Nëse doni të merrni hua në një bankë do ta keni më të vështirë, pasi bankat do ju kërkojnë më shumë “llogari” për të ardhurat dhe do vënë më shumë kushte për kolateralin.
Rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për tremujorin e parë të vitit 2018 tregojnë se standardet e kredisë janë shtrënguar si për bizneset, ashtu edhe për individët . Sipas madhësisë së biznesit vihet re se shtrëngimi i standardeve të kreditimit ka qenë i dukshëm në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërkohë që për ndërmarrjet e mëdha standardet janë raportuar thuajse të pandryshuara. Për individët standardet e kredisë janë raportuar të shtrënguara, si në segmentin e kredisë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë konsumatore.
Faktorët që kanë ndikuar në shtrëngimin e standardeve për kredinë dhënë bizneseve janë problemet specifike të sektorit, mjaftueshmëria e kapitalit, situata e perceptuar makroekonomike, si edhe huatë me probleme. Ndërkohë, i vetmi faktor i raportuar në kahun lehtësues të standardeve të bankave për kredinë ndaj bizneseve ka qenë konkurrenca në tregun bankar.
Përsa i përket kredisë dhënë individëve, faktorët kryesorë me ndikim në shtrëngimin e standardeve rezultuan gjendja financiare e individëve dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Në kahun lehtësues të standardeve të kreditimit për këtë segment kanë ndikuar mjaftueshmëria e kapitalit, niveli i likuiditetit, si dhe konkurrenca në sistemin bankar.
Shtrëngimi i standardeve për kredinë dhënë bizneseve në tremujorin e parë të vitit 2018, sipas raportimit të bankave, është mundësuar nëpërmjet kërkesave më të larta për kolateral, si edhe nga zgjerimi i marzheve të aplikuara mbi kreditë me rrezik. Nga ana tjetër, në kahun lehtësues të kushteve për miratimin e kredisë ndaj bizneseve ka ndikuar zvogëlimi i marzhit mesatar. Për individët lehtësimi i kushteve të kredisë u zbatua kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë, rritjes së raportit të këstit ndaj të ardhurave, si edhe zgjerimit të madhësisë së kredisë. I vetmi faktor nëpërmjet të cilit janë shtrënguar kushtet e kreditimit për individët është raportuar kërkesa më e lartë për kolateral.
Kërkesa për kredi e bizneseve në tremujorin e parë të vitit 2018 është raportuar më e lartë si në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha. Gjithashtu, edhe kërkesa e individëve për kredi ka rezultuar në rritje në të dyja segmentet, si për kredinë konsumatore, ashtu edhe për kredinë hipotekare.
Në tremujorin e dytë të vitit 2018, bankat presin shtrëngim të standardeve të kreditimit si për bizneset, ashtu edhe për individët. Kërkesa për kredi nga ana tjetër, pritet të jetë më e lartë si për bizneset ashtu edhe për individët.
Kredia për biznese
Standardet e kredisë dhënë bizneseve në tremujorin parë të vitit 2018 janë shtrënguar për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërkohë që për ndërmarrjet e mëdha ato janë raportuar thuajse të pandryshuara. Në tremujorin e dytë të këtij viti bankat presin që standardet e kreditimit të shtrëngohen në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërkohë që për ndërmarrjet e mëdha pritet të mbeten thuajse të pandryshuara nga tremujori i parë.
Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë së bizneseve, standardet kanë mbetur të pandryshuara nga tremujori i fundit i vitit 2017, si për kreditë për kapital qarkullues, ashtu edhe për investime. Tabloja e standardeve të kreditimit për këto kredi pritet të mbetet thuajse e pandryshuar dhe në tremujorin e dytë të vitit.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, faktorët me ndikim shtrëngues në standardet e kredisë për biznese ishin problemet specifike të sektorit, ku vepron biznesi, perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike, kreditë me probleme, si edhe mjaftueshmëria e kapitalit (Grafiku 2). Konkurrenca në tregun bankar rezultoi si faktori i vetëm me ndikim pozitiv në lehtësimin e standardeve të kredisë për bizneset gjatë këtij tremujori.
Kushtet për miratimin e kredisë. Në tremujorin e parë të vitit 2018, standardet e kreditimit janë shtrënguar kryesisht nëpërmjet marzheve më të larta për kreditë me rrezik, si dhe rritjes së kërkesave për kolateral. Nga ana tjetër, lehtësimi i standardeve të kreditimit të bizneseve u realizua nëpërmjet uljes së marzhit mesatar.
Kërkesa e bizneseve për kredi u raportua nga bankat më e lartë se në tremujorin paraardhës, e mbështetur si nga segmenti i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe ai i ndërmarrjeve të mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit, në tremujorin e parë të këtij viti bizneset kanë shfaqur kërkesë më të lartë si për kredinë për kapital qarkullues, ashtu edhe për kredinë për investime (Grafiku 4). Në tremujorin e dytë, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë më e lartë si për ndërmarrjet e vogla e të mesme, ashtu edhe për ato të mëdha.
Faktorët që kanë ndikuar kërkesën. Bankat raportojnë se kërkesa për kredi nga ana e bizneseve është mbështetur pothuajse nga të gjithë faktorët, të lidhura si me nevojën për financimin e investimeve apo kapitalit qarkullues, ashtu edhe me përdorimin më të ulët të burimeve alternative të financimit, kushtet e përmirësuara të kreditimit dhe situatën e perceptuar makroekonomike.
Kredia për individë
Standardet e kredisë për individë. Në tremujorin e parë të vitit 2018, standardet e kreditimit për individët u raportuan të shtrënguara, si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë për konsum. Standardet e kreditimit priten të mbeten të shtrënguara edhe në tremujorin e dytë të vitit, si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe atë për financimin e konsumit.
Faktorët që kanë ndikuar në shtrëngimin e standardeve të kredisë dhënë për individë ishin gjendja financiare e individëve, situata në tregun e pasurive të paluajtshme, si edhe kreditë me probleme. Nga ana tjetër, niveli i likuiditetit, mjaftueshmëria e kapitalit të bankave dhe konkurrenca në sektorin bankar kanë vepruar në kahun lehtësues të standardeve të kreditimit edhe për këtë tremujor.
Kushtet për miratimin e kredisë për individët janë lehtësuar nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar si edhe në një masë më të vogël, nga rritja e raportit të këstit ndaj të ardhurave dhe shtimit të madhësisë së kredisë. Në kahun shtrëngues të kushteve në miratimin e kredisë për individët ka vepruar vetëm rritja e kërkesave për kolateral.
Kërkesa për kredi nga individët në tremujorin e parë të vitit 2018 është raportuar më e lartë, e mbështetur si nga kërkesa për kredi për blerje banese, ashtu edhe nga kërkesa për kredi konsumatore. Kërkesa për kredi pritet të jetë në rritje edhe në tremujorin e ardhshëm.
Pritjet për aktivitetin kreditues sipas monedhës. Në tremujorin e dytë të vitit 2018, bankat presin një ngadalësim të aktivitetit kreditues, si në monedhën vendase ashtu edhe atë të huaj. Për të njëjtin tremujor normat e interesit të kredisë priten më të larta, si në lekë ashtu edhe në valutë./Monitor