Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë që ndodhi paraditen e djeshme në rrugën “Princ Vidi” në Tiranë.
Mario Nela plagosi ditën e djeshme të afërmin e tij Ervis Nelën me armë zjarri. Bëhet me dije se shkaku i plagosjes ishe prishja e pazareve të drogës në Gjermani. Sipas informacioneve të afërmit kanë patur disa konflikte në Gjermani për pazare droge, dhe e kishin lënë ti sqaronin në Shqipëri.
Mësohet se autori Mario Nela kishte ardhur nga Gjermania në vendin tonë ditën e martë dhe dje ndodhi takimi me Ervis Nelën, takim i cili përfundoi në plagosje. I plagosuri u paraqit vetë në një spital privat ditën e djeshme për të marrë ndihmë mjekësore nga ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për pasojë janë arrestuar babai i autorit Gentjan Nela dhe i vëllai Emanuel Nela. Autori Mario Nela vijon të jetë në arrati, ku vijon puna për kapjen e tij.
Nga kontrollet në shtëpinë e të arrestuarve janë sekuestruar një armë gjahu dhe një pistoletë zhurmuese.
“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, pas marrjes së njoftimit se, ditën e sotme ishte paraqitur në spital për ndihmë mjekësore një shtetas, dyshohet i plagosur me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.
Nga veprimet e shpejta hetimore u bë identifikimi i autorëve të dyshuar, shtetasve G. N., E. N., dhe M. N., të cilët pas një konflikti për motive të dobëta, ditën e sotme, në afërsi të vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i 3-shit”, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin E. N., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Shtetasit G. N., dhe E. N., janë shoqëruar në Polici për veprime të mëtejshme dhe vijon puna për kapjen e shtetasit M. N.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë gjahu dhe një pistoletë zhurmuese.”- njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.