LA PAZ, Bolivi – Automjete të blinduara thyen portën hyrëse të pallatit qeveritar të Bolivisë të mërkurën në atë që dukej se ishte një përpjekje e dështuar për grusht shteti, ndërsa presidenti Luis Arce tha se vendi qëndroi i vendosur përballë sulmeve ndaj demokracisë dhe u bëri thirrje njerëzve të mobilizohen.
Ushtarët u tërhoqën së bashku me një autokolonë mjetesh të blinduara, ndërsa qindra mbështetës të presidentit Arce dolën me nxitim në sheshin përpara pallatit qeveritar, duke valëvitur flamuj bolivianë dhe duke brohoritur.
Në një video të mëhershme ku presidenti Arce u shfaq i rrethuar nga ministrat në pallatin qeveritar, ai tha: “Ja ku jemi, të vendosur në Casa Grande, për t’u përballur me çdo përpjekje për grusht shteti. Kemi nevojë që populli bolivian të organizohet”.
Gjenerali bolivian Juan Jose Zuniga, i cili dukej se drejtonte rebelimin, u arrestua në vazhdim pasi prokuroria e përgjithshme filloi hetimet.
Më herët, presidenti Arce u përball me gjeneralin Zuniga, në korridorin e pallatit qeveritar, siç u pa në filmimet e televizioneve boliviane. “Unë jam kapiteni juaj dhe ju urdhëroj të tërhiqni ushtarët tuaj dhe nuk do ta lejoj këtë mosbindje”, tha presidenti Arce.
Përpara se të hynte në ndërtesën e qeverisë, gjenerali Zúñiga u tha gazetarëve në shesh: “Me siguri së shpejti do të ketë një kabinet të ri ministrash; vendi ynë, shteti ynë nuk mund të vazhdojë kështu”. Gjenerali Zúñiga tha se “për momentin” ai e njeh presidentin Arce si komandant të përgjithshëm.
Gjenerali Zúñiga nuk tha qartë nëse po drejtonte një grusht shteti, por nga brenda pallatit qeveritar, me zhurmën që dëgjohej në sfond, ai tha se ushtria po përpiqej të “rivendoste demokracinë dhe të lironte të burgosurit tanë politikë”.
Në një mesazh në llogarinë e tij në rrjetin X, presidenti Arce bëri thirrje që “demokracia të respektohet”. Ngjarja ndodhi ndërsa televizioni bolivian tregoi autoblinda dhe një numër personash me uniformë ushtarake përpara pallatit qeveritar.
“Ne nuk mund të lejojmë, edhe një herë, që përpjekjet për grusht shteti të marrin jetët e bolivianëve”, tha presidenti nga brenda pallatit, i rrethuar nga zyrtarë qeveritarë, në një mesazh të filmuar që iu dërgua mediave.
Një orë më vonë, presidenti Arce njoftoi emërimin e krerëve të rinj të ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore mes brohoritjeve të mbështetësve. Në filmime dukeshin forca ushtarake që vendosnin pengesa përreth pallatit qeveritar. Presidenti tha se ushtarakët që u ngritën kundër tij po “njollosnin uniformën” e ushtrisë dhe u zotua se demokracia do të respektohej.
“Urdhëroj të gjithë ata që janë mobilizuar të kthehen në njësitë e tyre”, tha shefi i sapo emëruar i ushtrisë, José Wilson Sánchez. “Askush nuk dëshiron imazhet që po shohim në rrugë”.
Më pas ushtarët dhe automjetet e blinduara filluan të tërhiqen nga pallati presidencial i Bolivisë.
Drejtuesit e sindikatës më të madhe të Bolivisë dënuan përpjekjen për grusht shteti dhe shpallën një grevë pa afat të organizatave sociale dhe të punës në La Paz, për t’i dalë në mbrojtje qeverisë.
Incidenti u prit me kritika të ashpra nga udhëheqës të tjerë rajonalë, si Gabriel Boric, presidenti i vendit fqinj Kilit, udhëheqësit e Hondurasit dhe ish-udhëheqës të tjerë bolivianë, si dhe nga Organizata e Shteteve Amerikane.
Bolivia, një vend me 12 milionë banorë, ka përjetuar protesta të intensifikuara në muajt e fundit për shkak të rënies së shpejtë të ekonomisë. Bolivia u shndërrua nga një nga vendet me rritjen më të shpejtë në kontinent dy dekada më parë, në një nga vendet e goditura më rëndë nga kriza.
Vendi ka përjetuar gjithashtu një përçarje të profilit të lartë në nivelet më të larta të partisë qeverisëse. Presidenti Arce dhe aleati i tij i dikurshëm, udhëheqësi i majtë dhe ish-presidenti Evo Morales, janë duke bërë luftë të brendshme për të ardhmen e Lëvizjes për Socializëm të Bolivisë, parti e njohur me akronimin në spanjisht MAS, përpara zgjedhjeve që pritet të mbahen në vitin 2025./ VOA