Pavarësisht se nga viti në vit është rritur numri i strukturave për dhënie me qira ditore, paralelisht tregu vijon të mbetet i paformalizuar.
Vjet sipas Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit, deri në muajin korrik, rezultonte se 48% e strukturave me qira ditore ishin informale. Madje duke qëndruar jashtë sistemit të taksimit, kjo pjesë e akomodimit po godet edhe hotelerinë nëpërmjet konkurrencës së pandershme.
Për të zgjidhur problemin, autoritetet shqiptare iu drejtuan me kërkesë platformave Booking dhe Airbnb për evidentimin e këtyre strukturave.
Pas kërkesës së autoriteteve shqiptare, platforma Booking, nëpërmjet një njoftimi, u kërkoi pronarëve të apartamenteve se nëse nuk deklarojnë NIPT-in, nga 1 Nëntori do të paguajnë 20% TVSH për komisionet që mban Booking.
P.sh. nëse qiraja ditore e një shtëpie është 100 euro, Booking merr zakonisht 12-18% komision, ose 12-18 euro.
Tashmë Booking do t’u mbajë pronarëve të apartamenteve TVSH-në mbi komisionin që ajo merr, pra 20% të 12-18 eurove, ose 2.4-3.6 euro shtesë. Këtë shumë Booking do t’ua paguajë më pas autoriteteve fiskale shqiptare.
Ndërsa shuma që Booking do të mbajë si TVSH mbi komisionet mund të mos jetë shumë e lartë, synimi i Tatimeve është që, nëpërmjet këtyre pagesave, të identifikohen individët e regjistruar në këtë platformë, pasi të dhënat nga pagesat e kryera nga Booking do t’u dërgohen Drejtorisë së Tatimeve.
Pas identifikimit nga Tatimet, individët pronarë kishin dy alternativa: E para, ata mund të vazhdojnë që të mbajnë statusin që kanë, d.m.th. të mos regjistrohen në Tatime, por ndërkohë duhet të paguajnë 15% si tatim mbi të ardhurat që ata marrin nga qiraja.
E dyta, të regjistrohen si subjekt tregtar i kategorizuar, si struktura akomoduese për të cilat detyrimi i TVSH-së është 6%.
Kategorizimi si strukturë akomoduese për përfitimin e TVSH-së 6% kryhet nga Ministria e Turizmit, dhe më tej pas marrjes të tij, subjekti tregtar regjistrohet për NIPT në Tatime.
Ndonëse pas kësaj nisme, nga agjentët imobiliarë u vu re tendenca për mbylljen e tyre. Teksa ekonomistët rekomanduan se më e leverdishme ishte që këto biznese të regjistrohen si struktura akomoduese me qëllim përfitimin e TVSH-së 6%.
Sipas tyre, formalizimi është tepër i rëndësishëm për këto struktura sepse nxit konkurrencën, ofron më shumë siguri për mbrojtjen e turistëve dhe krijon mundësi në zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.
Por gati një vit pas kësaj mase, autoritetet shtetërore nuk kanë ende një inventar të plotë për numrin e njësive që përdoren me qira ditore.
Stela Dhami thotë se shumë pronarë shqiptarë, pasi kanë kaluar eksperiencën e AirBNB dhe kanë vërejtur amortizimin e pronave nga përdorimi ditor, kanë vendosur t’i rikthehen qirasë afatgjatë.
Problematikë e tregut është edhe rreziku i flluskës për shkak të çmimeve shumë herë më të ulëta krahasuar me shtetet e Europës, e ndikuar nga oferta e larta.
Nëse prenoton në Booking një apartament me qira për të kaluar natën e Vitit të Ri në Romë çmimet variojnë nga 100 USD/nata për prona 2 km larg qendrës deri në suita 822 USD/nata 1,1 km larg qendrës.
Ndërsa në Tiranë, çmimet varijojnë nga 44 USD/nata për prona deri në 95 USD/nata për prona luksi në “Myslym Shyri”./Monitor