Këto ditë, si jo rrallë në historinë e saj postkomuniste, Rumania gjendet varur mes tragjikes dhe groteskes. Është tragjike dhe groteske në të njëjtën kohë që ngecja serioze e reformave prej dekadash në vend dhe mosbesimi i thellë ndaj klasës politike i dhanë hov sharlatanëve të krahut ekstremist të djathtë, pro-rusë të arrijnë suksese të mëdha zgjedhore në javët e fundit. Ajo që është po aq tragjike dhe groteske është se edhe elita tradicionale politike duket se nuk dëshiron të nxjerrë përfundime serioze nga kjo situatë.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 1 dhjetorit dhe zgjedhjeve presidenciale që u anuluan më parë (6 dhjetor 2024), një koalicion i madh, i ashtuquajtur “pro-evropian” i të gjitha partive demokratike dhe deputetëve negocion në Bukuresht për të formuar qeverinë. Megjithatë, duket se bëhet fjalë më shumë për pazaret për pozicionet dhe lojërat e pushtetit në shkallë të vogël sesa për reformat themelore që i duhen Rumanisë.
Kandidati i TikTok
Zgjedhjet u fituan krejtësisht papritur nga Calin Georgescu, i cili kishte qenë kryesisht i panjohur për publikun rumun – një ekstremist i djathtë jopartiak me pikëpamje kristiano-ortodokse-fundamentaliste, pro-ruse dhe ezoterike. Ai e dënon çdo gjë “perëndimore” si të dëmshme, nderon fashistët legjionarë rumunë të periudhës mes luftërave dhe të paktën deri në fitoren e tij në zgjedhje në raundin e parë, kërkonte që Rumania të largohej nga BE dhe NATO. Georgescu pati një shpërthim si influencer në TikTok pak para zgjedhjeve dhe për këtë arsye shpesh përmendet si “kandidati i TikTok-ut”.
Gjykata Kushtetuese fillimisht i përshkroi zgjedhjet presidenciale si të ligjshme në një vendim, por më pas çuditërisht i anuloi dy ditë para balotazhit të planifikuar më 8 dhjetor 2024. Bazë për këtë u bënë të dhëna nga dokumentet e publikuara të shërbimit sekret. Sipas tyre, Calin Georgescu kishte marrë mbështetje masive financiare dhe logjistike nga një specialist rumun i IT-së, ndër të tjera, për të përhapur më gjerësisht videot e tij në TikTok. Për më tepër, një “aktor shtetëror”, që indirekt nënkupton Rusinë, thuhet se e kanë ndihmuar Georgescu-n të bëhet më i dukshëm në mediat sociale. Ky aktor thuhet gjithashtu se ka kryer sulme hakeri në infrastrukturën e IT të autoritetit elektoral rumun.
Prova të pakta, punë joprofesionale
Në përgjithësi, provat e njohura publikisht janë të pakta. Përveç kësaj, leximi i dokumenteve të jep përshtypjen se shërbimet sekrete rumune punojnë keq dhe joprofesionalisht. Sido që të jetë, puna e tyre tërësisht jotransparente paraqet një problem që dihet prej dekadash. Kontrolli i kërkuar parlamentar nuk bëhet si duhet, ose ato nuk i dorëzojnë raportet e veprimtarisë – duke shkelur ligjin – ose shumë vonë.
Georgescu është aktualisht nën hetim nga Zyra e Prokurorit të Posaçëm Rumun DIICOT, e cila është përgjegjëse për luftimin e korrupsionit të rëndë politik dhe krimit të organizuar. Hetimi është ndër të tjera financim ilegal i fushatës. Me kërkesë të Rumanisë, Bashkimi Evropian po planifikon gjithashtu një hetim dhe procedime kundër TikTok-ut për ndërhyrje në zgjedhje.
Gjykata Kushtetuese e varur politikisht
Pavarësisht kësaj, publiku rumun është thellësisht i ndarë për çështjen e anulimit të zgjedhjeve. Nga shumë qytetarë dhe parti politike ky hap shihet si shpërfillje e vullnetit demokratik të votuesve. Në fakt, Gjykata Kushtetuese është një institucion që ka një reputacion në Rumani si e varur politikisht, e nënshtruar dhe teknikisht e dobët. Për shembull, në tetor, kandidatja presidenciale e krahut të djathtë, Diana Sosoaca u përjashtua nga zgjedhjet, por ekstremistët e tjerë të krahut të djathtë nuk u përjashtuan.
Një parti reformatore e padëshiruar në koalicion?
Elita politike në pushtet aktualisht po përpiqet dëshpërimisht të rivendosë normalitetin. Në zgjedhjet parlamentare të 1 dhjetorit 2024, partitë e njohura si pro-evropiane fituan shumicën: Social Demokratët (PSD), Liberalët Kombëtarë (PNL), Unioni progresiv-liberal Save Rumania (USR) dhe Partia nacional-konservatore e pakicës hungareze (UDMR). Megjithatë, tre parti ekstremiste të krahut të djathtë përfaqësohen në dy dhomat e parlamentit me më shumë se një të tretën e votave, mes tyre Aleanca për Bashkimin e Rumunëve që është forca më e fortë.
Pas zgjedhjeve, të gjitha partitë demokratike si dhe 19 deputetët e pakicave kombëtare, të vendosura me ligj, ranë dakord për një “koalicion pro-evropian” dhe përjashtuan bashkëpunimin me ekstremistët e krahut të djathtë. Megjithatë, USR-ja progresive-liberale, aktualisht praktikisht e vetmja parti serioze reformatore në Rumani, duket se nuk është shumë e kërkuar në koalicion. Në disa raste ajo nuk ishte ftuar në takime negociuese dhe kërkesa e saj që një program reformash të mbulohej nga një draft buxhet përkatës deri më tani është injoruar.
“Prigozhini rumun”
Ndërkohë Rumania po mbahet pezull nga një tjetër episod i kategorisë “tragjike dhe groteske”. Flitet për një tentativë të supozuar për grusht shteti në vend. Thuhet se ai ishte planifikuar nga një grup i drejtuar nga ish-mercenari rumun, Horatiu Potra, i njohur edhe si “Prigozhini rumun”. Potra ishte aktiv si udhëheqës mercenar në Republikën Demokratike të Kongos për një kohë të gjatë dhe thuhet se është përgjegjës për krime të rënda lufte atje. Ai konsiderohet gjithashtu një mbështetës i kandidatit presidencial të krahut të djathtë, Calin Georgescu, është provuar se ata janë takuar rreth zgjedhjeve.
Më 8 dhjetor 2024, ditën e balotazhit të anuluar të zgjedhjeve presidenciale, Potra dhe disa burra të tjerë u arrestuan teksa udhëtonin me makina me armë, pajisje ushtarake dhe sasi të mëdha parash drejt Bukureshtit. Autoritetet fillimisht folën për një “grusht shteti të planifikuar”, por tani thuhet vetëm, se Potra është përpjekur të organizojë trazira publike. Ai u arrestua ditën e operacionit të planifikuar pas një telefonate anonime tek një numër emegjence. Është enigmë pse shërbimet sekrete dhe autoritetet e tjera nuk morën masa ndaj Potrës, i cili njihej prej kohësh dhe që me sa duket nuk veproi dhe aq në formë të fshehtë.
Udhëheqësi mercenar tani është sërish i lirë. Të martën (17 dhjetor 2024), gazetarët e takuan atë në Bukuresht pas një seance dëgjimore në polici dhe e pyetën pse kishte ardhur në Bukuresht me armë. Potra u mburr dhe tha, se donte “të bënte një test të mekanikës klasike tek një mësues fizike në klasën e 10-të”, sepse më parë kishte “dështuar” në test. Ky duket të jetë një aludim për Presidentin Klaus Johannis, ish-mësues i fizikës në shkollë të mesme./DW