Në një Udhëzim të ri të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, formula e pagesës së taksave vjetore të automjeteve nuk ndryshon.
Por përcaktohen rregulla të reja rastet konkrete se si duhet të shlyhen detyrimet, në varësi të kushteve specifike që paraqesin makinat.
Udhëzimi ka hyrë në fuqi ditën e djeshme, duke qenë se në të përcaktohet që hyrja në fuqi realizohet ditën kur publikohet në Fletoren Zyrtare.
Llogaritja e taksës
Në Udhëzim jepet rast konkret se si dhe sa paguhen detyrimet vjetore për makinën. Kështu psh, mjeti me cilindratë 2.993 cm3, me naftë dhe vit prodhimi 2003, për vitin 2015 ka paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura në datën 22.9.2015, në vlerën 11.972 lekë. Në datën 21.1.2017 pronari i mjetit paraqitet për të paguar taksën e vitit 2016 në vlerën 13.469 lekë. Duke qenë se është me 4 muaj vonesë për pagesën e taksës vjetore të automjeteve të përdorura, për taksën e mjetit aplikohet 20% gjobë mbi shumën e taksës që duhet të paguajë për vitin 2016, në vlerën 2,694 lekë.
Pra, vlera totale që pronari i automjetit duhet të paguajë për vitin 2016 është 16,163 lekë. Nga ana tjetër, duke qenë se është paraqitur më datë 21.1.2017, vlefshmëria e taksës së mësipërme për vitin në vazhdim llogaritet nga data 1.1.2017.
Për këtë arsye, përveç taksës së vitit 2016, pronari i mjetit detyrohet të paguajë edhe detyrimin e TVMP-së për vitin 2017, në shumën 14.965 lekë dhe vlerën e gjobës prej 5% për një muaj që është në vlerën 748 lekë. Në total vlera e taksave për vitin 2017 që duhet të paguajë është 15.713 lekë, me afat vlefshmërie deri më 21.1.2018.
Agjenti i taksave
Të ardhurat nga taksa dhe gjobat për çdo rast, mblidhen nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, nëpërmjet drejtorive rajonale. Kjo ndodh vetëm para se të kryehet kontrolli teknik vjetor i detyrueshëm i mjetit. Ky kontroll nuk mund të kryhet pa dëshmuar pagesën e taksës.
Të ardhurat nga kjo taksë shpërndahen sipas procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, nga të cilat, 5% strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, 25% buxhetit të qeverisjes vendore dhe pjesa tjetër Buxhetit të Shtetit.
Makinat luksoze
Sikurse është pasqyruar tanimë një gjë e tillë edhe në amendimin që iu bë ligjit të mëparshëm, “automjet luksoz” konsiderohet autovetura deri në 6+1 vende, e cila plotëson të paktën njërin nga kushtet e mëposhtme: cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3.000 cm3 ose vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5.000.000 lekë.
Pavarësisht nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdorura, mbi makinat luksoze, kur zbatohet për herë të parë taksa e regjistrimit fillestar, kjo do të jetë në masën 70.000 lekë për regjistrim të çdo makine luksoze, ndërkohë që taksa e përvitshme do të jetë në masën 21.000 lekë çdo vit.
Vlera e mjetit
Për makinat që vijnë nga importi dhe që janë të paregjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, vlera e mjetit do të merret nga deklarata me referencë doganore, e cila llogaritet si totali i vlerës së tatueshme (baza e tatueshme) mbi të cilën llogaritet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe duke i shtuar TVSH e llogaritur në doganë (Totali = Baza e tatueshme + TVSH).
Kur mjeti blihet nga subjekte të licensuara, vlera e mjetit do të merret nga fatura tatimore e shitjes, e cila është vlera totale e barabartë me vlerën e tatueshme duke i shtuar dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Në rast se për të njëjtin mjet disponohen dy ose më shumë dokumente, si për shembull, deklaratë me referencë doganore dhe Faturë Tatimore Shitje, gjithmonë do merret për t’u regjistruar në fushën “vlera e mjetit” vlera totale e mjetit që është më e madhe në këto dokumente.
Për ato makina që edhe më parë kanë qenë të regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, kur mjeti blihet nga subjekte të licensuara vlera e mjetit do të merret nga fatura tatimore e shitjes, e cila është vlera totale e barabartë me vlerën e tatueshme duke i shtuar dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Ndërkohë, si vlera e makinës në kontratën noteriale të shit-blerjes, dallohen tri raste. Për rastet me kontratë të qirasë financiare (leasing), do të merret vlera totale në kontratën e qirasë financiare dhe jo vlera në kontratën e furnizimit (kontratë shitjeje), e cila i shërben qiramarrësit për njohjen faktike të pronësisë së automjetit nga qiradhënësi te qiramarrësi dhe që lidhet midis palëve vetëm pas shlyerjes prej qiramarrësit të këstit të fundit të qirasë financiare.
Për rastet kur nga dokumentacioni shoqërues nuk përcaktohet vlera e mjetit (akt-dhurimi, dëshmi trashëgimie etj.), shërbimi do të refuzohet deri në plotësimin e kësaj vlere nga subjekti që ka nënshkruar dokumentin ose me dakordësinë e përfituesit do të merret vlera që ndodhet në dosjen e mjetit duke ju referuar rasteve të sqaruara më sipër. Vlera e mjetit do të plotësohet në monedhën lekë dhe në rast se vlera e mjetit nga dokumentacioni shoqërues është në monedhë tjetër, do të llogaritet vlera korresponduese në lekë, referuar kursit ditor të Bankës së Shqipërisë sipas datës së dokumentit në monedhë të huaj.
Gjobat
Shembull: Mjeti me cilindratë 3.628 cm3, me naftë dhe vit prodhimi 2008, për vitin 2015 ka paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura në datën 27.12.2015, për vlerën 9.524 lekë. Në datën 12.1.2017 pronari i mjetit paraqitet për të paguar taksën e vitit 2016. Mjetit i ka kaluar afati më shumë se 10 ditë nga afati i vlefshmërisë së taksës, pra llogaritet me 1 muaj vonesë për pagesën e TVMP-së për vitin 2016. Për këtë arsye, pronari i mjetit duhet të paguajë TVMP e vitit 2016 në shumën 9.977, si dhe 5% gjobë mbi shumën e taksës së TVMP-së në shumën 499 lekë. Shuma totale e taksës vjetore për mjetet e përdorura që duhet të paguajë për vitin 2016 është 16.163 lekë.
Gjithashtu, nëse mjeti është me cilindratë më të madhe ose të barabartë me 3.000 cm3, detyrohet të paguajë edhe TVML për vitit 2016 në shumën 21.000 lekë dhe gjobë për TVML prej 5% në shumën 1.050 lekë. Shuma totale e taksave (TVMP + TVML) që pronari i mjetit duhet të paguajë për vitin 2016 është në shumën 32.526 lekë.
Nga ana tjetër, duke qenë se subjekti është paraqitur më datë 12.1.2017, i ka mbaruar afati i vlefshmërisë së taksave për këtë mjet, detyrohet të paguajë edhe detyrimet për taksën e vitit 2017, në vlerën 10.431 lekë dhe vlera e gjobës prej 5% për një muaj vonesë që është në vlerën 522 lekë. Shuma totale që subjekti detyrohet të paguajë është 10.953 lekë. Afati i vlefshmërisë për vitin 2017 fillon nga data 1.1.2017. Gjithashtu, subjekti ka detyrimin të paguajë edhe TVML (makina luksoze) për vitin 2017 në shumën 21.000 lekë dhe gjobë prej 5% në shumën 1.050 lekë.
Shuma totale e taksave për vitin 2017 është 33.003 lekë, me afat vlefshmërie deri në 12.1.2018. Shembull 2: Pronari i mjetit me cilindratë 3.653 cm3, me benzinë dhe vit prodhimi 2006, paraqitet pranë strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për të regjistruar për herë të parë mjetin më datë 16.6.2017. Në datën 16.6.2017 pronari i mjetit ka detyrimin të paguajë TVMP-në për 7-muaj të vitit 2017 në shumën 5.966 lekë (3.653 X 0.28 X 10 = 10.228/12 X 7).
Duke qenë se është me cilindratë më të madhe ose të barabartë me 3.000 cm3, pronari i mjetit duhet të paguajë dhe taksën e luksit në shumën 70.000 lekë dhe detyrimin tjetër për 7 muaj të vitit 2017 në shumën 12.250 (21.000/12 X 7) lekë. Vlera totale e taksave që pronari i makinës duhet të paguajë për vitin 2017 është 88.216 lekë.