Policia e Kurbinit ka parandaluar një ngjarje kriminale në një familje në Mamurras.
Përmes një njoftimi, policia bëri me dije se menjëherë pasi një 38-vjeçare kallëzoi se dhunohej nga bashkëshorti i saj, u mundësua kapja dhe arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, konkretisht Sh. R., 40 vjeç, banues në Mamurras.
“Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, u krye kontroll në banesën e të arrestuarit, ku u gjetën 2 armë gjahu, 300 fishekë automatiku dhe 155 fishekë pistolete, që mbaheshin pa leje, nga 40-vjeçari. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive””, njofton policia.