Personat që shihni në foton e mësipërme janë viktima Faik Ajdini 72-vjeç dhe vrasësi i tij, Blerti Kanushi, 23 vjeç i cili u arrestua ditën e sotme si autor i krimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më rreth orës 07:00 të mëngjesit të 19 Gushtit në lagjen “Canometaj” të fshatit Zhapokikë në Memaliaj.
Burime për mediat bëjnë me dije se Blerti Kanushi është me precedent penal. Mësohet se që prej 6 Shkurtit ë tkëtij viti, 23-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës si pjesëtar i një grupi që u kap me 1.5 kg kokainë në zonën e “Astirit”.
Në 6 shkurt Sektori i Antidrogës në Policinë e Tiranës arrestoi dy persona dhe shpalli në kërkim bashkëpunëtorin e tyre 23-vjeçarin Blerti Kanushi, i cili kishte rolin e ndërmjetësuesit në grupin e shpërndarjes së lëndës narkotike.
Sa i përket vrasjes së Faik Ajdinit, Blerti Kanushi e vrau atë me thikë, teksa ishte porositur dhe i ishin krijuar kushtet për të kryer vrasjen nga çifti i bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Ajdini.
Pasi kreu vrasjen, 23-vjeçari u largua nga vendi i krimit, teksa kanë qenë çifti i bashkëshortëve ata që e kanë marrë trupin e pajetë dhe e kanë hedhur në një përrua, që derdhjen në lumin Vjosë, aty ku u gjet edhe nga familjarët të nesërmen e ngjarjes. Gjithashtu, në pranga u vu dhe shtetasi Bledar Ajdini, i cili akuzohet për përkrahje të autorit të krimit.
Mësohet se në lagjen Cenometaj të fshatit Zhapokikë ka vetëm tre shtëpi. Njëra i përket viktimës dhe dy të tjerat bashkëpunëtorëve të autorit.
Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ka qenë pika fundore e një serie incidentesh dhe sherresh mes të dy familjeve. Autori i dyshuar i këtij krimi Blerti Kanushi strehohej prej disa muajsh në banesat e Skënderit dhe Bledarit pasi ai ishte në kërkim nga Policia.
Për shkak të marrëdhënieve të vështira që familjet kishin me njëra-tjetrën si dhe debatit të ashpër pak kohë më parë për një vijë uji, Blerti Kanushi druhej se 72-vjeçari Faik Ajdini mund të denonconte në Polici vendndodhjen e tij.
Viktima prej kohësh nuk jetonte në fshat, por udhëtonte çdo javë nga Tepelena për në Zhapokikë për të kontrolluar banesën dhe kopshtin.
Rrugës për në fshatin Zhapokikë gjatë fundjavës Faik Ajdini ka futur në mjetin e tij disa trungje pemësh të lëna buzë rrugës të prera nga bashkëpunëtorët në krim. Kjo ngjarje u bë shkak fillimisht për një konflikt verbal mes tyre. 23-vjeçari Kanushi që strehohej nga familja Ajdini është përfshirë në konflikt dhe më pas i ka zënë pusi Faik Ajdinit, ndërsa ai po shkonte drejt mjetit të tij për tu kthyer në Tepelenë.
Hetuesit konfirmuan se ka shenja të një përleshjeje fizike mes dy burrave dhe më pas një goditje me thikë në pjesën e pasme të qafës.
“Nga dinamika hetimore u konkludua se për shkak të konflikteve për motive të dobëta ndërmjet viktimës, shtetasit Faik Ajdini, dhe bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Ajdini, këta të fundit kanë nxitur shtetasin Blerti Kanushi, 23 vjeç, i kanë krijuar kushtet dhe i kanë siguruar mjetet, për kryerjen e vrasjes. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Skënder Ajdini, më datë 19 gusht 2024, rreth orës 07:00 të mëngjesit, kanë kryer vrasjen me thikë të shtetasit Faik Ajdini dhe më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas kryerjes së krimit, Skëndër Ajdini me shtetasen Darovi Ajdini kanë kryer veprime aktive për pengimin e zbulimit të së vërtetës, duke bërë përpjekje për të zhdukur provat e krimit. Shtetasi Bledar Ajdini, në dijeni të plotë për krimin, ka përkrahur autorin e krimit, duke mos informuar institucionet ligjzbatuese për vendndodhjen e tij.
Nga gjithë tërësia e veprimeve hetimore të kryera, u arrit të gjenden, fiksohen dhe sekuestrohen me cilësinë e provës materiale, thika me të cilën ka kryer krimin autori, si dhe sende e mjete të tjera të cilat kanë influencuar në rrethanat e ngjarjes, të shfrytëzuara nga të dyshuarit. Këto sende dhe mjete do t’iu nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme shkencore.” – thuhej në njoftimin e Policisë.
Personat e arrestuar:
Skënder Ajdini, 71 vjeç për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Bledar Ajdini, 43 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Blerti Kanushi, 23 vjeç për vepren penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Darovi Ajdini, 64 vjeçe, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”