Gjykata e Apelit e ka zbardhur pas 50 ditësh vendimin për burgosjen e Ervin Salianjin, pas disa kërkesash nga avokatët e ish-deputetit demokrat, si dhe duke shkelur me 20 ditë afatin ligjor.
Për deputetin e PD-së, Tomorr Alizoti, ky fakt tregon se dënimi me burg për Ervin Salianjin është i qartë dhe haptas politik. Në një deklaratë nga selia blu, Alizoti tha se këtë fakt se dënimi ishte politik e përforcon edhe reagimi i menjëhershëm i kryeministrit Edi Rama pas dënimit të ish-deputetit demokrat.
Në emër të Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti kërkoi lirimin e menjëhershëm të Ervin Salianjit, i cili sipas tij, ndodhet për më shumë se 1 muaj në burgjet me dënim të mirëfilltë politik.
Kujtojmë se më 26 shator, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me 1 vit burgim për deputetin Ervin Salianji për shkak se i prishi imazhin Qeverisë duke denoncuar Geron Xhafajn, vëllain trafikant droge të ish-ministrit Fatmir Xhafaj.
Edhe pse Partia Demokratike dhe vetë Salianji e kanë konsideruar dënimin si politik, një ditë më pas deputeti demokrat zbatoi vullnetarisht vendimin dhe aktualisht ndodhet në burgun e Fierit.
DEKLARATË PËR MEDIA DEPUTETI I PD, TOMORR ALIZOTI
Pas 50 ditësh, kur afati ligjor parashikonte 30 ditë për të burgosurin politik, Ervin Salianji, i cili është opozitar që nuk ka konsumuar asnjë ditë pushtet, nuk ka menaxhuar asnjëherë pushtet dhe sot gjendet në burgjet e Shqipërisë, së bashku me njerëz të inkriminuar, dhe me njerëz që e kanë dëmtuar këtë vend dhe e kanë shkatërruar këtë vend gjykatave do t’iu duheshin bash 50 ditë për të shpallur vendimin e saj, kur ligji e parashikonte 30 ditë.
Arsyeja e vonesës, arsyeja e fshehjes ku është rasti i parë në Republikën e Shqipërisë që një njeri dënohet për kallëzim të rremë, ku nuk ka ndodhur kurrë që një kallëzim i rremë publikisht, ku vetë z.Salianji nuk ka bërë kallëzim per personin në fjalë është një dënim i qartë dhe haptas politik.
Vetë fakti që, pas dënimit të z.Salianji u shpreh dhe kryeminstri i cili e mbështeti këtë dënim politik për z.Salianji tregon që e gjithë kjo çështje është një dënim i mirëfilltë politik.
Z.Salianji është i vetmi person në Republikën e Shqipërisë i dënuar për këtë çështje, ku vetë Gjykata e Apelit ka pranuar që gjykimi në Shkallë të Parë është bazuar në një provë fotokopje, e cila nuk duhet të administrohej, e për më tepër që nuk i është nënshtruar një debati gjyqësor.
Kështu që, PD i kërkon lirimin e kryetarit të grupit të saj, i cili sot ndodhet për më shumë se 1 muaj në burgjet me dënim të mirëfilltë politik.