Nëse mendoni se Tirana ka shumë kulla, nuk keni parë gjë akoma. Numri i tyre do të jetë shumë më i lartë në vitet në vijim.
Sipërfaqja që është dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet për periudhën janar shtator të këtij viti ka arritur një nivel të ri historik, duke tejkaluar nivelin e 2022, që mbante rekordin deri tani.
Sipas INSTAT, për 9-mujorin e këtij viti janë dhënë gjithsej sipërfaqe leje ndërtimi prej 1.58 milionë metra katror, me rritje prej 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe në raport me 2022, që deri tani shënonte rekordin, sipërfaqja e lejeve është 8% më e lartë.
Lejet më të shumta janë dhënë në tremujorin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me 666 dhe 684 mijë metra kator. P.sh. në tremujorin e tretë u dhanë leje që ishin në sipërfaqe sa 70% e gjithë vitit 2023.
Këto leje ndërtimi të dhëna i përkasin një vlere prej 56 miliardë lekësh, ose rreth 560 milionë euro, sipas të dhënave të INSTAT.
Gjatë këtij viti, Këshilli Kombëtar i Territorit ka dhënë leje të shumta për godina të larta në Tiranë.
Sipërfaqja e dhënë për leje po rritet ndjeshëm, në një kohë që tregu i pasurive të paluajtshme duket se po arrin fazën e maturimit dhe aktorët e tregut pohojnë se ka filluar të ndihet rënia e kërkesës.
Të dhënat kombëtare
Sipas njoftimit të INSTAT, në tremujorin e tretë 2024 janë miratuar gjithsej 354 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 361 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një ulje prej 1,9 %.
Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2024 është 814.340 m2, nga 455.181 m2 miratuar në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rritje prej 78,9 % (tab.3).
Në tremujorin e tretë 2024, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 33.3 miliardë lekë, nga 18.9 miliardë lekë miratuar në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rritje prej 76,1 %./ Monitor.al