Mario Draghi, kryeteknokrati jozyrtar i kontinentit, ka një plan, shkruan The Economist.
Europa, më në fund, e ka kuptuar se ka një problem me rritjen ekonomike. A mund të gjejë një zgjidhje?
Një raport i publikuar së fundmi nga Mario Draghi, ish-president i Bankës Qendrore Europiane dhe ish-kryeministër i Italisë, përpiqet t’i japë një zgjidhje problemit të rënies ekonomike europiane. Në raportin mbi 400 faqe, zoti Draghi përshkruan një plan për të rimëkëmbur ekonominë e Europës.
Ursula von der Leyen, kryetarja e rizgjedhur së fundmi e Komisionit Europian, zakonisht dëgjon këshillën e tij. Madje edhe Elon Musk, pronari i kompanive Tesla dhe X, i cili e ka kundërshtuar shpesh BE-në, e lavdëroi “kritikën” e Draghi-t.
Ky raport pason një tjetër të publikuar në prill, nga Enrico Letta, një tjetër ish-kryeministër italian, i cili shqyrtoi tregun e përbashkët. Të dy raportet përqendrohen në mënyrën se si mund ta bëjnë Europën më konkurruese.
Autorët duan të nxisin risinë, të heqin fondet për sipërmarrjet më të rrezikshme dhe të bashkojnë tregjet e përçara. Me pak fjalë, ata duan ta bëjnë Europën më europiane, gjë është e dëshirueshme, të paktën në këto fusha.
Pyetjet kryesore janë: A do të jenë të gatshme shtetet europiane të integrohen në sektorë të ndjeshëm si mbrojtja? A do të jenë në gjendje të kapërcejnë dallimet e vogla? Dhe a do të jenë të gatshme të shpenzojnë sipas kërkesës?
Edhe pse Europa ka qenë prej kohësh më e varfër se Amerika, qytetarët europianë nuk e vrisnin shumë mendjen për këtë. Amerikanët vriteshin me armë, ndërsa ata shijonin ‘coq au vin’ në Europën e begatë.
Por siç shprehet zoti Draghi në raport, bota përreth Europës ka ndryshuar, dhe mungesa e rritjes ekonomike dhe risisë, mund të bëhet një kërcënim për standardin e lartë të jetesës që gëzon kontinenti. “BE-ja ka arritur në një pikë ku, po të mos merren masa, do të jetë e detyruar të cenojë mirëqenien, mjedisin ose lirinë e saj”, shkruan ai.
Në botë po ndodhin shumë zhvillime që i mbështesin pretendimet e zotit Draghi, duke përfshirë këtu faktin se pjesa tjetër e botës, nuk po luan më sipas rregullave të BE-së. Duke marrë shkas nga Amerika dhe Kina, vendet po përdorin politika proteksioniste duke u përpjekur t’u japin përparësi kompanive të tyre. Europa ka frikë se do të humbasë ekonomikisht nëse kompanitë e saj nuk mund të konkurrojnë.
Ajo gjithashtu rrezikon të bëhet e varur nga zinxhirët e huaj të furnizimit që Kina dëshiron të mbizotërojë, ose të dëmtohet nga një administratë e ardhshme amerikane që ndoshta në një kohë krize, mund të kufizojë qasjen në teknologjinë e përparuar.
Për më tepër, rënia ekonomike e Europës po bëhet më e dhimbshme. Në vitin 1995, produktiviteti europian ishte sa 95% e atij të Amerikës. Sot është më pak se 80%, një hendek mjaftueshëm i madh që pushuesit ta vënë re.
Në fushën e teknologjisë, siç është Inteligjenca Artificiale, Europa duket se do të mbetet edhe më mbrapa. Dhe ndërsa kjo teknologji po përhapet në gjithnjë e më shumë sektorë (si makinat me drejtim automatik), potenciali i Europës për risi do të bjerë më tej. Energjia e shtrenjtë do ta bëjë edhe më të vështirë joshjen e kompanive më të përparuara në të ardhmen.
Për më tepër, po bëhet gjithnjë e më e vështirë shfrytëzimi i tregut të përbashkët në interes të Europës, ndërkohë që shtetet e tjera të botës po zhvillohen me ritme më të shpejta. “Në vitet 1980, kur po merrte formë tregu i përbashkët europian, ekonomia e Italisë ishte e madhe sa ekonomitë e Kinës dhe Indisë të marra së bashku”, vëren Letta.
Asokohe, nuk kishte ndonjë rëndësi nëse industri si mbrojtja, energjia, financat dhe telekomunikacioni, ishin çështje kombëtare. Kjo nuk është më e vërtetë.
Atëherë çfarë mund të bëjë Europa?
Zoti Draghi është përqendruar mbi të gjitha në nxitjen e risisë, duke argumentuar se ajo duhet të bëhet “një mjet thelbësor”. Ai këshillon që shtetet europiane të bashkojnë vendimmarrjen dhe financimin në sektorin e kërkimit, ndërkohë që të bien dakord edhe për shpenzimet.
Ai gjithashtu mbështet krijimin e Agjencive Europiane të Projekteve të Kërkimit të Përparuar (ARPA), të ngjashme me agjencinë e famshme amerikane me të njëjtin emër, e cila luajti rol të rëndësishëm në krijimin e teknologjive si GPS dhe interneti. Draghi gjithashtu këshillon që të shpenzohet më shumë në “institucione kërkimore udhëheqëse në botë”, përmes një procesi konkurrues.
Më pas, ai ka trajtuar në raport mbështetjen për ata që ndërmarrin rrezik. Financimi bankar është lehtësisht i disponueshëm për firmat e mirënjohura që kanë asete si kolateral dhe të ardhura të mjaftueshme për të shlyer borxhet.
Por sistemi është më pak i përshtatshëm për firmat më të reja që nuk kanë asnjë nga këto përparësi dhe perspektiva e të cilave është e pasigurt. Sidoqoftë, në Europë, plot tre të katërtat e huamarrjes së korporatave, vijnë nga bankat, krahasuar me vetëm një të katërtën në Amerikë.
Prandaj tregjet më të thella dhe më likuide të kapitalit, janë thelbësore për rritjen ekonomike. Me këtë ide bien dakord shumë zyrtarë, shefa dhe drejtues në Europë. “Marrëveshja e gjelbër nuk do të funksionojë dot pa bashkimin e tregjeve të kapitalit”, thotë Christian Sewing, drejtuesi i Deutsche Bank.
Problemet
Për të krijuar një bashkim të tillë, duhet zgjidhur problemi i fragmentimit, si për shembull, fakti që ka 27 qasje të ndryshme ndaj falimentimit.
Gjithashtu duhet kaluar nga sistemet e pensioneve publike të pafinancuara, në skema të financuara më mirë dhe të mbështetura në treg. Sipas kompanisë New Financial, asetet e pensioneve arrijnë në vetëm 32% të PBB-së europiane, krahasuar me 173% në Amerikë.
“Ne kemi nevojë për një ndryshim kulturor në mënyrën se si financojmë bizneset, duke pasur parasysh të gjitha investimet e kërkuara. Në këtë drejtim, kemi nevojë gjithashtu për ndryshime rregullatore në Europë, për të lejuar financimin e rritjes ekonomike”, argumenton Sewing. Draghi këshillon krijimin e një mbikëqyrësi europian për tregjet e kapitalit, të ngjashëm me Komisionin Amerikan të Letrave me Vlerë.
Për sa i përket rregullores më gjerësisht, zoti Draghi është treguar i kujdesshëm që të mos sfidojë idenë themelore ekonomike se konkurrenca është shtysa më e sigurt për risi.
Por ai vë në dukje disa ndryshime të caktuara që mund të bëhen në teknologji dhe tregje, duke argumentuar se rregullatorët duhet të kenë një staf më të mirë, më të shkathët, i cili të marrë parasysh mundësitë për risi dhe qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit.
Për shembull, ndoshta dy prodhuesit europianë të trenave, Alstom dhe Siemens, duhej të ishin lejuar të bashkoheshin në vitin 2019, për të konkurruar më mirë kundër kompanive kineze. Draghi gjithashtu dëshiron që ndihma shtetërore europiane të jetë më pak e ndarë dhe më e përqendruar në interesat e përbashkëta kontinentale.
Choo choo!
Raporti i zotit Draghi është pritur mirë nga drejtuesit dhe analistët kryesorë në BE dhe do të mbetet popullor derisa të vijë koha për t’u zbatuar. Marrim si shembull një propozim në raport që nuk duhet të shkaktojë polemika: të pasurit e një procesi konkurrues për financimin e instituteve kërkimore.
Gjermania paraqiti një skemë të ngjashme në vitet 2000. Por pasi shumica e parave përfunduan në dy shtete gjermane të pasura në jug të vendit, programi u përshtat për të qenë i leverdishëm për çdo rajon. Agjencia amerikane ARPA lulëzoi falë mungesës së burokracisë. Por është e vështirë të përfytyrohet që qeveritë europiane do të arrinin të kapërcenin instinktet e tyre burokrate, në këto raste.
Për të vënë në jetë shumë nga planet e zotit Draghi, si krijimi i një mbikëqyrësi të vetëm të tregjeve të kapitalit, duhet gjithashtu që të zhvendoset pushteti nga qeveritë kombëtare, të cilat duan të kenë ndikim mbi kompanitë më të rëndësishme të vendeve të tyre. “Çdo kryetar qeverie dëshiron që shefat e firmave kombëtare të energjisë, bankave apo kompanive të telekomunikacionit, të përgjigjen shpejt në rast krizash”, thotë zoti Letta.
Më 11 shtator, banka e dytë më e madhe e Italisë, UniCredit, njoftoi se kishte marrë 9% të aksioneve në Commerzbank, bankën e dytë më të madhe gjermane, dhe se do të kërkonte të blinte edhe më shumë aksione. Mbetet për t’u parë nëse Gjermania do të lejojë një bashkim, dhe do të jetë një shembull që do të tregojë nëse do të mbizotërojnë instinktet europiane apo kombëtare.
Në analizën e industrive, zoti Draghi ka përfytyruar tregje ndër-europiane aty ku nuk ekzistojnë ende. Për shembull, në sektorin e telekomunikacionit, ai dëshiron që të lehtësojë bashkimet e kompanive, për të rritur investimet.
Megjithatë, Margrethe Vestager, drejtuesja në largim e Komisionit të Konkurrencës, është kundër kësaj ideje. “Telekomunikacioni është ndoshta shembulli më i keq i nevojës për bashkime”, thotë Zach Meyers nga Qendra për Reformën Europiane, një institut kërkimor. Nëse do të kishte më pak operatorë, do të rriteshin çmimet dhe do të zbehej cilësia, por nuk do të kishte më shumë investime.
Në mënyrë të ngjashme, planet e Draghi-t për të reformuar rregullat e konkurrencës në emër të sovranitetit ose qëndrueshmërisë, mund të nxisin njerëzit e gabuar.
Ai gjithashtu nuk është ndalur shumë në pyetjen se pse disa shtete të orientuara nga tregu i lirë, si Holanda dhe vendet nordike, të cilat kanë përmasa të vogla edhe për standardet europiane, janë kthyer në qendra të teknologjisë më të fundit. Ose pse në Gjermani, pasi u liberalizuan rregullat e planifikimit, po rritet energjia e ripërtëritshme pa ndihmën europiane.
Është edhe çështja e parave. Sipas vlerësimeve të Komisionit Europian, për të përmbushur planet e zotit Draghi, do të duheshin shpenzime shtesë me vlerë 750-800 miliardë euro në vit, duke e çuar pjesën e investimeve në PBB-në e kontinentit nga 22% në 27%, një rritje e jashtëzakonshme pas disa dekadash rënieje.
Po të marrim të kaluarën si udhërrëfyes, katër të pestat e kësaj vlere duhet të vijnë nga sektori privat, gjë që nuk do të ndodhë, edhe nëse arrihet me sukses bashkimi i tregjeve të kapitalit.
Kjo do të thotë se shpenzimet e BE-së duhet të financoheshin nga borxhi, gjë që zoti Draghi thotë se do të ishte e dobishme, por nuk e kërkon menjëherë. Ai e di se udhëheqësit e vendeve të Europës Veriore kanë pak ose aspak dëshirë për një nismë tjetër borxhi të përbashkët.
“Kurrë në të kaluarën, potenciali i vendeve tona nuk është dukur kaq i vogël dhe i pamjaftueshëm në raport me madhësinë e sfidave”, shkruan Draghi. Dhe ka të drejtë. Tani ai përballet me një punë shumë më të vështirë se analizimi i këtyre problemeve: duhet të bindë qeveritë kombëtare të heqin dorë nga një sasi pushteti./Monitor