Në vitin 2021, një fëmijë i vogël rezultoi i prekur nga HIV/AIDS pasi u mjekua në Spitalin Pediatrik të Tiranës.
Babai i fëmijës në një lidhje për MCN rrëfeu kalvarin e të birit në spitale që nga lindja e deri në largimin e familjes nga Shqipëria, sipas tij, për shkak të sistemit katastrofik shëndetësor që ka vendi ynë.
Gjithashtu, ai foli edhe për hetimin që po kryen Prokuroria e Tiranës për rastin në fjalë, ku ai deklaroi se çështja qëndroi 1 vit e bllokuar për shkak të prokurorit, teksa tashmë po hetohet nga një prokuror i ri.
“Djali ynë lindi në spitalin Mbretëresha Geraldinë, në 2021. Totalisht i shëndetshëm sepse ne nuk jemi bartës. Ka pasur një shtrim për pneumoni, pesë ditë pas lindjes. Është kuruar aty pesë ditë. Gjendja pas daljes ka qenë e kënaqshme. Por sërish në fund të nëntorit pati sërish pneumoni. E shtruam sërish në QSUT. Nuk ishim në dijeni të asaj që na priste më pas. Gjendja e tij nuk ishte e mirë edhe pas daljes nga spitali. Në fund të dhjetorit, atij i nisi një diarre dhe temperaturë. Kontaktuam mjeken dhe na tha është kalimtare. Nuk i dhamë rëndësi. Në janar të 2022, gjendja agravohej dhe nisën komplikacionet e para. E shtruam në pediatri dhe asnjë ndryshim. Mjekja që e ndoqi na dha fletën e daljes. Djali përkeqësohej dhe në fund të janarit e shtruam sërish. Ai vetëm agravohej dhe në shkurt kaloi në reanimacion. Doktoresha kishte bërë testin e HIV dhe më 3 mars dhe më vjen lajmi bombë që djali është infektuar me HIV-AIDS. Goditja ishte e jashtëzakonshme, ne e dimë jetën tonë familjare.
Djali shumicën e kohës e ka kaluar në spital. Nuk kemi kujtime jashtë atij spitali. E kam kërkuar raportin disa herë dhe nuk më është dhënë. Çështja është në prokurori. Ne na ra për pjesë një prokuror që na bllokoi çështjen për një vit. Tani çështja ka një prokuror të ri.
Jeta e djalit tim ka ndryshuar tërësisht. Jemi në një vend të huaj. Ne kishim çdo gjë në Shqipëri. U detyruam të largoheshim për shkak të sistemit katastrofik shëndetësor.”
Ai tha se në vendin ku është zhvendosur, terapia është falas. Ndërkohë, në spitalin ku trajtohet ai janë edhe dy fëmijë të tjerë të infektuar në të njëjtat rrethana.
“Djali është në terapi. Edhe pse bën jetë normale, terapia vazhdon deri në ditën e fundit. Kura që ndjek djali është 2500 euro në muaj. Këtu ku jemi ne është falas. Shqipëria jo vetëm që na e dëmtoi djalin, por na braktisi në mes të katër rrugëve, pa kurrfarë ndihme. Minimalisht një ndjesë për atë që ndodhi.
Përtej kësaj, gjëja më vrastare ka qenë kur i kam kërkuar zonjës Mira Rakacolli të ma dërgojë djalin jashtë për kurim. Kur u sëmur vetë, asaj iu dha e gjithë mbështetja nga shteti. Në vendin ku ndodhem më thonë që djali im është rasti i tretë që vjen i infektuar me HIV me prindër negativë.”