Izraeli ka vazhduar ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës. Gjatë natës dhe të mërkurën, sipas të dhënave të Hamasit, sulmet izraelite vranë të paktën 17 persona. Ndërkaq, vazhdojnë shqetësimet për përshkallëzimin e situatës në gjithë Lindjen e Mesme. Pothuajse dy javë pas vrasjes së dy udhëheqësve të grupeve militante në rajon, pas së cilave duket se është Izraeli, banorët e shtetit hebre janë në ankth pas paralajmërimeve nga Irani për sulme hakmarrëse. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Jeruzalemi, Linda Gradstein, si Hamasi ashtu dhe Hezbollahu kanë raketa me rreze veprimi që mund të arrijnë në pjesën më të madhe të territorit të Izraelit dhe të shkaktojnë dëme të mëdha.
Qyteti verior izraelit Haifa është vetëm 32 kilometra larg kufirit me Libanin. Në qytetin port ka fabrika kimike që mund të vihen në shënjestër nga Hezbollahu. Pas 7 tetorit, kur Hamasi kreu një sulm terrorist në Izraelin jugor, duke nxitur fillimin e luftës në Gazë, qendra komanduese emergjente është vendosur nën tokë ndërsa Hezbollahu dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme ajrore përgjatë kufirit.
Zyrtarët e qytetit thonë se Haifa është e përgatitur për një sulm.
“Të gjitha strehimet tona hapen në mënyrë automatike në rast së bie alarmi. Këtë mund ta bëj edhe unë përmes telefonit tim. E shihni se si ndezët drita, kjo do të thotë se streha po hapet”, tregon Leonid Reznik, kreu i departamentit për gatishmërisë për emergjencat për qytetin e Haifas.
Hamasi dhe Hezbollahu janë zotuar se do të hakmerren për vrasjen e udhëheqësve të tyre. Zyrtarët e sigurisë së Izraelit thonë se Hezbollahu ka mbi 150 mijë raketa me rreze veprimi që mund të arrijë pjesën më të madhe të Izraelit.
“Hezbollahu me dronët e prodhuar nga Irani mund t’i shkaktojë dëm të madh infrastrukturës izraelite pasi koha për t’i vërejtur dronët dhe raketat nga Hezbollahu është shumë e shkurtër. Dronët dhe raketat nga Libani gjithashtu janë të vështira për tu vërejtur”, thotë për Zërin e Amerikës Avi Melamed, analist mbi zbulimin strategjik.
Ushtria izraelite thotë se ka zhvilluar teknologji të re për të paralajmëruar banorët për sulmet me raketa.
Subtitles Read: “Komanda ushtarake ka filluar dërgimin e paralajmërimeve përmes mesazheve telefonike. Si do të funksionojë kjo? Mesazhet do të dërgohen drejtpërdrejt në telefonat tuaj celularë krahas një paralajmërimi me zë nëse gjendeni në një zonë që është nën sulm”, thuhet në një nga njoftimet që dërgohen tani nga ushtria izraelite.
Në prill, Irani kreu një sulm me qindra raketa ndaj Izraelit, shumica e të cilave u goditën nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara ose Jordania. Analistët izraelitë presin që kësaj radhe sulmi të jetë më i madh.
“Dilema iraniane është që nga njëra anë të hakmerret ashtu siç janë zotuar, që ta bëjnë këtë në një mënyrë të tillë që të rikthejnë dinjitetin e tyre të cenuar nga sulmi izraelit në Teheran, por nga ana tjetër të mos e nxisin Izraelin të përgjigjet ashpër. Ata duan të shmangin këtë situatë, pra një përshkallëzim të madh me Izraelin”, thotë analisti Melamed.
Situata mund të ndikojë edhe tek vazhdimi i bisedimeve në mes të Izraelit dhe Hamasit për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve izraelite. Uashingtoni e ka paralajmëruar Iranin se hakmarrja ndaj Izraelit mund të dëmtojë këto negociata.
Të dhënat e Hamasit, që nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura, thonë se deri më tani ofensiva ushtarake izraelite ka vrarë mbi 40 mijë njerëz.
Po sipas zyrtarëve, vetëm gjatë natës në mes të martës dhe të mërkurës sulmet izraelite vranë të paktën 17 njerëz.
Sipas Izraelit, mijëra luftetarë të Hamasit janë të përfshirë në të dhënat e përgjithshme për viktima që jepen nga Hamasi./ VOA