Iranianët votuan të premten në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ku kandidon një politikan i vijës së ashpër, ish-negociator në bisedimet bërthamore, si dhe një ligjvënësi reformator. Dy kandidatët u përpoqën ta bindin publikun skeptik që të merrte pjesë në votime, pas disa vitesh vështirësish ekonomike dhe protestave masive që përfshinë Republikën Islamike.
Gara mes përfaqësuesit të linjës së ashpër Saeed Jalili dhe kirurgut dhe deputetit me përvojë Masoud Pezeshkian, u zhvillua pas një raundi të parë votimi me pjesëmarrjen më të ulët historikisht në zgjedhjet iraniane, duke e lënë në pikëpyetje edhe pjesëmarrjen për raundin e dytë.
Ndërkaq tensione më të mëdha kanë përfshirë Lindjen e Mesme për shkak të luftës Izrael-Hamas në Rripin e Gazës. Në prill, Irani bëri sulmin e parë të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit, ndërsa grupet paraushtarake në rajon që i furnizon me armë Teherani, si Hezbollahu në Liban dhe rebelët huthi në Jemen, janë përfshirë në luftime dhe kanë përshkallëzuar sulmet e tyre.
Irani vazhdon gjithashtu të pasurojë uranium në nivelin që mund të përdoret për qëllime ushtarake dhe ka krijuar rezerva të mjaftueshme për të prodhuar disa armë bërthamore, nëse do të vendosë ta bëjë këtë. Megjithëse udhëheqësi suprem Ayatollah Ali Khamenei vazhdon të jetë vendimmarrësi përfundimtar për çështje shtetërore, kandidati që do të fitojë zgjedhjet presidenciale mund të ndikojë në orientimin e politikës së jashtme drejt një përballjeje me Perëndimin, apo drejt bashkëpunimit.
Masat e mëdha të sigurisë ishin të dukshme të premten në rrugët e Teheranit, ndërsa grupe jo të mëdha njerëzish ishin të mbledhur pranë qendrave të votimit. Televizioni shtetëror transmetoi pamje me radhë modeste në qendrat e votimit në mbarë vendin.
Kandidatët Jalili dhe Pezeshkian votuan në jug të Teheranit, ku ka shumë lagje të varfëra, në përpjekje për të nxitur pjesëmarrjen në votime. Megjithëse zoti Pezeshkian u rendit i pari gjatë raundit të parë në 28 qershor, zoti Jalili ka bërë përpjekje për të fituar votat e atyre që mbështetën ish-kryetarin e parlamentit Mohammad Bagher Qalibaf, një përfaqësues i linjës së ashpër që u rendit i treti dhe deklaroi më pas mbështetjen për zotin Jalili.
Mbi 61 milionë iranianë të moshës mbi 18 vjeç kanë të drejtën e votës. Rreth 18 milionë prej tyre janë të grupmoshës 18-30 vjeç. Votimet shpeshherë zgjaten deri në mesnatë për të nxitur pjesëmarrjen.
Zgjedhjet e së premtes janë balotazhi i dytë në Iran që nga viti 1979. Balotazhi i parë ndodhi në vitin 2005, kur fitoi përfaqësuesi i linjës së ashpër Mahmoud Ahmadinejad. Gjatë drejtimit të tij, Iranit iu vendosën sanksione ndërkombëtare për shkak të përparimit me programin bërthamor dhe ndodhën protestat e Lëvizjes së Blertë në vitin 2009, të cilat u shtypën me dhunë.
Mbështetësit e zotit Pezeshkian kanë paralajmëruar se zoti Jalili do të sillte një stil “taleban” qeverisjeje në Teheran, ndërsa zoti Jalili e ka kritikuar se ka bërë fushatë duke ngjallur frikë në radhët e popullsisë.
Zgjedhjet bëhen pasi presidenti 63-vjeçar Ebrahim Raisi vdiq nga rrëzimi i helikopterit në 19 maj, kur u vra edhe ministri i jashtëm i vendit dhe zyrtarë të tjerë. Ai shihej si një dishepull i udhëheqësit suprem Khamenei dhe si një pasardhës i tij i mundshëm. Megjithatë, shumë njerëz e mbanin atë mend për përfshirjen në ekzekutimet në masë në Iran në vitin 1988, si dhe për rolin që luajti gjatë shtypjes së dhunshme të disidentëve pas vdekjes në vitin 2022 të Mahsa Aminit, ndërsa mbahej nga policia për shkak të mënyrës së mbajtjes së shamisë së kokës./VOA