Elseid Hysaj është një ndër lojtarët më të kritikuar nga tifozët për humbjen e djeshme të Shqipërisë ndaj Italisë, teksa veç komenteve në rrjet, ai është bërë edhe objekt i memeve.
Tifozët kuqezi e shohin si shkaktarin e pësimit të golit të dytë, të shënuar nga Barrela, pasi mbrojtësi shkdodran uli kokën në momentin kur mesfushori i Interit gjuajti topin. Edhe pse përkulja ishte e pakët, por e mjaftueshme që topi të kalonte sipër kokës së tij dhe të shkonte në rrjetën që mbrohej nga Strakosha.
Duket se këtë vrull komentesh kundr tij, e kanë rënduar psikologjikisht Hysaj, aq sa ka marrë vendimin për të mbyllur profilet e tij në rrjetet sociale. Duket se numri i mesazheve dhe komenteve që i dërgonin ka qenë i madh, aq sa është detyruar.
Jo vetëm për ndeshjen e djeshme, por në përgjithësi kohët e fundit, Hysaj ka qenë një nga më të kritikuarit nga tifozët. I pyetur pak ditë më parë rreth kësaj çështje, mbrojtësi i Lazios u përgjigj duke treguar se ka 12 vite në Serie A dhe se i njeh të mirat e gabimet e veta.
“Sa i përket analizave të mediave, që thonë që mbrojtja në krahun e djathtë është e dobët, unë po bëj gati 12 vite që luaj në Serinë A dhe e di potencialin tim dhe se ku gaboj. I di gjërat ku gaboj dhe ku bëj mirë. Po në këtë Europian do të jem i përqëndruar si të gjithë të tjerët, sepse e di këto ndeshje janë shumë të forta. Dhe shpresoj që të jap maksimumin për këtë fanellë, sepse nuk vij për pushime apo të luaj keq. Vij për të bërë më të mirën, të jap maksimumin, t’i ndihmoj lojtarët nëse mundem t’i ndihmoj.
Në kombëtare mund të thirresh ose jo, luan ose jo, por gjithmonë duhet të bëhësh pjesë e një familje dhe të japësh kontributin tënd, si jashtë si brenda. Edhe në momente të këqija dhe në momente të bukura. Ne i kemi kaluar këto momente, tani jemi në momentin e bukur dhe dua ta gëzoj dhe ta shijoj këtë Europian”, tha Hysaj disa ditë më parë