Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në 3 tetor, në orën 09:00 seancën e sotme ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe të pandehurve të tjerë në lidhje me aferën e sterilizimit.
Shkak u bë tejzgjatja prej 4 orësh e seancës së sotme dhe mosarritja që të ezaurohej leximi i akteve nga ana e SPAK-ut.
Ndërkohë, gjatë seancës pati një pretendim të ngritur nga Ilir Beqaj, e që lidhet me thirrjen e tij në fillim të Tetorit, në komisionin hetimor parlamentar të komncesioneve në shëndetësi, ku ai do të dëshmojë në lidhje me aferën e sterilizimit dhe check up-it.
“Jam thirrur në Komisionin Hetimor për të paraqitur pretendimet e mia dhe për të dhënë sqarime para deputetëve. Kam ndërkohë nga një tjetër trupë gjykuese një masë sigurie (për dosjen SASPAC), sa kohë do më jepet për të përgatitur qëndrimet e mia? Ky nuk është shqetësimi më i madh, pasi do duhet t’i zbërthej në komision të gjitha aktet dhe argumentet, një pjesë e të cilave përbëjnë sekret hetimor, dhe deklarimet e mia atje mund të përbëjnë shkelje të vendimit të gjykatës për mosnxjerrje të sekretit hetimor. Dua të di qëndrimin e gjykatës”, – u shpreh ish-ministri.
GJKKO u shpreh se avokatët e Beqajt duhet të paraqiste një kërkesë të tillë zyrtarisht, që gjykata të dalë me një vendimmarrje rreth pretendimit të ish-ministrit, në lidhje me daljen e tij në komision hetimor parlamentar.
Çështja e aferës së sterilizimit ka ngecur në seancë paraprake, për shkak të dosjes voluminoze, e ku mbrojtja ka kërkuar që SPAK ta lexojë në gjyq çdo akt, duke ngadalësuar kështu procesin. Për dosjen e “sterilizimit”, Ilir Beqaj akuzohet për kryerjen e veprës penale “shpërdorim detyre”.
Vlen të theksohet fakti se për dosjen e mësipërme, Beqaj ndodhej nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, por u arrestua në fillim të muajit korrik me urdhër të SPAK në lidhje me abuzimin me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që ish-ministri drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Beqaj dyshohet se përmes njerëzve të besuar ka ndërtuar një skemë për të përfituar shuma të mëdha parash duke lëshuar fatura fiktive për shërbime të pakryera, të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.
Gjithashtu, ai akuzohet edhe për fshehje pasurie, pasi dyshohet se është pronari “faktik” i restorantit “Gzona” tek Kalaja e Tiranës, si dhe i një automjeti që e ka në emër të bashkëpunëtorit të tij, po ashtu në burg, Ermal Kurtulaj.