Shqipëria po ballafaqohet me një nga sfidat më të mëdha të arsimit të saj, të lartë në dekadat e fundit. Numrat tregojnë një situatë shqetësuese, me shumë degë që rrezikojnë të mbyllen për shkak të mungesës së studentëve. Edhe pse ka pasur ndërhyrje të qeverisë nëpërmjet bursave, kriza vazhdon të përkeqësohet dhe rezultatet nuk janë ato që priteshin.
Përballë rrezikut të “zhdukjes” së mësuesve, fizikanëve, agronomëve…, për shkak se të rinjtë nuk preferojnë të studiojnë për këto “profesione”, qeveria vendosi të mbështesë me bursa të ashtuquajturat “degë prioritare”. Vendimi i marrë dy vite më parë për të financuar 35 programe (programin e Gjuhë-Letërsisë, atë të Shkencave Natyrore, si dhe degët që lidhen me bujqësinë dhe turizmin), ende nuk i ka dhënë rezultatet e pritura. Në këto programe janë regjistruar 2.760 studentë në shtatë universitete, por nisma është kritikuar që në nisje.
“Nuk e kuptoj se pse janë shpallur këto degë prioritare, – thotë Gevio Tabaku, i cili shton, – në dijeninë time nuk është bërë asnjë studim, për të parë se cilat janë nevojat e tregut të punës, që më pas ministria të vendosë se cilat janë ato degë”.
“Ne kemi më shumë nevoja kombëtare sesa tregu”, – thotë eksperti për arsimin, Ndriçim Mehmeti.
– Dega e Mësuesisë, – thotë ai, – është një nevojë kombëtare. Është më e rëndësishme se Robotika, që mund të jetë nevojë e tregut”. Edhe Mehmeti thotë se “nevojitet një studim serioz dhe i përvitshëm”.
Studentët nuk janë të kënaqur
“Bursa për programet prioritare ishte një kurth. Na njoftuan pas regjistrimeve për kriteret”, – thotë D. P., 19 vjeç, studente e degës së Matematikës.
Në fillim të regjistrimeve iu kishin premtuar bursat, edhe nëse studentët nuk ishin nga grupi i ekselentëve. Pas regjistrimeve fakulteti i kishte lajmëruar për kriteret që duheshin plotësuar, si mesatarja 9.5, të diplomoheshin në degë prioritare dhe të paktën 3 vite pas përfundimit të studimeve duhet të punonin në Shqipëri.
“Aktualisht në klasën tonë vetëm një student është përfitues i bursës”, – tha D. P., studente e degës së Matematikës. Vetëm 18 studentë janë të regjistruar në degën e Matematikes, por e frekuentojnë rregullisht vetëm 10-13 studentë, sepse “janë regjistruar në këtë degë vetëm për mbështetjen e premtuar, financiare”.
“U zhgënjyem shumë, tjetër u tha dhe tjetër u bë”, – thotë M. K., studente në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë.
“U organizuam dhe vendosëm që ta bojkotonim mësimin dhe të protestonim për të drejtën e bursës dhe sigurisht edhe për diplomën, që do të na mbahej peng. Protesta zgjati 1 javë, por pa rezultat dhe pa asnjë reflektim nga institucionet”, – thotë M. K.
“Studentët kanë nevojë për garanci”, – thotë eksperti i punësimit, Erion Muça. Ai shton se ky vendim duhet të përfshijë një garanci paraprake pune, pra, nëse ti po firmos një kontratë, që studenti të qëndrojë në Shqipëri për 3 vitet e para pas studimeve, atëherë firmos edhe një kontratë garancie për punësimin e studentit gjatë këtyre viteve, në mënyrë që studenti të jetë më i bindur për zgjedhjen e tij.
Me gjithë mbështetjen me bursa, numri i studentëve të regjistruar në vitet e fundit në degët e Mësuesisë është në rënie. Një arsye mund të jetë paga e ulët.
“Edhe sanitaret e QSUT-së kanë pagë më të lartë se mësuesit e fillores. Edukatorët apo mësuesit e arsimit fillor paguhen më pak se 47.000 lekë në muaj, ndërsa sanitaret e QSUT-së paguhen 52.000 lekë në muaj”, – thotë Ndriçim Mehmeti.
Arsye të tjera janë infrastruktura, mungesa e digjitalizimit dhe mos-rifreskimi i kurrikulave dhe i teksteve shkollore.
Bursat, sa një rrogë, megjithatë studentët ngurrojnë
“Tashmë janë bërë efektive 210 bursa sa paga minimale, që janë vënë në dispozicion të universiteteve tona, 80 prej të cilave janë bursa, që janë përfituar nga Universiteti Bujqësor i Tiranës”, – tha ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Ogerta Manastirliu, në një dalje publike.
“Bursat sa paga minimale janë një mbështetje për studentët, për programet tona me interes strategjik për vendin, por kjo është dhe një garanci më shumë që nesër të kemi profesionistë të kualifikuar në këto fusha, që janë me interes për sektorët zhvillimorë, por gjithashtu janë me interes edhe për tregun e punës”, – shtoi ndër të tjera ministrja.
Në Universitetin e Tiranës 34 studentë përfitojnë mbështetje financiare në shumën 40.000 lekë/muaj për vitin akademik 2022-2023; por numri i studentëve përfitues të bursës në universitetet publike është i ulët. Në Shkodër, vetëm 6 për vitin e shkuar akademik 2022-2023 dhe vetëm një për këtë vit. Në Universitetin e Vlorës vetëm 8 studentë e përfitojnë bursën, ndërsa në Universitetin e Elbasanit e kanë marrë bursën vetëm 2 studentë. Në Universitetin e Durrësit janë miratuar 25 kuota për mbështetjen financiare.
Buxheti për mbështetjen financiare është 15.000.000.00 lekë. Ministria e Arsimit thotë se fondi i miratuar i ka kaluar çdo institucioni të arsimit të lartë, të cilët e shpërndajnë te studentët përfitues. Janë dyfishuar edhe kuotat për studentët, që ndjekin studimet në këto degë.
Edhe pse po ofrohen bursa, sërish numri i studentëve të regjistruar mbetet i ulët. Ka patur pritshmëri, që të paktën ky vendim të plotësonte numrin minimal të studentëve në degët prioritare. Në Universitetin e Tiranës nga momenti i shpalljes së degëve prioritare në vitin 2022 dhe deri në vitin 2023 ka pasur vetëm 332 regjistrime.
Tkurrja e universiteteve
Shqipëria po përjeton një krizë në arsim. Shumë degë janë mbyllur ose janë në prag të mbylljes, për shkak të mungesës së studentëve. Nëse në vitin 2013 në universitetet publike në vend numëroheshin në total 176.173 studentë, sot janë rreth 50 mijë studentë më pak.
Degët e Mësuesisë ishin nga më të pëlqyerat, por në vitet 2013-2023 për degët prioritare kemi 1.534 studentë më pak. Shkaku kryesor, që më pak të rinj ulen në auditorët e universiteteve, është emigrimi.
Në universitetet publike kemi 24 degë të mbyllura dhe rrezikojnë të mbyllen edhe 15 të tjera. Aktualisht me vendimin e Senatit Akademik është miratuar propozimi i Fakultetit të Shkencave Sociale për mbylljen e 4 programeve të ciklit të dytë të studimeve. Gjithashtu, edhe në Universitetin e Korçës janë mbyllur 4 programe studimi, ndërkohë që tri degë të tjera po rrezikojnë mbylljen. Në Universitetin e Shkodrës dhe në Universitetin e Durrësit nuk është mbyllur asnjë degë studimi që nga viti 2013 deri në vitin 2023. E kundërta ka ndodhur në Universitetin e Gjirokastrës, ku janë mbyllur 7 programe studimi Bachelor dhe Master dhe janë në prag të mbylljes dy programe të ciklit të parë.
Në Universitetin e Vlorës janë mbyllur 3 programe studimi (Fizikë, Kimi, Italisht). Në Universitetin e Elbasanit janë mbyllur 6 programe studimi dhe rrezikojnë të mbyllen shtatë të tjera. Afro 50% e degëve janë drejt mbylljes totale. Arsyeja e mbylljes është mungesa e studentëve, preferenca për të studiuar jashtë dhe joshja pas degëve të Mjekësisë (kryesisht Infermieri dhe Informatikë).
Sipas ekspertit të punësimit, Erion Muça, ndikim në këtë rënie ka pasur edhe mentaliteti i krijuar në dhjetë vitet e fundit te studentët. Ai tha se, “studentët janë të afeksionuar pas profesioneve me të ardhura të larta”. Sipas tij, mentaliteti i viteve të fundit ka një peshë të madhe në vendimmarrjen e studentëve, pasi tashmë ata janë të prirur të zgjedhin ato degë, që iu sjellin më shumë të ardhura apo të ardhura të menjëhershme, si dhe profesionet që iu japin liri në të ardhmen, si për shembull të punojnë si freelancer dhe jo për dikë tjetër.
Pavarësisht politikave të përdorura nëpërmjet bursave për degët e përzgjedhura si prioritare, gjendja vijon të jetë e njëjtë dhe nuk ka ndodhur ndryshimi që pritej.
Zoti Muça thotë se një arsye tjetër është edhe fakti që arsimi publik është akoma me metodologjinë e vjetër, ku mësuesit dhe pedagogët thjesht përçojnë informacionin e shkruar në libra, duke mos aplikuar filozofinë e të kuptuarit logjikisht, në mënyrë që të zhvillojnë ecurinë dhe kreativitetin e nxënësve apo të studentëve, në mënyrë që, kur të dalin në tregun e punës, ta ketë më të lehtë përshtatjen.
Nga ana tjetër, eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, thotë: “Qeveria duhet që të rrisë rrogën për këto profesione”.
Nëse rroga do të ishte më e lartë, atëherë studentët do të ishin më të motivuar për këto profesione dhe atëherë po, qeveria ka ndjekur politikat e duhura për përmirësimin e kësaj gjendjeje, të cilën po e hasim vit pas viti si një fatalitet.
Sfidat, me të cilat përballet sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri, janë të mëdha dhe të shumanshme. Nga rënia e numrit të regjistrimeve, deri te mbyllja e mundshme e programeve thelbësore, situata kërkon vëmendje urgjente dhe zgjidhje inovatore. Ndërsa programi me bursa ka nisur zbatimin, rrënjët e krizës nuk janë vetëm financiare. Investimet në infrastrukturë, modernizimi i kurrikulës dhe strukturat konkurruese të pagave për arsimtarët janë thelbësore për të tërhequr dhe për të mbajtur talentin në Shqipëri.
/Qëndra për Gazetari CIlësore (ACQJ)