Nga Boldnews.al
Personi apo personat që kanë organizuar vjedhjen e Postës Sekrete të Prokurorisë së Durrësit, kanë pasur informacion të saktë për informacionin që gjendej në çantën e postierit.
Policia e Durrësit njoftoi zyrtarisht, por pasi informacioni doli në media se, mesditën e së Martës, dy persona kanë vjedhur me dhunë postierin e Prokurorisë së Durrësit. Policia, në njoftimin e saj, është kujdesur të mos specifikojë nëse bëhet fjalë për postë të thjeshtë apo postë sekrete.
Burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, por që kanë kërkuar nga media të mos identifikohen, kanë shpërndarë informacione, sipas të cilës bëhet fjalë për vjedhjen e postës së thjeshtë. Në fakt, dy grabitësit kanë vjedhur të dhënat e postës sekrete.
Kur është ende shumë herët për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes, shumë pikëpyetje ngrihen mbi këtë vjedhje të veçantë. Nëpërmjet Postës Sekrete, prokuroria merr të dhëna apo informacione nga Shërbimi Informativ mbi persona të dyshuar për vepra penale, kryesisht të krimit të organizuar.
Gjithashtu, nëpërmjet postës sekrete përcillen transkiptet e përgjimeve, të cilat kryen për llogari të prokurorive të ndryshme nga Prokuroria e Përgjithshme. Gjithashtu, posta sekrete shërben për të shkëmbyer informacionet me autoritetet e huaja ligjzbatuese. Pra, posta sekrete shërben për të komunikuar mbi materialet më sensitive që trajtojnë prokurorët.
Por, përse duhej të vidhej posta sekrete dhe përse pikërisht në një ditë të caktuar. Shkëmbimi i informacionit nëpërmjet Postës Sekrete është një procedurë rutinore, gati e përditshme. Pra, është e qartë që personat që morën përsipër të vidhnin materialet e postierit të ‘sekreteve” duhet të kenë qenë në dijeni të plotë që në ato dokumenta ka pasur të dhëna që mund t’u interesojnë.
Këtu situata bëhet edhe më serioze. Personat që kanë dijeni për informacionet sekrete janë në përgjithësi zyrtarë të lartë të institucioneve që përcjellin materiale të kësaj natyre në Prokurori. Në çdo rast, përjashtohen nga dijenia sekretarët e protokollistët, të cilët vulosin dhe regjistrojnë shkresat përcjellëse, por nuk kanë akses të njihen me informacionin e detajuar.
Gjithnjë në kuadër të dyshimeve, duket disi e tepërt të vidhen posta sekrete, kur, një kopje e informacionit gjendet gjithnjë në institucionin apo agjencinë që ka nisur informacionin sekret.
Vetëm, nëse, zyrtarët e lartë të institucioneve që dërgojnë apo presin të marrin informacion, gjejnë një “mënyrë të kamufluar për të nxitur” persona të dyshuar për vepra penale që të gjejnë rrugën për të parë se çfarë informacioni kompromentues ka mbi ata. Një rrugë e tillë mund të jetë inskenimi i një vjedhjeje të postierit të Prokurorisë.
Tashmë që Policia dhe Prokuroria e Durrësit deklarojnë se po hetojnë për të zbuluar autorët, informacioni sekret është në duar të personave të paautorizuar. Madje, me shumë mundësi, në duart e atyre që e dinin që më parë se e kishin emrin pikërisht në ato dokumenta sekrete që postieri i Prokurorisë së Durrësit do t’i dërgonte në institucionin e tij.
Vjedhja e Postës Sekrete të Prokurorisë së Durrësit është një ngjarje e rrallë. Një rast i ngjashëm ka ndodhur rreth 14 vjet më parë, në vitin 2004, me postën sekrete të Prokurorisë së Tiranës.
Në çdo rast, këto ngjarje, pavarësisht dyshimeve të mëdha, vështirë se mund t’i bëhen të ditura plotësisht publikut. Ndoshta, edhe për këtë ngjarje, pas disa kohësh mund të thuhet publikisht se bëhej fjalë për dy hajdutë ordinerë, të cilët kanë menduar se postieri i prokurorisë mund të ketë pasur çantë me para.