Deputetët socialistë themeluan sot në Tiranë një të ashtuquajtur komision të posaçëm parlamentar kundër dizinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja. Ky komision nuk duhet të shërbejë për të shmangur vëmendjen ndaj problemeve reale të medias të sanksionuara nga Komisioni Evropian dhe misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR.
Deputetët socialistë të Kuvendit të Shqipërisë themeluan pa pjesëmarrjen e opozitës një komision që i ka vënë vetes një detyrë të madhe, të luftojë, duke u konsultuar me SHBA, NATO, BE, mediat, organizatat e të drejtave, etj. etj., “dezinformimin [SIC] dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”. Le t’i urojmë suksese. Le të pranojmë edhe si të sinqertë deklaratën e kryetarit Erion Braçe se komisioni nuk ka për qëllim që, në emër të luftës së dizinformimit, të luftojë lirinë e medias, megjithëse prania e lajmeve dukshëm të rreme në mediat pro-qeveritare për “portale të rublave” përbën arsye konkrete për shqetësim. Vetëm se pasi të pranojmë sinqeritetin e socialistëve në këtë punë, na duhet të ngremë pyetjen, për veten dhe për socialistët, se pse, disa rekomandime shumë të qarta dhe lehtësisht të zbatueshme, të dhëna në mënyrë të përsëritur nga raportet e Progresit të Komisionit Evropian dhe në mënyrë po aq të përsëritur, nga raportet e monitorimit të proceseve zgjedhore nga OSBE/ODHIR, janë harruar për të mos u trajtuar nga deputetët fort të shqetësuar për çështje të dizinformimit, këtij fenomenit misterioz, përkufizimi i të cilit është ende një çështje shumë e debatueshme.
Le ta fillojmë nga raportet e progresit të Komisionit Evropian. Për këdo që e ka harruar, raportet publikohen çdo vit dhe përmbajnë një listë me kërkesa që Shqipëria duhet të plotësojë në mënyrë që të përgatisë veten për t’u anëtarësuar në BE. Nëse nuk i plotëson këto kërkesa, atëherë normalisht që nuk anëtarësohet dot. Në lidhje me lirinë e medias, raporti i vitit të shkuar, shkruan: Shqipëria duhet të: 1. “sigurojë tolerancë zero për kërcënimet si dhe ndjekje efikase juridike në rastet e sulmeve kundër gazetarëve, përfshirë përmes dekriminalizimit të plotë të shpifjes; 2. Të trajtojë përqendrimin e lartë të pronësisë së medias dhe të rrisë në mënyrë domethënëse transparencën e financimit të medias, duke përfshirë rishikimin e kërkesave ligjore për reklamat publike, në përputhje me standardet evropiane. 3. Të përmirësojë kushtet e punës për gazetarët, veçanërisht përmes forcimit të mbrojtjes së të drejtave të punës dhe të drejtave sociale të gazetarëve shqiptarë dhe sigurimit të aplikimit konsistent të Kodit të Punës.
Nga këto te kërkesa me pesë radhë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk kanë marrë mundimin të trajtojnë as edhe një të vetme, megjithëse, disa prej këtyre nuk shkojnë përtej ndryshimeve të thjeshta ligjore, të cilat mund të bëhen me një ngritje dore në seancë plenare, pa pasur nevojë për procese të zgjatura, thirrje për SHBA, NATO, BE, etj., dhe pa konsumuar kohë të panevojshme. Për shembull, dekriminalizimi i shpifjes nuk kërkon asgjë më shumë se sa shfuqizimin e neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal, për ta zgjidhur problemin e vërejtur nga zyrtarët e Brukselit dhe ekspertët e OSBE/ODIHR. Vetëm se dukshëm deputetët që kanë marrë përsipër të luftojnë armikun misterioz të dizinformimit, ose nuk dinë të lexojë raportin e progresit, ose thjeshtë nuk ua ndjen të plotësojnë kushtet për integrim evropian.
Çështja tjetër e thjeshtë që deputetët socialistë dhe demokratë duhet të bëjnë ka të bëjë me reklamat shtetërore. Reklamat shtetërore i jepen medias proqeveritare aktualisht në bazë të një vendimi të qeverisë Berisha të vitit 2008. Ky vendim praktikisht e bën të mundur që qeveria të japë para për mediat, pa garë dhe pa transparencë. Qytetarët e kanë shumë të vështirë që të kuptojnë nëse një material i shfaqur në media është një reklamë propagandistike qeveritare apo është një kronikë informative e pavarur. Në dallim nga shfuqizimi i neneve 119 dhe 120 të kodit penal, kjo kërkon krahasimisht më shumë punë. Kërkohet që qeveria të detyrohet të zbatojë ligjin për prokurimin publik në blerjen e hapësirave për reklama në media dhe rrjedhimisht, kërkon që qytetarët të jenë në gjendje të dallojnë që, fjala vjen, një kronikë për bujqësinë është një reklamë e paguar nga taksat e tyre dhe jo një kronikë e gazetarisë së pavarur. Sërish, nëse marrim parasysh se Komisioni Evropian ka bërë të njëjtat kërkesa edhe në raportet e viteve 2022, 2021 e më herët, logjika ta do se koha ka qenë fort e bollshme në mënyrë që parlamenti ta kishte zgjidhur këtë problem.
Problemet e tjera të vëna si kushte nga Brukseli nuk janë tamam të lehta për t’u zgjidhur pasi prekin interesa konkrete. Megjithatë, nuk janë as të vështira. Për shembull, kufizimi i përqendrimit të pronësisë së medias bëhet me ndryshime ligjore në ligjin e medias, duke kufizuar individët të kenë kompanitë e licencuara audiovizive 100% në pronësi personale apo familjare si dhe duke ndarë pronësinë e mjeteve të transmetimit nga prodhuesit e programacionit, pra, duke e nisur nga transmetuesi publik, duke ndarë më vete si kompani publike njësinë që menaxhon platformat e transmetimit digjital tokësor nga kompania publike që prodhon përmbajtjen mediatike, ulja e çmimit të shitjes të kanaleve për prodhuesit privatë të përmbajtjes si dhe, mbi të gjitha, sigurimi që këto ndërmarrje publike menaxhohen nga profesionistë dhe jo nga militantët e radhës të partisë në pushtet.
Sa i përket rekomandimeve të OSBE/ODIHR, deputetët e kanë listën e rekomandimeve më të gjatë dhe mund të fillojnë punën menjëherë, si përmes Komisionit të Medias ashtu edhe atij të Dezinformimit. Kërkohet që qytetarët, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore, por edhe jashtë tyre, të jenë në gjendje që të dallojnë kur një kronikë televizive është prodhuar nga gazetari dhe kur është prodhuar nga zyra e shtypit. Kjo kërkon asgjë më shumë se sa një ndryshim në Kodin Zgjedhor për të detyruar televizionet që, sa herë që transmetojnë një kronikë të gatshme, të vendosin një etiketë mbi të për të thënë: kjo kronikë është përgatitur nga kjo apo ajo parti politike.
Kërkohet më tutje që institucionet publike të jenë publike dhe jo partiake. Që informacioni i dalë nga këto institucione të jetë faktual dhe jo propagandistik apo që politikanët të jenë të hapur për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, përfshirë edhe të ashtuquajturat, “pyetje provokative”.
Fakti që socialistët kanë vendosur të konsumojnë kohën e vet, si dhe kohën e publikut, me hulumtime mbi fenomenin shumë fort misterioz, por jo aq real të dizinformimit, nuk duhet të që shërbejë për të harruar këto punët e tjera, aspak misterioze, shumë konkrete dhe ku e ku më të rëndësishme për integrimin evropian të vendit.
/Gjergj Erebara/ BIRN