Eksperti rrugor Artur Sulçe ka folur lidhur me rritjen e aksidenteve me vdekje në rrugë ku kryesisht shkak kryesor është sjellja e shoferëve.
Ai tha se një nga problematikat shqetësuese mbetet dhe sinjalistika rrugore, por dhe shpejtësia jashtë normave, telefoni dhe përdorimi i alkoolit.
Sipas tij të rinjtë janë më të rrezikuarit kryesisht grupmosha 20-30 vjeç pasi shpesh herë bëjnë dhe parakalime të gabuara për të regjistruar veten që më pas videot ti hedhin në rrjetet sociale.
“Kjo lidhet me projektimin, me kufijtë rrugor dhe me shpronësimin se kur është bërë kjo rrugë, në këtë mënyrë projektuesi i rrugës duhet të sigurojë dhe sigurinë e cila lidhet me banorët, sigurinë në funksion të vendimeve ku elementët teknikë të projektimit të rrugëve janë të projektuara nga standardet të BE. Këtu janë shumë elementë që është pikëpyetje e madhe nëse ato realizohen. Projektimi duhet të jetë sipas filozofisë së asaj që kemi ne. Gjatë lëvizjes me mjet, çdo përdorues rruge duhet të ketë parasysh se siç respektojmë banorët brenda një pallati ashtu duhet të jemi dhe në rrugë. Duhet të ketë bashkëpunim mes shoferëve. Në vendin tonë ka shumë problematika shqetësuese të sinjalistikës. Në vendin tonë siguria rrugore që lidhet me sinjalistikën sipas standardeve ne këto i quajmë gjëra të vogla dhe harrojmë se shumica e aksidenteve ndodh pikërisht për këto gjëra”, tha ai per MCN.
Më tej ai shtoi se duke pasur parasysh këtë kohë si kohë depresioni që po kalon vendi ynë për shkak të problemeve diku do shkarkohet kjo dhe brezi i ri që përfshihet shumë në aksidente është pikërisht kjo moshë e re 20-30 vjeç më shumë e prekur.
“Dy vite pas marrjes së patentës ata tregohen të kujdesshëm, më pas i duket vetja sikur i japin shumë mirë makinës dhe pikërisht kjo është mosha që tregohen më pak të kujdesshëm dhe këtu hyn adrenalina, futja e tyre në garë. Në këtë këndvështrim ata nuk konceptojnë rrezikun, se çfarë është aksidenti dhe vetëm kur u ndodh kuptojnë rëndësinë e aksidentit. Ne nuk e zbatojmë ligjin që nxjerrim dhe e dyta ne kemi rregulloren e zbatimit të ligjit që janë në kundërshtim me ligjin, pra ky depresioni që po kalon vendi jonë për shkak të problemeve që ka dhe përplasja e respektimit të ligjit sjell rritjen e aksidenteve. Aksi që ka ngelur tani nga Thumana deri në Kashar përfundon tani dhe ajo merr një zgjidhje si me thënë se ajo rrugë nuk është e përfunduar e gjitha, është një rrugë interurbane dytësorë ku shpejtësinë maksimale e ka 60-80 km/h dhe problematika më e madhe e rrugëve tona ndërqytetëse janë se kanë kryqëzime nën nivel, pastaj mungesa e ndriçimit në këto përbën rrezik për aksidente, prandaj duhen rregulluar bankinat. Aks tjetër është Elbasan-Pogradec-Korçë”, perfundoi eksperti.