Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën për shfuqizimin tek ligji “Për Tatimin Mbi Të Ardhurat”, nenin për profesionet e lira, pas ankimit të bërë nga Partia Demokratike dhe shoqëria civile.
Vendimi është marrë këtë të enjte me shumicë votash, teksa është bërë publike nga kryetarja e Kushtetueses, Holta Zaçaj përmes një komunikate për mediat.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo ishte një masë joproporcionale dhe se këto kategori do duhet të taksohen në 2029 si të gjithë bizneset e tjera të vogla.
“Gjykata ka vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit si dhe vetë diskrecionit të tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja dh, fjalia e dytë dhe e tretë, e ligjit numër 29/2023, dhe neni 4 i VKM, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës si dhe të parimit të proporcionalitetit. Gjykata arriti në këtë përfundim duke mbajtur në konsideratë skemën tatimore dhe në veçanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 për qind ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish filloi që të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre që të përshtateshin me skemën e re tatimore.
Sa më sipër, gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji ka hyrë në fuqi në datën 18 maj 2023, dhe i shtrinte efektet nga 1 janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në 2023 sipas nenit 4 të VKM 753/2023, pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit. Gjithashtu gjykata vlerësoi se norma e fitimit prej 15 për qind së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme në kushtet kur ka masa të tjera alternative të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategori të tjera të tatimpaguesve mbi të njëjtat të ardhura.
Në përfundim, gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës, dhe shfuqizimin e nenit 69, pika dh, fjalia e dytë dhe e tretë dhe e ligjit, 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM 753/2023, rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit dhe vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.” – tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Ky ligj ishte miratuar në Mars të vitit 2023 nga socialistët në Kuvend, teksa ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti. Sipas ligjit të miratuar në Kuvend, të vetëpunësuarit e profesioneve të lira (26 lloje aktivitetesh, të ndara në 169 profesione) nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0 %, por do të tatoheshin 15% për fitimin deri në 14 milionë lekë dhe 23% për fitimet mbi këtë shumë.
Tashmë, ata që kanë të ardhura deri në 14 milionë lekë nuk do paguajnë tatim. Ndërsa ata që marrin mbi 14 milionë lekë do të taksohen 23%. Ndërsa, pas 31 dhjetorit të vitit 2029 profesionet e lira do të paguajë tatimin si të gjitha bizneset e vogla.
Nga 1 janari i këtij viti, kur ligji i ri nisi zbatimin me profesionet e lira, ishte paditur 4 herë në Gjykatën Kushtetuese.
Padia e parë në Gjykatën Kushtetuese u depozitua në shkurt 2024 nga 37 deputetë opozitës. Më 25 prill Kushtetuesja pranoi që të marrë në shqyrtim padinë e Partisë Demokratike, ndërsa në një njoftim të ndarë në faqen zyrtare theksonte se kjo padi do të shqyrtohet bashkë me dy të tjera. Bëhet fjalë për padinë e depozituar në mars për shfuqizimin e ligjit nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEKA), si edhe padia e Avokatisë së Shqipërisë për moszbatimin e ligjit si antikushtetues.
Kjo ishte padia e tretë e depozituar në Gjykatën Kushtetuese më 19 prill, ndërsa nismës së avokatit Lulzim Alushaj iu bashkuan masivisht 400 profesionistë, si: avokat, përkthyes, financiarë, agjentë të shitjeve të pronave etj, edhe shoqata biznesi.
Qindra profesionistët e lirë mbajtën një protestë më 13 Qershor para Gjykatës Kushtetuese, të cilët i bënë thirrje kësaj gjykate për të marrë një vendim, duke e shfuqizuar ligjin për tatimin mbi të ardhurat ndaj profesioneve të lira, e cila sjell eliminimin e shtresës së mesme në Shqipëri.