Forumi Rinor i Partisë Demokratike së bashku me kreun e kësaj force politike kanë mbajtur këtë të diel, me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, një aktivitet dhe homazhe pranë bustit të Azem Hajdarit, duke kujtuar Lëvizjen Studentore, e cila nisi si sot, 34 vite më parë, duke rrëzuar diktaturën dhe solli demokracinë.
Të rinjtë e FRPD mbanin pankarta në duar me mbishkrimet “Dita e rinisë, pa rini”, “Ëndrrat e djeshme, sfidat e sotme”, “Fuqia e rinisë, është fryma e demokracisë”, “Emigracioni i rinisë, vdekja e kombit”, “Na ka mbetur vetëpm dita e rinisë”, “Qeveria pasurohet, studentët varfërohen”.
Gjithashtu, gjatë aktiviteti, ata mbajtën dhe fjalime, ku përcollën dhe mesazhet e tyre, teksa kreu i FRPD, Besart Xhaferri bëri me dije se Universiteti i Tiranës iu kishte refuzuar kërkesën për ta mbajtur aktivitetin në sallën e godinës së Lirisë.
Aktiviteti në Qytet Studenti u përmbyll me fjalimin e kryedemokratit Sali Berisha, i cili kujtoi takimin e Azem Hajdarit me Ramiz Alinë dhe momentin kur ai së bashku me Besnik Mustafajn iu bashkuan studentëve.
Berisha: Në vitin 1944, më 28 tetor, populli ynë u çlirua nga një pushtim i jashtëm, për të rënë po atë ditë me nnjë pushtim të brendshëm barbar, më mizorin që kohërat kanë njohur në diktaturën staliniste të Enver Hoxhës. Kjo diktaturë, në 46 vite të ekzistencës së saj vendosi mbi shqiptarët shtypjen më të egër që ata kishin njohur në tërë historinë. Vendosi diktaturën më të thellë të izolimit të tyre, sa kurrë ndonjëherë në histori. Vendosi tiraninë e urisë dhe skamjes që, shqiptarët s’e kishin njohur kurrë më parë nëpërmjet hiperkolektivizmit.
Rënia e murit të Berlinit dhe revolucionet demokratike të vitit 1989, pavarësisht prej tyre, Shqipëria mbetej siç e cilësonte partia staliniste dhe diktatori i fundi, si bastioni ose kështjella buzë Adriatikut e socializmit. Regjimi, me propagandën e tij, fliste çdo ditë për demokratizimin, por vriste çdo javë të rinjtë, të cilët niseshin për të kaluar në botën e lirë. Dhe jo vetëm i ekzekutonte, por i sillte dhe i zvarriste kufomat e tyre në qytetet: Shkodër, Gjirokastër, Sarandë, Korçë, vetëm e vetëm për të terrorizuar popullatën.
Pikërisht, në këto rrethana, 34 vite më parë, një grup studentësh dalin në darkë në këtë shesh dhe nisin protestën e parë studentore në historinë e vendit. Rreshtojnë një seri kërkesash. Po regjimi, pavarësisht se ata nuk ishin shumë, atë natë ishin ndofta jo më shumë se sa jeni ju këtu sot. Duke kuptuar se, beteja me studentët, është beteja më e vështirë për të alarmoi diktatorin, i ftoi ata në mesnatë t’i presë në një sallë të universitetit. Azem Hajdari me një grup syrësh u paraqitën në takim. Për cfarë po protestoni, i pyeti, Ramiz Alia? Nuk po protestojmë për një gotë çaj, z.President, iu përgjigj, Azem Hajdari. Po protestojmë për fatet e lirisë.
U nda nga takimi se diktatori do të vinte t’i takonte, në këtë sallë që sot e kanë mbyllur për ju, diktatorët e rinj. Por, siç ishte, i pabesë dhe i frikësuar gjer në palcë, i kishte nxjerrë në dërgatës së studentëve pusi, i kishte vendosur pusi sambistët, me në krye ministrin e Brendshëm, Hekuran Isai, dhe mbi ta u vërsulën si shtazë, me shkopinj dhe mjete tjera, në mënyrë që këta të mos mendonin më të protestonin. Këta të dorëzoheshin.
Por unë u them ju, se ata qenë të pamposhtur. I pamposhtur është vetëm ai që, pasi rrëzohet, ngrihet. Më datën 9, ora 8 të mëngjesit, ata bashkohen me vendimin solemn për t’i pushtuar regjimit sheshin e pushtetit, sheshin qendror të Tiranës. Dhe nisen drejt tij. Pata fatin e madh që, së bashku me shkrimtarin e njohur, Besnik Mustafaj dhe kinoastin, Kujtim Çashku, të mësojmë se ishin nisur drejt qytetit dhe u nisëm drejt tyre. U gjetëm përballë tyre në rrugën e Elbasanit, segmentin midis Liceut Artistik, dhe sot, rezidencës së ambasadorit italian. Ishim shumë afër, pak metra. Azem Hajdari, ngrihej mbi supet e tyre me thirrjet: poshtë dinastia, poshtë diktatura, liri demokraci! Ndërkohë, ata djem dhe vajza ishin të rrethuar nga forca sambiste, polici, gardë, ushtri. Shumë e shumë herë më numerikë, se sa ishin ata. U vërsulën brenda pak minutave me tërbim, me egërsi të paparë kundër tyre. U vërsulën, i godisnin dhe humbisnin ndjenjat, i kapnin prej këmbësh dhe i flaknin në kamione për t’i larguar nga sheshi, nga rruga. E pastruan brenda, të themi 5, 6 apo 10 minutash. Me Besnikun, i them, të shkojmë se mos ka të plagosur. Dhe u nisëm drejt konvikteve. Takojmë një grup, po me Azemin, të tronditur, me hematoma, të mavijosur, por të pamposhtur, përsëri. Më kërkuan, a mund të na përfaqësosh? Jo, u thashë, unë përfaqësoj Sali Berishën, por unë ju mbështes ju. Por unë, ju mbështes ju, dhe ju mbështes fortë. Atëherë më kërkojnë, jemi të plagosur shumë, dhe kishim merak se, po keqtrajtoheshim në spitale. Jo, i thashë unë, nuk do të keqtrajtoheni, me atë merrem, jam mjek, pedagog. Kemi të burgosur. Për ata nuk kam ç’tju them, nuk njoh në aparatin e burgjeve. Më thonë: ne ora 3:30, do zbresim në shesh, pasi ishin bërë copë e pikë. Dhe ta dinë ata, se në atë shesh gjë mbi tokë nuk do të lëmë. Trima si ata nuk kishte. E vërteta ishte se, ky ishte ultimatumi i parë që Ramiz Alia kishte marrë në jetën e tij dhe diktatura, dhe diktatura kishte marrë në jetën e tij nga protestuesit. Nuk dua të bëj këtu historinë e tyre, por ata ndanë epoka me lëvizjen e tyre. Ndarjen e epokave rrallë i takon njerëzve t’i përjetojnë. Ata vërshuan në mbarë vendin dhe mbollën kudo pemën e pluralizmit, themeluan PD. Organizuan grevën epike të urisë, po në këtë qytetet në atë ndërtesë që sot e bllokon diktatura. 730 e studentevë u ngujuan për të çliruar shqiptarët nga kurthi më i keq që ata kishin përjetuar në të gjitha kohërat, kurthi i Enver Hoxhës, dhe fituan!
Po ashtu, kreu i PD foli edhe për situatën politike aktuale, duke drejtuar gishtin nga qeveria, që sipas tij është shndërruar në një diktaturë të re, që është më e rrezikshme se ajo e Enver Hoxhës.
“Studiuesit më të mëdhenj të diktaturave e kanë quajtur këtë diktaturë më të rrezikshme. Shqipëria sot po jeton një diktaturë, në të cilën të gjitha pushtetet janë në dorë të një njeriu, të një antishqiptari. Një diktaturë, e cila zgjedhjet i ka shndërruar në një fasadë, një diktaturë e cila ka rikthyer në Shqipëri, burgjet, arrestimet politike”, tha Sali Berisha, i cili theksoi se “në zgjedhjet e 11 majit shkojmë të sigurt, do pastrojmë shtëpinë tonë”.
Pas aktivitet të mbajtur në Qytet Studenti, të rinjtë e FRPD-së së bashku me Sali Berishën marshuan drejt Kryeministrisë me një pankartë me mbishkrimin “Lindëm në demokraci, jetojmë në diktaturë”. Gjithashtu, ata mbanin edhe manekina me fytyrat e Edi Ramës, kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ministrave të Ramës.
Çfarë është Dita e Rinisë?
Sot, më datë 8 Dhjetor është Dita Kombëtare e Rinisë, një datë e cila kujton një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së saj, kur 34 vite më parë nisi Lëvizja Studentore që solli demokracinë në vend dhe rrëzoi komunizmin.
Më 8 Dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të protestave që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Të organizuar ata marshuan nga ‘Qyteti Studenti’ drejt qendrës së Tiranës. Me thirrjet “Liri Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike, ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës si dhe integrimin në Europë.
Protestat do të vazhdonin edhe në ditët në vijim deri në datën 11 Dhjetor në mbrëmje kur në takim me Ramiz Alinë u konfirmua edhe pluralizmi politik, që solli më pas themelimin e Partisë Demokratike.
Lëvizja Studentore do të vijonte deri në rrëzimin përfundimtar të diktaturës komuniste dhe instalimin e sistemit demokratik.
Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të Dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.