pa TVSH që ishte më parë (rënia 16 deri 20%). Ndërsa nga fermat e vogla, qumështi u grumbullua me çmim 60 lekë pa TVSH për litër.
Përpunuesit kryesorë nuk parashikojnë ta ulin më tej çmimin për qumështin e grumbulluar nga fermeri në vitin 2025. Por gjithashtu do të vijojnë edhe me rritjen e importeve nga jashtë, veçanërisht për të plotësuar pikun e kërkesës në muajt e verës.
“Ka një trend në rritje të sasisë së qumështit të prodhuar nga fermerët. Parashikojmë që ky trend rritës do të vazhdojë edhe për këtë vit. Kjo tregon që çmimi është i favorshëm. Nuk besoj se do të ketë ndryshim të çmimit të blerjes së qumështit nga fermerët vendas. Për sa u përket importeve të qumështit, parashikojmë për 2025 pothuajse të njëjtën sasi importi sa në 2024, ndoshta me një rritje shumë të lehtë, për shkak të rritjes së turizmit gjatë verës”, pohon drejtuesi i kompanisë së qumështit.
Sipas të dhënave të Doganave, në periudhën janar-maj 2024 u importuan 7,1 milionë litra qumësht. Kjo ishe sasia më e lartë e periudhës që prej vitit 2017 kur nisi zbatimin për herë të parë skema e TVSH-së së kreditueshme 20% për agropërpunuesit.
27% e qumështit të importuar, sipas të dhënave të Doganave, vinte nga Italia, 16% e totalit të importeve e zë qumështi nga Sllovakia, 14,5% importet nga Hungaria, 13% nga Bosnjë-Hercegovina, 11% nga Kosova, rreth 9% nga Serbia etj.
Gati 5% e totalit të qumështit të përdorur si lëndë të parë e importoi nga shtete, si: Sllovenia, Hungaria dhe Serbia. Për muajt korrik-gusht 2024, lënda e parë nga importi pritej të zinte 30% të totalit të qumështit të përdorur për prodhim.
Ai tha se çmimi i qumështit të lopës nga importi në atë periudhë, përfshirë koston e transportit dhe taksave, arrin 55 lekë për litër, rreth 38 lekë për litër më lirë sesa prodhimi vendas.
Për sa i përket kërkesës për produkte të bulmetit për 2025, pritet të jetë më e mirë, ndikuar nga riorganizimet e brendshme të kompanisë, nga zgjerimi në kategori të reja produktesh, por mbi të gjitha, nga pritshmëria për rritje të turizmit dhe sezonit turistik.
Qumështi: “Ka një trend në rritje të sasisë së qumështit të prodhuar nga fermerët. Parashikojmë që ky trend rritës do të vazhdojë edhe për këtë vit. Kjo tregon që çmimi është i favorshëm. Nuk besoj se do të ketë ndryshim të çmimit të blerjes së qumështit nga fermerët vendas. Për sa u përket importeve të qumështit, parashikojmë për 2025 pothuajse të njëjtën sasi importi sa në 2024, ndoshta me një rritje shumë të lehtë, për shkak të rritjes së turizmit gjatë verës”
Rritje kostosh edhe për përpunuesit e mishit
Edhe përpunuesit e mishit parashikojnë shtim kostosh prej vijimit të politikës së rritjes së pagave.
“Mbyllja e 2024-s ishte e suksesshme për biznesin vendas. Për vitin 2025, presim rritje të kostove të prodhimit, ndikuar nga dy faktorë.
Së pari, faktori ndërkombëtar. Blerja e lëndës së parë nga jashtë dhe situata të ndryshme ndërkombëtare që nuk mund të parashikohen. Së dyti, faktori i brendshëm. Energjia nuk parashikohet të rritet. Politikat fiskale do të jenë të njëjta me vitin 2024.
Këmbimi valutor i Euros mendoj që nuk do të ketë rritje. Ajo që do të ndikojë në ngritjen e kostos do të jetë vetëm rritja e pagave të punëtorëve që është domosdoshmëri për tregun”, pohon drejtori i përgjithshëm i operatorit KMY, Spiro Lengo.
Zoti Lengo nuk parashikon se për vitin 2025 do të ketë rritje të çmimeve për nënproduktet e mishit, e ndikuar nga shtimi i kostove. Ai thotë se ndryshimet varen nga konkurrenca në treg.
“Rritja e kostove të prodhimit është mirë të mbulohet nga eficienca, dhe jo nga rritja e çmimeve. Rritja e çmimeve nuk varet nga ne, por nga konkurrenca. Në një treg të globalizuar fiton cilësia dhe çmimi i ulët. Me një konkurrencë të lartë duhet gjithmonë të kthehen sytë nga cilësia dhe kultura e shërbimit”.
Prej gati dy dekadash, operatorët e sektorit të përpunimit të mishit vuajnë konkurrencën e prodhuesve të rajonit, për shkak të vendosjes së taksës 10% për importin e mishit si lëndë të parë nga BE, teksa gjithë vendet e CEFTA-s si: Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova, e blejnë lëndën e parë kryesore, mishin, me taksë doganore zero.
Sipas përpunuesve kjo çon në mbikosto, të cilat po penalizojnë edhe eksportin në këto vende.
Për shkak të humbjes së konkurrueshmërisë në rajon, 5 operatorë të përpunimit të mishit, në muajin gusht 2024, nëpërmjet një letre dërguar ministrive, kërkuan heqjen e taksës 10%, pasi është i vetmi shtet në rajon që importon mishin si lëndë të parë nga Europa pa taksë doganore zero.
Po ashtu, Shqipëria është e vetmja që e eksporton me taksë 10%, ndërsa këto shtete eksportojnë drejt Shqipërisë me taksë zero. Kërkesa e tyre nuk u reflektua me ndryshime fiskale, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendas.
Operatorët ngritën shqetësimin në letrën dërguar ministrive se taksa 10% për importin e mishit si lëndë të parë nuk ka stimuluar prodhimin vendas të kafshëve për mish.
“Sot në vend nuk ka asnjë prodhues të mishit të derrit, lënda e parë kryesore e industrisë sonë. Gjithashtu nuk ka asnjë prodhues të mishit të pulës që ne përdorim, si fileto pule (për proshutat), apo bader (për wurstel) ka fare pak prodhues të mishit të gjedhit të cilët plotësojnë vetëm një pjesë të vogël të mishit të freskët që tregu konsumon (pjesa më e madhe vjen nga importi)”, nënvizohej në letrën e industrialistëve.
Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin 2023, numri i krerëve të gjedhëve arriti në 264 mijë. Krahasuar me vitin 2022, numri i tyre ra me 11%. Rënie është shënuar edhe te krerët e derrave. Për vitin 2023 numri i tyre arriti në 114,830 derra.
Në raport me 2022 numri i tyre ra me 16%.
Për vitin 2023, në vend numërohen 4,8 mln krerë pula. Krahasuar me 2022, periudhën e pandemisë së shpendëve, rënia e tyre është me 2%.
Shfaqja e gripit të shpendëve në muajin mars 2022 në Shqipëri solli ngordhjen e një numri të lartë shpendësh. Në total, sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022 numëroheshin rreth 4,9 milionë pula në të gjithë vendin.
Krahasuar me 2021, numri i tyre ra me rreth 5%.
Por përveç disavantazhit konkurrues me fqinjët, kjo industri i ka të mbyllura portat për të eksportuar edhe në BE, pavarësisht se në harkun e 30 viteve, kompanitë përpunuese të mishit kanë investuar në teknologji moderne.
Po ashtu, pjesa më e madhe e tyre janë të certifikuara nga certifikues europianë për ekzekutimin e procedurave që garantojnë standardet e sigurisë ushqimore të produkteve konform rregulloreve të BE.
Pengesa për eksportin e kësaj kategorie produktesh, sipas përpunuesve, është mosunifikimi i legjislacionit të sigurisë ushqimore me atë të BE-së. / Dorina Azo / MONITOR /