Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dekretuar ndryshimet në kodin zgjedhor të miratuar në seancën plenare të 26 Korrikut me 106 vota pro dhe 2 kundër, pas paktit të arritur mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Me ndryshimet në kodin zgjedhor, kandidatët për deputetë do të ndahen në dy lista, ku 1/3 e tyre për çdo qark do të jenë në një listë të mbyllur dhe do e kenë pothuajse të sigurt vendin në Kuvend, ndërsa pjesa tjetër, 2/3 do të garojnë me listë të hapur. Po ashtu në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 do të votojë për herë të parë edhe diaspora.
Begaj thekson se këto ndryshime në kodin zgjedhor ishin fryt i diskutimeve dhe i marrëveshjes pozitë-opozitë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kishin shfuqizuar disa dispozita të Kodit Zgjedhor.
Sa i përket kritikave për mbylljen e 1/3 së listës së kandidatëve për deputet, kreu i shtetit shprehet: “Nëse votimi parapëlqyes duhet të ndjekë këtë raport, apo duhet të jetë më i zbutur, brenda marzhit që lejon Kushtetuta, kjo është çështje vizionesh dhe kompromisesh politike e ligjore, për të cilat Presidenti i Republikës nuk ka tagër dhe nuk mund të mbajë qëndrim, përndryshe do të vepronte në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve.”
Njoftimi i Presidencës
Presidenti i Republikës shpalli sot ligjin nr. 81/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë̈”, i ndryshuar”.
Ky ligj, që mori mbështetje të gjerë parlamentare, është fryt i diskutimeve dhe i marrëveshjes pozitë-opozitë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kishin shfuqizuar disa dispozita të Kodit Zgjedhor.
Bashkëpunimi parlamentar, si dhe përgjegjshmëria dhe respekti ndaj parimit të kushtetutshmërisë dhe shtetit ligjor janë vlera politike dhe ligjore të një sistemi të mirëfilltë demokratik, të cilat meritojnë të kultivohen e të shumëfishohen në praktikën institucionale shqiptare.
Ndër të tjera, ky ligj vendos kornizën për votimin nga jashtë vendit, i cili përbën një zhvillim historik për zgjedhjet në Shqipëri. Presidenti i Republikës mbështet dhe nxit institucionet e ngarkuara që të caktojnë prioritet absolut masat dhe përgatitjet për të implementuar votën nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për ta shndërruar këtë procedurë në një histori të plotë suksesi.
Debati rreth përmbajtjes së dispozitave të veçanta të këtij ligji u ndoq me vëmendje nga Presidenti i Republikës. Ligji u shqyrtua edhe në këndvështrim të këtij debati. Presidenti i Republikës konstaton se kritikat ndaj mekanizimit ligjor të votimit parapëlqyes nisen nga qëllimi legjitim për të demokratizuar më shumë këtë mekanizëm.
Ekzistenca e dy formave alternative që rregullojnë prurjen në parlament, (prurja për shkak të renditjes në listë dhe prurja për shkak të votës parapëlqyese), është përcaktuar në pikën 3 të nenit 64 të Kushtetutës. Dispozita e këtij neni ka kaluar provën e kushtetutshmërisë me vendimin nr. 28 të vitit 2021 të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka vënë re cenim të barazisë përpara ligjit për këtë shkak.
Gjykata Kushtetuese ka konsideruar kufizim disproporcional vendosjen e mekanizmit të herësit në përmasën që kishte ligji i vitit 2020. Ndryshimet e reja e kanë hequr mekanizimin e herësit dhe kanë pranuar ndarjen sasiore që vendos dispozita e Kushtetutës, sipas së cilës “ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumëemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”. Mbajtja e raportit në kufirin e sipërm të kësaj dispozite nuk lë vend për të debatuar kushtetutshmërinë e një kriteri që është vendosur nga vetë Kushtetuta.
Nëse votimi parapëlqyes duhet të ndjekë këtë raport, apo duhet të jetë më i zbutur, brenda marzhit që lejon Kushtetuta, kjo është çështje vizionesh dhe kompromisesh politike e ligjore, për të cilat Presidenti i Republikës nuk ka tagër dhe nuk mund të mbajë qëndrim, përndryshe do të vepronte në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor:
Risia e kodit të ri zgjedhor është vota e diasporës, ku emigrantëve do t’u jepet mundësia për herë të parë për të votuar.
Para se të votojnë, emigrantët do të duhet të bëjnë një regjistrim të veçantë në një regjistër të veçantë, ku regjistrimi do të jetë i vlefshëm vetëm për një palë zgjedhjeje. Më pas votatat do të vijnë me postë private në Shqipëri, e cila do të përzgjidhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ndërkohë në kodin zgjedhor ndryshon edhe modaliteti i zgjedhjes së deputetëve. 1/3 e listës do të jetë e mbyllur dhe pjesa tjetër 2/3 do të jetë listë e hapur, ku edhe një votë do të bëjë diferencën nëse partia e tyre arrin të marrë mbi 30% të mandateve në një Qark.
Me këtë kod zgjedhor, reth 30% e emrave të deputetëve në krye të listës që do ta kenë vendin e sigurt në Kuvend, do të përcaktohen nga kryetari i partive. Emrat e renditur më poshtë më pas do të zgjidhen me vota preferencia, nëse partitë arrijnë të marrin më shumë se rreth 30% të mandateve në një qark.
Më konkretisht, në Qarkun Tiranë që janë 36 mandate deputetësh, 12 emrat e parë të listës së kandidatëve të një subjekti zgjedhor, janë emra të sigurt për t’u futur në Kuvend, mjafton që forca politike të arrijë numrin e votave për të çuar në parlament 12 deputetë.
Pas këtij numri rendor, do të ketë një garë të hapur mes emrave që renditen, duke hyrë në funksion ai që konsiderohet si votë preferenciale, që do të përcaktojë më pas se cilët emra do të marrin mandatin, referuar numrit të votave personale.
Kështu, ka një hapje të vogë të listës, teksa kryetarët e partive do të arrijnë të futin “besnikët” e tyre në Kuvend, pa i vendosur në sfidën se sa vota preferenciale kanë në terren. Gjithçka do të jetë në dorë të kryetarëve të partive se kë do të futin në listën e sigurt dhe kë jo.
Por, duke qenë se lista e kandidatëve për deputetë është shumë e gjatë, vetëm emrat e parë arrijnë të futen në Kuvend dhe numri i deputetëve që do të zgjidheshin nga votat preferenciale do të jetë shumë e vogël.
Nëse kjo formulë do të ishte aplikuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, atëherë 31 deputetë do të ishin zgjedhur të mbështetur nga vota e qytetarëve dhe 109 të tjerë do të ishin të mbrojtur/favorizuar nga renditja e partisë.
Gjithashtu, është miratuar edhe amendamenti për të ruajtur kuatot gjinore, ku 30 % të emrave fitues si tek lista e sigurt po ashtu edhe tek lista e hapur do të jenë vajza dhe gra.
Kodi i ri Zgjedhor bën edhe një tjetër ndryshim. Pragu elektoral kombëtar do të jetë 1%. Kjo iu jep mundësi përfaqësimi partive të vogla, por mandati për to do të kalkulohet vetëm nëse në një qark të caktuar tejkalojnë shifrën e 7 mijë votave.
Kritikat për listat:
Vetëm dy deputetët votuan kundër miratimit të ndryshimeve të kodit zgjedhor, Enkelejd Alibeaj dhe Dashnor Sula, pasi pjesa më e madhe e atyre që ishin kundër nuk morën pjesë fare në votim.
Seanca plenare e të premtes u shoqërua me debate të forta në Kuvend, për shkak se pakti parashikon mbylljen e 1/3 të listës së kandidatëve për deputetët dhe një pjesë e deputetëve të opozitës e kanë kritikuar këtë gjë.
Krerët e partive të vogla si Dashamir Shehi, Fatmir Mediu, Agron Duka, po ashtu edhe ish-kryedemokrati Lulzim Basha me grupin e tij, Enkelejd Alibeaj apo edhe deputetët e PD-së si Dashnor Sula, Bujar Leskaj dhe disa të tjerë kanë qenë kundër mbylljes së listave, ku kanë kërkuar lista tërësisht të hapura. Lulzim Basha kishte propozuar edhe dy amendamente për hapjen e listave, të cilat u rrëzua.
Ndërkohë, Gazment Bardhi dhe Oerd Bylykbashi iu janë përgjigjur se nuk kemi të bëjmë me një reformë zgjedhore, por vetëm me zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës si dhe për heqjen e herësit prej 10 mijë votash.