Zyrtarët amerikanë të zbulimit dhe sigurisë po e përqëndrojnë vëmendjen e tyre në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën për shkak të shqetësimeve se vala e vazhdueshme e emigrantëve do të shfrytëzohet nga grupi terrorist ‘Shteti Islamik’.
Shqetësimet e shtuara vijnë pas arrestimit në fillim të qershorit të tetë burrave nga Taxhikistani, të cilët kishin hyrë në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit jugor me Meksikën, rrugëtim që disa prej tyre e kishin filluar mbi një vit më parë.
Megjithëse nga verifikimi fillestar i të kaluarës së tyre nuk doli ndonjë çështje problematike, që atëherë autoritetet amerikane kanë zbuluar informacion që sinjalizon se ata kanë lidhje me grupin ‘Shteti Islamik’, i njohur ndryshe me emërtimin e shkurtër ISIS.
“E kemi parasysh se njerëzit që vranë mbi 150 rusë në teatër ishin nga po e njëjta pjesë e botës”, deklaroi nënsekretari për zbulimin dhe analizën në Departamentin amerikan për Sigurinë Kombëtare, Ken Wainstein, duke iu referuar sulmit ndaj një salle koncertesh në Moskë në muajin mars, për të cilin përgjegjësinë e mori dega e ISIS-it në Afganistan.
Zoti Wainstein, i cili dëshmoi të mërkurën para Nënkomisionit për Sigurinë Kombëtare për kundër-terrorizmin në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se shqetësimet se ISIS-i mund të shfrytëzojë situatën në kufi, kanë nxitur mbajtjen e takimeve të përditshme mes drejtorit të Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit (NCTC), si dhe forcimin e bashkëpunimit me Byronë Federale të Hetimit, FBI.
Por ai u përpoq të zbusë shqetësimet që burojnë nga informacionet e zbulimit që sugjerojnë se rrjeti i trafikantëve të qenieve njerëzore i lidhur me ISIS-in mund të ketë sjellë në Shtetet e Bashkuara mbi 400 emigrantë nga Azia Qendrore nëpërmjet kufirit jugor.
“Nuk ka informacion që sugjeron se këta individë janë operativë terroristë”, u tha zoti Wainstein ligjvënësve.
Informacioni për 400 emigrantët, i raportuar fillimisht nga televizioni amerikan NBC News, tregon se mbi 150 prej tyre janë arrestuar. Por zyrtarët i thanë këtij kanali televiziv amerikan se nuk dihet vendndodhja e mbi 50 të tjerëve.
Shqetësimet e reja se grupet terroriste si ISIS-i po përpiqen në mënyrë aktive të shfrytëzojnë kufirin jugor duket se janë provë e re për ndryshimin e rëndësishëm në natyrën e kërcënimeve.
Me vite, zyrtarët amerikanë të angazhuar në përpjekjet kundër terrorizmit kanë thënë se nuk ka prova se ISIS-i apo grupe të tjera terroriste sunite po provojnë të infiltrohen në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet kufirit të saj me Meksikën.
Në nëntorin e vitit të kaluar, drejtorja e NCTC-së, Christine Abizaid u tha ligjvënësve se ndonëse zyrtarët e kundërterrorizmit “e kanë parasysh plotësisht rrezikun”, nuk ka prova për komplote të tilla.
“Nuk kemi shenja të qëndrueshme, apo të mbështetura në fakte”, u tha ajo atëherë ligjvënësve në Dhomën e Përfaqësuesve.
Por sanksionet amerikane dhe turke që u njoftuan në fillim të këtij muaji mund të jenë shenjë se grupi terrorist ISIS është gjithnjë e më i interesuar në trafikimin e qenieve njerëzore.
Sanksionet janë të përqëndruara në ato që Departamenti amerikan i Thesarit i përshkruan si rrjete për trafikim të qenieve njerëzore në rajonin e Euroazisë, që po u vijnë në ndihmë anëtarëve të ISIS-it në Turqi.
Njëri nga operativët kryesorë, Olimkhon Ismailov, është në Uzbekistan. Ai ka patur ndihmë nga nivele të larta dhe Departamenti amerikan i Thesarit thotë se drejtuesi i ISIS-it në Gjeorgji, Adam Khamirzaev i ka dhënë këshilla për veprimtarinë e tij.
Sipas zyrtarëve të Departamentit amerikan të Shtetit, duket se Adam Khamirzaevi ka në objektiv Shtetet e Bashkuara.
Drejtuesi i degës së ISIS-it në Gjeorgji “i kishte dhënë udhëzime këtij rrjeti për një mori aktivitetesh për të përkrahur ISIS-in dhe ishte i vetëdijshëm për përpjekjet e grupit për të ndihmuar për dërgimin e njerëzve në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Shumë nga agjencitë amerikane, përfshirë Departamentin për Sigurinë Kombëtare, FBI-në dhe Departamentin e Shtetit, refuzuan t’iu përgjigjen pyetjeve rreth shtrirjes së këtij rrjeti të trafikimit të qenieve njerëzore në Euroazi, që është i lidhur me operativët e ISIS-it në Turqi dhe Uzbekistan.
Gjithashtu nuk ekzistojnë tregues se ky rrjet, ndaj të cilit janë vendosur sanksione, është i lidhur me njëjtin rrjet të ISIS-it që ka sjellë në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit jugor tetë emigrantët nga Taxhikistani, apo qindra emigrantët e tjerë nga Azia Qendrore.
Për sa u përket tetë individëve nga Taxhikistani, Sekretari për Sigurinë Kombëtare, Alejandro Mayorkas u tha gazetarëve në Arizonë të mërkurën se “ndaj tyre po zhvillohen procedura dëbimi në këto momente”.
Dhe zyrtarë të tjerë amerikanë thonë se kanë shtuar masat e sigurisë.
“Kemi rritur vigjilencën në kufi”, deklaroi zëvendës-këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për çështje të sigurisë Jen Daskal gjatë një konference mbi kundër-terrorizmin në Nebraska.
“Kemi përforcuar kontrollin e të kaluarës së emigrantëve, po bëjmë verifikimin e vazhdueshëm të tyre për të identifikuar kërcënime të zbuluara rishtazi dhe për të arrestuar ata që përbëjnë kërcënim për sigurinë publike”, tha ajo.
Por zonja Daskal e konfirmoi se kërcënimi nga ISIS-i, sidomos nga dega e këtij grupi në Afganistan, vazhdon të ekzistojë.
“ISIS-i dhe dega e ISIS-it ‘Khorasan’ kanë demonstruar se kanë kapacitetet dhe qëllimin të kryejnë operacione ndërkombëtare”, theksoi ajo./voa