Gjatë muajit Korrik e Gusht, në redaksinë e “Sinjalizo” nuk kanë qenë të paktat rastet e ankesave për pagesat e parkimeve në Sarandë në shumën 1000 lekë apo 1500 lekë, ku kuponi tatimor, nuk ekzistonte si koncept.
Andi, një 33- vjeçar i cili kaloi një javë pushime në brigjet e Jonit, ishte një nga mijera turistë, vendas e të huaj, që vizituan këtë verë Sarandën.
“E zgjodha për shkak se kisha shumë vite pa ardhur në jug të vendi, me kishin thënë se është zhvlluar shumë dhe ja vlen të kalosh disa ditë pushime, plus aksesi qe ke si ne plazhet e rivieres ashtu edhe në Ksamil. Por në të njëjtën kohë ke edhe komoditetet e një qyteti”, thotë ai.
Por për 33 vjeçarin, Saranda, nuk i rezultoi ashtu si e priste. Trafiku kilometrik në qytet dhe mungesa e parkimeve ishte arsyet kryesore për t’i lënë në gjysmë pushimet.
“Natën e parë që erdha, kalova 2 orë ne trafik, për të gjetur një vend parkimi. Nuk gjeta! U detyrova ta vendos makinën në një lavazh, i cili gjatë pasdites shndërrohej në parkim. Për gjithë natën, paguajta 1000 lekë”, thotw ai duke shtuar se për shkak të çmimit të lartë, kërkoi edhe kuponin tatimor, por pwrgjigjia ishte aq arrogante sa edhe e habitshme:“Nuk kemi vllai, po do leje, po do lëvize”.
E njëjta situatë u përsërit edhe ditën e dytë, por këtë herë, parkimi ishte më pranë hotelit dhe pagesa ishte 1500 lekë.
“Është e pakonceptueshme, sepse vetem per ajrin nuk më kerkuan lek, hoteli 8000 lekë dhe pa parkim, ndërkohë me më pak se 1000 leke nuk ke mundesi të parkosh, plazhi stë lë po smore shezllon, këtu turizmi është menduar mbrapsh, vetëm lekë, por shërbimi 0”.
E ndërsa zyrtarisht sezoni turistik në Sarandë ka qenë një sukses i madh, zyrtarë të bashkisë, “off the record”, pranojnë një sërë problematikash, duke nisur nga akset rrugore që nuk mund të përballlojnë fluksin, mungesa e transportit publik në qytet por edhe mbingarkesa e tij sidomos në linjën Saranda- Ksamil! Mungesa e parkimeve në qytet duke qenë se shumë pushues zgjidhin të qëndroj në hotel në Sarandë dhe të shijojnë plazhet jashtë qytetit, është shndërruar në një nga problemet më të mëdha të qytetit.
Parkimet, Bashkia Sarandë: “Është shumë problematike”
Bashkia Sarandë, në një kërkesë informacion, thotë se: Situata e parkimeve në qytetin e Sarandës është shumë problemaktike, sidomos gjatë sezonit turistik”. Por të pyetur se sa është numri total i vendparkimeve në qytet, ky institucion i cili e ka për detyrë që ta ketë si informacion, thotë se për vitin 2024 nuk është bërë ende inventarizimi I numrit total pasi janë në process. “Kurse për vitin 2023, ka pasur 90 vende të rezervuara me pagesë”, thotë bashkia, kur si numër total të parkimeve mund të kishte vendosur të dhënat që ka patur për vitin 2023, ashtu si ka bërë edhe me parkimet me pagesë.
E ndërsa e pranon se gjatë sezonit turistik, vendparkimet në qytet nuk janë të mjaftueshme, bashkia, “Ka plane për krijimin e parkimeve publike në qytetin, jo në qendër por jemi në faza diskutimi bashkëfinanciare nga qeveria”.
Edhe pse është pyetur se cilat janë këto plane, për të parë nëse është dicka konkrete, ky institucion nuk i jep përgjigje kësaj pyetje.
Nga ana tjetër, bashkia e thotë se një nga sfidat më problematike që përballen strukturat e qeverisë lokale në lidhje me parkimet është zënia e vendeve nga persona të paautorizuar.
Parkimet, nuk janë një problem i ri për Sarandën, sidomos gjatë stinës së verës. E pyetur se cfarë është bërë në 15 vitet e fundit nga ana e Bashkisë për të adresuar këtë problematikë, ky institucion thotë se: Në qytet po kryen punime në infrastrukturën rrugore dhe gjithashtu po ndërtohet një terminal i linjave të transportit publik për të shmangur kalimin e mjeteve të rënda (autobuza).
Ekspertët: Zgjidhje ka, është cështje kostosh
Urbanisti Ardian Muka, në një intervistë për Sinjalizo, thotr se zgjidhje ka, por e gjitha është cështje kostosh.
“Problemi është kur zgjedhjet bëhen në mënyrë normale, zgjidhen me kosto me të vogël, kur shkojnë në emergjencë, kostot janë më të mëdha”, thotë ai duke shtuar se nje nga zgjidhjet qe mund ta zbuse “krizën e vendparkimeve” në Sarandë, është që për lejet e ndërtimit që jepen, të planifikoheb aq vendparkimi sa edhe apartamente.
“Nëse Saranda e ka problem akut, nuk do të jetë numri I apartamenteve por ky numër plus 20%, të cilat ti administrojë bashkia apo mund ti administrojë pjesa e pronarëve, për banorët jo resident”, thotë ai.
Për zotin Muka, duhet të shihet me urgjencë pjesa e shesheve si parkime publike, si një investim nga ana e bashkisë, I cili është edhe një biznes fitimprurës me çmimet e sotme.
“Bashkia mund të marre në administrim x sipërfaqe ku mund ta administrojë apo ta japi me koncesion, pastaj ajo mbetet për tu parë”, thotë ai duke thene se rrugët kryesore të qytetit duhet të shndërrohen në parkim publik me pagesë, pasi në këtë mënyrë as turistët dhe as rezidentët nuk do ta lënë makinën të parkuar gjithë ditën dhe kjo do të bëjë më fleksibël qarkullimin në qytet.
Një tjetër zgjidhje për urbanistin Muka mund të jenë edhe rrugët me sens unik levizje, një zgjidhje që deri diku, Saranda e ka, si dhe ndërtimi I segmenteve unazore. “Mundt ë jetë edhe zgjidha e parkimeve publike, kryesisht autobuzëve që sjellin fluks të madh njerëzish, që mos të hynë fare brenda në qytet, por për ta bërë këtë duhet të kesh sistem transporti public shumë të mirë”, thotë ai, duke shtuar se është shumë e rënësishme që vendimarrësit, duke filluar nga Këshilli Bashkiak, kur marrin këto vendime duhet të dëgjojnë specialistët në mënyrë që mos të kemi këto probleme.
“Saranda jo vetëm që nuk është projektuar për turizëm por nuk është projektuar as për makinë, si çdo qytet tjetër në socializëm. Rrugët janë projektuar për aq pak makina sa kishin elita drejtuese e vendit dhe pjesa tjetër ishin mjete pune”, thotë Gentjan Kaprata, urbanist.
Por në 33 vitet e fundit shumë mund të ndryshonte për mirë, por jo gjithmonë këto ndryshime kanë qenë pozitive.
“Ndërtesat e reja nuk është se janë zhvilluar sipas një plani të përgjithshëm rregullues pas 90-tës dhe këto ndërtime të jenë bërë sipas këtij plani. Tani kemi edhe një densifikim të mëtejshëm. Të treja këto aspekte e bëjnë teorikisht të pamundur zgjidhjen e problematikës të parkimit, pushimit dhe qarkullimit”, thotë zoti Kaprata, I cili shton se të të shkojë mendja që në Sarandë do të ketë ndonjëherë një qarkullim të mirë, është jo realiste.
Por ka zgjidhje për lehtësimin e problematikës. Një prej të cilave është largimi i makinës nga qyteti dhe krijimi i parkimeve publike të mëdha duke fuqizuar transportin publik.
Saranda është aktualisht një nga qytetet më të rëndësishme për hartën e turizmit bregdetar në Shqipëri, por është një bashki e vogël, e cila kapacitetet i ka të kufizuara për të përballuar fluksin prej qindra mijëra turistësh dhe nevoja për adresimin e sfidave të infrstrukutrës rrugore dhe asaj të parkimeve, shndërrohet në dicka edhe më urgjente nga cfarë ka qenë, kur qëllimi është kthimi I turizmit në shtyllën kryesore ekonomike të vendit.
/ACQJ – Qëndra për Gazetari Cilësore