Armando Broja është i etur për të treguar tek Evertoni futbollin e tij më të mirë. Sulmuesi i ri i bluve u zotua të japë gjithçka, për ta çuar klubin drejt një të ardhmeje emocionuese.
22-vjeçari shqiptar përfundoi në këtë klub të Premier League në formë huazimi për një sezon, me opsionin e Evertonit për ta blerë përfundimisht për 30 milionë stërlina. Ai erdhi nga Chelsea në minutat e fundit të ditës së fundit të merkatos verore, të enjten e kaluar.
Me përvojën e dëshmuar të Premier League, në “Stamford Bridge”, te Southampton dhe Fulham, si dhe një periudhë huazimi në Holandë me Vitesse Arnhem, shqiptari mbërrin në “Merseyside” i sigurt se do ta ndihmojë Sean Dyche dhe skuadrën e tij të gëzojnë “shumë ditë më pozitive përpara”.
Broja aktualisht po rikuperohet nga një dëmtim i këmbës, por kur të jetë plotësisht në formë, la të kuptohej se do të shpërthejë. Ai nuk e fshehu entuziazmin për ta veshur fanellën blu mbretërore dhe bërë përshtypje tifozëve të pasionuar të Evertonit.
“Ndihem mrekullueshëm, jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, – tha shqiptari për televizionin e klubit (Everton TV). – Jam shumë i lumtur dhe mezi pres të filloj. Mendoj se Evertoni ka një ekip të fortë, një përzierje lojtarësh të rinj dhe me përvojë. Është një mjedis fantastik për mua të vij të luaj futboll, të luaj në Premier League me një klub si Evertoni. Ky është një klub me një histori të madhe, një top-klub. Është e mrekullueshme për mua që jam këtu.
Si lojtar, veçanërisht si lojtar i ri, je i prirur të ndihesh i kërkuar nga njerëzit dhe kjo është mënyra se si Evertoni më ka bërë të ndihem që nga dita e parë. Këtu më kanë dashur vërtet dhe më kanë thënë pse, kështu që ndihem vërtet i lumtur dhe krenar.
Ndoshta fillimi i sezonit nuk ka shkuar ashtu siç dëshironim, por ne patjetër mund ta kthejmë atë me skuadrën dhe trajnerin që kemi këtu. Sigurisht që ndihem sikur do të ketë shumë ditë pozitive përpara. Personalisht jam fokusuar vetëm në rikthimin në fushë, pas dëmtimit, dhe integrimin me ekipin”.
Broja shtoi: “Dua të lë përshtypje edhe te tifozët, duke shënuar gola, duke krijuar raste, me ritmin e punës pa top, duke qenë agresiv si sulmues dhe ndihmuar skuadrën në çdo mënyrë që mundem.
Dua të hyj dhe të ndërtoj një marrëdhënie të shkëlqyer me tifozët, me shokët e mi të skuadrës dhe me stafin teknik. Kur ndihesh si në shtëpi, je i lumtur, atëherë luan futbollin tënd më të mirë.
Për rehabilitimin e lëndimit, Broja shtoi: “Po shkon mirë. Shpresoj se mund të kthehem sa më shpejt që të jetë e mundur. Mendoj se po shkoj në drejtimin e duhur.
Dua të sigurohem që të shërohem mirë dhe të jem aq i fortë sa të mundem, kështu që jam gati për tifozët dhe shokët e mi. Unë thjesht mezi pres të kthehem në fushë, të vesh fanellën e Evertonit dhe ta shijoj këtë eksperiencë”.