“Në ndeshjen e parë kundër Arsenalit Atletiko hyri në fushë me ’10’ lojtarë,”. “Shpikjen” (ose më saktë profecinë) e ka zbuluar ditën e djeshme Tomas Partej, lojtar i madrilenëve, për tabloidin britanik “The Independent”, në prag të ndeshjes së kthimit të Ligës së Europës mes spanjollëve dhe anglezëve. Një “gjenialitet” që mban firmën e Diego Simeones, trajnerit të Atletikos, i rrëfyer ditën e djeshme nga ganezi.
“Simeone e parandjeu (në mënyrë korrekte) se mund të humbitnim një lojtar gjatë lojës, ndaj stërvitjen paraprake e kreu me 10 lojtarë: çfarë shumica nuk di për Simeonen është se instinktet e tij janë gjithmonë të drejta, – u shpreh Tomas. “Na bëri të stërvitemi 10 kundër 11 sepse na tha se ndeshjen mund ta mbyllnim me më pak lojtarë, – vijoi 24-vjeçari. – Ndihem krenar që jam stërvitur nga një trajner si ai për kaq shumë kohë. Nuk e di çfarë bëhet në klubet e tjera, por këtu çdo stërvitje është një ‘betejë’: nëse punojmë mirë, jemi më të fortë gjatë ndeshjeve. Jo më kot na stërvit 10 kundër 11”, përfundoi Tomas, duke lënë të kuptohet se nuk është hera e parë që “Cholo” Simeone përdor stërvitjen me një lojtar më pak: Arsenali është i paralajmëruar.
“KUJDES NGA OZIL”- Pas deklaratës së ganezit për “Indipendent”, në konferencë për shtyp është paraqitur Diego Simeone, që sot nuk do jetë në pankinë përkrah lojtarëve, pasi u skualifikua në ndeshjen e parë: “Çfarë do i duhet Atletikos për të fituar? Një stadium plot pasion, duam që tifozët të jenë entuziastë, t’u përcjellin lojtarëve energji. Mungesa ime në stol? S’do ndikojë: unë nuk jam në trupin e lojtarëve. Burgos (zëvendësi) e njeh shumë mirë skuadrën, jam shumë i qetë me praninë e tij në stol. Normalisht, ndihem i mërzitur nga situata. Duhet të përmirësohem, më mirë të hesht (qesh)”. A do jetë Felipe Luis, pas riaftësimit rekord? Nuk mund të luajë 90 minuta, por është gati”. Cilin do i hiqje Arsenalit? Ozilin, është koka e skuadrës”.