Nga Boldnews.al
Prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë në rang drejtori e të niveleve të mesme administrative, të dënuar për korrupsion, shpërdorim detyre e shkelje të barazisë në tendera, përfitojnë ulje dënimi në bazë të Aministisë së miratuar pak javë më parë me konsensusin pozitë-opozitë në Parlament.
Dy kumbarët e Amnistisë, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, nga ana e maxhorancës dhe kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, nga opozita, garantuan opinionin publik se, nga amnistia, nuk do të përfitonte asnjë zyrtar i dënuar nga Gjykata e Posaçme.
E njëjta garanci iu ofrua edhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët po “bëhen copash” për drejtësinë e re në Shqipëri.
Por, përtej këtyre përbetimeve publike, faktet flasin ndryshe.
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), në një njoftim zyrtar shpërndarë këtë fundjave, deklaroi se përfitues nga Amnistia janë të paktën 80 persona, subjekte të hetimit të tij.
Edhe SPAK u tregua disi “politikisht korrket”, kur përmend se në listën e përfituesve janë persona të hetuar apo dënuar për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.
Ndërkohë, e vërteta është që përfitues nga Amnistia “Manja-Bardhi” janë edhe zyrtarë të dënuar për korrupsion.
“Amendamenti Bardhi”
Gjithçka ka ardhur pas pranimit që maxhoranca i bëri një amendimi të kreut parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, mbi draft-amnisinë e hartuar nga Ministria e Drejtësisë.
Në nenin 5 të projekt-ligjit për Amnistinë parashikohej se “përjashtohen nga ulja e dënimit, për efekt të amnistisë, personat, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale”.
Ky nen, në katër pikat e tij (“a”, “b”, “c”, “ç”) përcakton veprat penale që gjykohen nga Gjykata e Posaçme (korrupsion, shpërdorim detyre, shkelje e barazisë në tendera…), si edhe subjektet e kësaj gjykate (zyrtarët e nivelit të lartë për të gjitha veprat penale dhe çdo lloj zyrtari tjetër për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, etj).
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2024/05/ec73365e-a1ac-43ec-a467-5e8a6a66f284-640x629.jpg)
Në një amendim, të dorëzuar “in extremis”, vetëm pak orë para votimit të Amnistisë në Parlament, Gazmend Bardhi, me konsensusin e qeverisë, sugjeroi përfshirjen në uljen e dënimit të një kategorie zyrtarësh të lartë administrativë, të akuzuar për korrupsion, shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera, etj.
Më konkretisht, amendamendi i Bardhit ishte: “Përjashtohen nga ulja e dënimit…personat, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata e Posaçme, sipas parashikimeve të pikave “b”, “c”, “ç” të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale”.
Praktikisht, Bardhi propozoi heqjen nga lista e ndalimeve për përfitim Amnistie pikën “a” të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2024/05/45fb8cff-d321-4bab-aef2-dcf932126019-640x744.jpg)
Ky amendim, i pranuar nga maxhoranca dhe i votuar në variantin final të Amnistisë, hiqte nga lista e ndalimeve për përfitimin e amnistisë ose, më thjesht, përfshinte në listën e përfituesve, një kategori të gjerë zyrtarësh të dënuar për korrupsion, shpërdorim detyre e shkelje të barazisë në tendera.
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2024/05/28c5592a-c49d-4912-9afe-10846935e696-640x700.jpg)
Për të kuptuar se kush janë përfituesit nga “amendamenti Bardhi”, ndihmon neni 75/a, pika “a” e Kodit të Procedurës Penale.
Ky nen parashikon:
“Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon:
- a) krimet e parashikuara nga nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 257, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e;
![](https://boldnews.al/wp-content/uploads/2024/05/5d75c659-e5ac-4574-9e5e-0b8cc4223ce9.jpg)
Në pikat “b”, “c” dhe “ç” të këtij neni parashikohen se kompetencë e Gjykatës së Posaçme janë hetimet për grupe kriminale, zyrtarët e nivelit shumë të lartë (presidenti, kryeministër, ministra, deputetë, drejtuesit e sistemit të drejtësisë, kryetarë bashkie.
Çfarë sugjeron “amendamenti Bardhi”
Amendamenti “Bardhi” propozoi praktikisht që të ndalohet ulja e dënimit për zyrtarët e lartë (nivel ministri, kryetar bashkie…., të parashikuar në pika “b”, “c” dhe “ç” të nenit 75/a), por të përfitojnë nga Amnistia të gjithë zyrtarët e tjerë, të dënuar për veprat penale që gjenden në pika “a” të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale).
Cilët përfitojnë
Për të kuptuar se cilët zyrtarë të dënuar përfitojnë, vlen të shihet se cilat janë veprat penale të përfshira në Amnisti nga amendamenti “Bardhi”.
- krimet e parashikuara nga nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 257, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e
Më konkretisht, lista e veprave penale, për të cilat Amnistia parashikon ulje dënimi, janë për zyrtarët dhe personat e tjerë, të dënuar për:
– Neni 244- Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike;
– Neni 244/a- Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë;
– Neni 245- Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë
– Neni 245/1- Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;
– Neni 257- Përfitimi i paligjshëm i interesave;
– Neni 258- Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike;
– Neni 259- Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publik;
– Neni 259/a- Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë;
– Neni 260- Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë (Ky nen përjashtohet nga Amnistia);
– Neni 312- Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit;
– Neni 319- Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë;
– Neni 319/a- Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare;
– Neni 319/b- Korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj;
– Neni 319/c- Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaj;
– Neni 319/ç- Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë;
– Neni 319/d- Korrupsioni pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare;
– Neni 319/dh- Korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj;
– Neni 319/e- Korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaj;
Leximi i Amnistisë dëshmon se një numër i konsiderueshëm zyrtarësh përfitojnë ulje dënimi, pavarësisht se “iniciatorët e saj”, Ulsi Manja dhe Gazmend Bardhi pohuan të kundërtën.
Është e kuptueshme që maxhoranca kishte interes për amnistinë e një numri të konsiderueshëm të zyrtarëve të saj, të dënuar për vepra të ndryshme penale nga Gjykata Kundër Korrupsionit.
Por, ajo që është e pakuptueshme është fakti se përse, ky qëllim i maxhorancës, u realizua nëpërmjet “duarve” të kryetarit të Grupit Parlamentar, Gazmend Bardhi.
Ky i fundit, ashtu si edhe Manja, mashtruan opinionin publik. Por, ndërsa Manja është pjesë e një kabineti qeveritar, të akuzuar shpesh për mashtrime, qëndrimi “mashtrues” i Bardhit për Amnistinë ngre pikëpyetje se, nëse opozita gënjen kur nuk ka pushtetin, çfarë mund të ndodh në rast se fiton qeverisjen?