Janë zbardhur detaje të reja nga shpërthimi me lëndë plasëse që u regjistruar mbrëmjen e të shtunës pranë një banesë në fshatin Arrameras të Fushë Krujës.
Mësohet se tritoli shpërtheu në ambientet e jashtme të shtëpisë së 50-vjeçarit Alfred Kurtit. Burime bëjnë me dije se në të njëjtën banesë jetojnë edhe dy vëllezërit e martuar të 50-vjeçarit, si edhe nëna e tyre e moshuar.
Të gjithë pjesëtarët e familjes ndodheshin në banesë në momentin që ka shpërthyer tritoli, por fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar.
Banesa, së cilës iu vendos tritoli, ndodhet pranë aksit Fushë Krujë-Tiranë, aks nga i cili dyshohet të jenë larguar edhe autori/autorët.
Mësohet se autoritetet policore kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë me qëllim identifikimin e autorit/ëve.
Nuk dihen ende shkaqet apo motivi i vendosjes së tritolit, teksa familja Kurti nuk njihet si problematika dhe asnjë prej vëllezërve nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal. Ata merren me biznesin e mobilierisë.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.